Facebook bëhet Meta
Facebook njoftoi ndryshimin e emrit, si pjesë e një ndryshimi që përfshin shtrirjen përtej kufijve të deritanishëm. Meta do të shkojë përtej mediave sociale, në fusha si realiteti virtual (VR). Megjithatë, ndryshimi nuk zbatohet në platformat individuale, si Facebook, Instagram dhe Whatsapp, por kufizohet vetëm te emri i kompanisë mëmë që i zotëron ato.
Lëvizja e paralajmëruar nga vetë Zuckerberg vjen pas disa zhvillimeve që e vunë gjigantin social nën një dritë jo shumë pozitive. Ish-punonjësja Frances Haugen e ka akuzuar së fundmi kompaninë se vë përpara sigurisë fitimin.
Gjatë zbulimit të emrit të ri, shefi i Facebook, Mark Zuckerberg, njoftoi planet për të ndërtuar një "metaverse" - një botë në internet ku njerëzit mund të luajnë, të punojnë dhe të komunikojnë në një mjedis virtual, shpesh duke përdorur thjesht një kufje VR.
"Me kalimin e kohës, shpresoj që ne të shihemi si një kompani metaverse dhe dua të ankoroj punën dhe identitetin tonë në atë që po ndërtojmë", tha ai në një konferencë virtuale.
Ndryshime pëson edhe logoja e kompanisë. Butoni like zëvendësohet me infinit blu.
Fjala "meta" vjen nga greqishtja dhe do të thotë "përtej".
VR shihet nga shumë si e ardhmja e internetit. Në vend që të jenë në një kompjuter, njerëzit në një metaverse mund të përdorin një kufje për të hyrë në një botë virtuale që lidh të gjitha llojet e mjediseve dixhitale. Kjo botë virtuale mund të përdoret praktikisht për çdo gjë, nga puna, loja dhe koncertet, deri te shoqërimi me miqtë dhe familjen.
Add new comment