Tensione etnike apo ekonomike në Ballkan?
Dje media të ndryshme ndërkombëtare raportuan për zgjidhjen e përkohshme të të ashtuquajtura tensione mes Serbisë dhe Kosovës për target e automjeteve. Marrëveshja është arritur nën mbikëqyrjen dhe ndërmjetësimin e BE dhe SHBA dhe ajo parashikon një rol të KFOR në kalimet kufitare.
Mes zërave që janë prononcuar për këtë situatë është edhe I diplomatit të lartë amerikan Gabriel Ecosbar i cili ndër të tjera ka pohuar se:
Shpejtësia e rritjes së tensioneve ishte disi befasuese
Për të shtuar mandej se:
tensionet etnike në rajon janë të larta po aq sa kanë qenë për një kohë të gjatë dhe duhet një lloj diplomacie energjetike dhe angazhim si ai i viteve ‘90
Ndonëse vetëm një fragment nga fjala e tij, pohimi në fjalë tradhëton klishetë që kanë zënë vend në mendësinë e diplomacisë perëndimore kur vjen puna te Ballkani. Z. Escobar flet për tensione etnike, por është e vështirë të dallosh në rajonin tonë tensione etnike si ato që kanë karakterizuar rajonin përherë. Tensionet në Bosnje, Malin e Zi apo edhe mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë vështirë se mund të quhen etnike.
Edhe tensionet mes Serbisë dhe Kosovës në të vërtetë vështirë se mund të klasifikohen më si shprehje e tensioneve mes serbëve dhe shqiptarëve përderisa ne pamë dhe dëshmuam se Beogradi zyrtar u nervozua më shumë për problemet e krijuara me vendosjen e tarifave një vit më parë sesa me targat sot.
Kemi qartazi tensione ndërshtetërore për shkak të relacioneve ekonomike të cilat narrativa nacionaliste dhe problemet e bartura vetëm sa i ndërlikojnë. Sikundër kemi manovra tipike ballkanike si Open Balkans që shiten për nisma, ndërkohë që sfida mbetet ekonomia.
Nuk është puna të gënjehesh nga iluzioni i lëvizjes së lirë dhe turizmi, por problemi është se brezi aktual i ballkanasve nuk po fermentojnë asnjë ide lufte ndëretnike dhe nuk ka gjasa që rinia të jetë duke konceptuar të ardhmen mbi prerogativa të shqetësimeve nacionaliste.
Dallimet në rajon janë padyshim edhe etnike, por ato po bëhet përherë e më familjare, më të zakonshme dhe në fund të fundit aktualisht nuk ka asnjë çështje që të jetë brengë nacionale madhore. Serbia e deklaron Kosovën si Serbi të Vjetër, por kjo është një formulë që pagëzon një politikë që sapo e merr hirin e vet nis e sheh nga interesi ekonomik.
Dhe është shumë e paimagjinueshme që njerëz si Vuçiç që akuzohen për gjithçka të humbasin toruan para emocionit etnik dhe kjo mund të shihet se presidenti serb është vetëkufizuar në deklarimet publike kur vjen puna te probleme të këtij karakteri. Lodhja nga ideja e luftës është më e madhe sesa lodhja nga zgjerimi i BE-së ndërkohë që ka një kuptim të ri edhe për zhvillimin në shekullin e 21-të ku nacionalizmi i këti soji nuk jep asnjë ndihmë apo kontribut.
Nga buron atëherë ky gjykim i z. Escobar? Është inercia e një sektori si diplomacia dhe qasja shablloniste e vendeve të mëdha të cilat flasin përmes gojës së zyrtarëve të vet, e të cilët kanë qarkulluar edhe klishe të tjera të pakuptimta si ndikime malinje ruse apo kineze, të gjitha arna të qepura trashë mbi një moral të rremë të një Perëndimi që po tradhëton veten. Afganistani është i fundit që e provoi këtë shije.
s.zaimi
Add new comment