Britania refuzon vaksinat franceze kundër CoVid-19, të prodhuara me virus të inaktivizuar
Britania ka anuluar një marrëveshje për furnizimin me dhjetëra miliona doza vaksine anti-COVID-19, të prodhuara nga kompania franceze Valneva, raporton SkyNews. Kjo e fundit është një kompani e re në tregun farmaceutik dhe prodhon vaksina në mënyrën tradicionale. Vaksina e saj, VLA2001, përdor një virus të çaktivizuar të ngjashëm me vaksinat e gripit.
Disa e kanë parë si rivale të fortë të vaksinave aktuale të prodhuara nga Pfizer dhe Moderna, që përdorin teknologjinë e re mRNA, çka ngre pikëpyetje për mundësinë e një ndikimi të këtyre të fundit te vendimi. Vaksina po prodhohet në Skoci dhe aktualisht është në fazën e tretë të testeve klinike, fazë që pasohet me miratimin nga rregullatorët. Qeveria britanike kishte porositur 60 milionë doza dhe mbajti opsionin për 90 milionë të tjera. Më pas 40 milionë doza iu shtuan porosisë së saj.
Në total, 190 milionë dozat kanë një vlerë prej 1.4 miliardë euro.
Vendimin e saj, qeveria britanike e motivon me “shkeljen nga ana e kompanisë të detyrimeve që përcakton marrëveshja e furnizimit”. Por kompania e mohon ashpër këtë pretendim. Pas anulimit të marrëveshjes, aksionet e kompanisë ranë me 40%. Por pavarësisht rënies, aksionet e saj janë akoma në rritje me rreth 50% që nga fillimi i vitit 2021.
Valneva ka bërë të ditur se do t’i vijojë planet e saj për zhvillimin e vaksinës VLA2001.
"Valneva beson se miratimi fillestar për VLA2001 mund të jepet në fund të vitit 2021", shtoi kompania.
Vendimi vjen në një kohë kur pritet që kryeministri Boris Johnson të njoftojë shmangien e mbylljes. Plani i menaxhimit të pandemisë, i cili pritet të bëhet i ditur prej tij, është e sigurt që do të mbështetet te vaksinimi.
Add new comment