Një tjetër dhimbje koke për Amerikën: Kina po i afrohet Rusisë për potencialin bërthamor
Kina po e rrit me shpejtësi arsenalin e saj bërthamor dhe shumë shpejt do të lërë pas Rusinë si kërcënimi kryesor bërthamor i Shteteve të Bashkuara. Paralajmërimi vjen nga një zyrtar i lartë ushtarak amerikan. Gjeneral i Forcave Ajrore të SHBA-së, Thomas Bussiere, zëvendës komandant i Komandës Strategjike të SHBA, e cila mbikëqyr arsenalin bërthamor të vendit, tha se zhvillimi i kapaciteteve bërthamore të Kinës nuk shkon paralel me atë që ajo pretendon publikisht.
"Do të vijë një moment, kur kërcënimi që paraqet Kina do të bëhet më i madh se ai që përbën aktualisht Rusia", citon Reuters, gjeneralin Bussiere, i cili ka folur në një forum online.
Ai thotë se kërcënimi që paraqet Kina nuk duhet përcaktuar vetëm në bazë të kokat bërthamore të raketave në Pekin, por edhe në mënyrën se si ato janë "të vendosura në mënyrë operacionale".
"Ne do të kemi një “përplasje” në vitet e ardhshme," thotë Bussiere.
Ndryshe nga Rusia, Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndonjë traktat ose mekanizëm dialogu me Kinën për këtë çështje, gjë që sipas Bussiere do të lehtësonte çdo keqkuptim ose konfuzion. Komentet e Bussiere vijnë ndërsa Shtetet e Bashkuara po përpiqen të riorganizojnë politikën e jashtme duke e vënë theksin më shumë në rajonin Indo-Paqësor për të kundërshtuar rritjen e fuqisë ekonomike dhe ushtarake të Kinës.
Gjatë një takimi me ministrat e Jashtëm të vendeve aziatike dhe kombeve partnere në fillim të gushtit, edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ngriti shqetësimin e arsenalit bërthamor që mund të posedojë Kina. Raportime që bazohen në imazhet e marra nga sateliti flasin për qindra kapanone të reja për raketat bërthamore të cilat po ndërtohen në Kinë. Kina thotë se arsenali i saj është shumë më i vogël se ai i Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, dhe se është gati për dialog, por e kushtëzon këtë të fundit me reduktimin e rezervave bërthamore amerikane në nivelin e Kinës.
Add new comment