Industria e mishit, nxitëse e krizës klimatike
Prodhimi ushqimit në glob gjeneron një të tretën e të gjithë gazeve serë të emetuara nga aktiviteti njerëzor. Përdorimi i kafshëve për mish ndot sa dyfishi i sasisë së gazeve që vijnë nga prodhimi i ushqimeve me bazë bimore.
I gjithë sistemi i prodhimit të ushqimit, siç është përdorimi i makinerive bujqësore, spërkatja e plehrave dhe transporti i produkteve, shkakton 17.3 miliardë tonë gazra serrë në vit, sipas një studimi të ri të botuar në Nature Food. Kjo sasi gazrash që nxisin krizën klimatike është më shumë se dyfishi i të gjithë emetimeve të SHBA dhe përfaqëson 35% të të gjitha emetimeve globale, thonë studiuesit.
Mbarështimi dhe përdorimi i kafshëve për ushqim ndikon më negativisht te ngrohja globale sesa rritja dhe përpunimi i frutave dhe perimeve. Studimi i kryer nga Universiteti i Ilinoisit konfirmon kështu gjetjet e mëparshme mbi ndikimin e madh që prodhimi i mishit, veçanërisht ai i viçit, ka në mjedis.
Përdorimi i lopëve, derrave dhe kafshëve të tjera për ushqim, si dhe ushqimi për bagëtinë, është përgjegjës për 57% të të gjitha emetimeve që gjeneron prodhimi i ushqimit. Ndërkohë nga kultivimi i ushqimeve me bazë bimore gjenerohet 29% e emetimeve.
Përllogaritjet e studimit për ndikimin klimatik të mishit janë më të larta se vlerësimet e mëparshme - Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e OKB-së ka thënë se rreth 14% e të gjitha emetimeve vijnë nga prodhimi i mishit dhe bulmetit. Kjo çon në një rreth vicioz, pasi vetë kriza klimatike bëhet shkak për urinë. Një studim i fundit gjeti se një e treta e prodhimit global të ushqimit do të jetë në rrezik deri në fund të shekullit nëse emetimet e gazrave serë vazhdojnë të rriten me ritmin e tyre aktual.
Shkencëtarët kanë theksuar vazhdimisht se, nëse duam të shmangim ngrohjen e rrezikshme globale, kërkohet një rishikim i madh i zakoneve të të ngrënit dhe praktikave bujqësore. Prodhimi i mishit tani është zgjeruar deri në atë pikë saqë tani ka afërsisht tre pula për çdo njeri në planet.
Add new comment