Ndikimi kinez, hije dyshimi mbi Bankën Botërore
Shefja e FMN-së, Kristalina Georgieva, i cilësoi të rreme gjetjet e një hetimi të pavarur, i cili arrin në konkluzionin se gjatë detyrës si shefe e Bankës Botërore ajo i bëri presion stafit për të manipuluar të dhënat dhe për ta shfaqur klimën e biznesit të Kinës më të favorshme sesa ishte në të vërtetë.
Georgieva akuzon edhe zyrën e presidentit të mëparshëm të Bankës Botërore, Jim Kong Kim, për manipulim. Ajo thotë se refuzoi një propozim nga një anëtar i stafit të Kim për të përfshirë të dhënat e Hong-Kongut në renditjen e Kinës në raportin e Bankës Botërore Doing Business 2018, çka do të kishte përmirësuar ndjeshëm gjendjen e saj.
Javën e kaluar, Banka Botërore publikoi një raport mbi hetimin e firmës ligjore WilmerHale. Raporti konkludoi se drejtuesit e lartë të bankave përfshirë Georgieva i bënin presion të padrejtë stafit për të ndryshuar të dhënat, duke përmirësuar renditjen e Kinës në raportin Doing Business, ndërsa banka kërkonte mbështetjen e Kinës për një rritje të kapitalit.
Georgieva, e cila në atë kohë ka qenë shefe ekzekutive e Bankës Botërore, e ka kundërshtuar hetimin.
"Për të qenë të qartë: asgjë e tillë nuk ka ndodhur dhe asnjë gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë nën udhëheqjen time", citohet ajo nga Reuters.
Ekonomistja bullgare, personi i parë nga një vend në zhvillim që drejton Bankën Botërore, është përballur me thirrjet për dorëheqje lidhur me këtë çështje, megjithëse ish-kolegët janë shprehur në mbështetje të saj.
Bordi i FMN u mblodh të martën për të dëgjuar një raport fillestar nga komiteti i etikës dhe një takim tjetër pritet së shpejti.
Kryetarja e Komitetit të Shërbimeve Financiare të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Maxine Waters, tha se gjetjet që detajojnë "ndikimin e tepërt nga Kina" në Bankën Botërore dhe rolin e Georgieva-s në manipulimin e të dhënave të “Doing Business” me urdhër të qeverisë kineze është shumë shqetësuese.
Add new comment