Shembuj nga Shqipja
Lexoja këto ditë The Changing Languages of Europe, nga Bernd Heine & Tania Kuteva (2006 Oxford University Press), një libër që u kushtohet të ashtuquajturave Euroversals, duke e parë Europën si zonë linguistike, në kuptimin që ka ky term, mes të tjerash, në gjuhësinë ballkanike.
Ideja e autorëve është se, të paktën në Europë, marrëdhëniet gjenetike mes gjuhëve nuk mjaftojnë dhe nuk funksionojnë mirë, si parametër për të përshkruar afëritë strukturale mes gjuhëve të kontinentit, meqë shpërndarja gjeografike e strukturave gjuhësore shpesh nuk ndjek kufijtë gjenetikë.
Një nga kapitujt e librit i kushtohet përftimit të nyjave shquese dhe joshquese – një kategori gramatikore e cila nuk është e trashëguar dhe as ka ekzistuar në trajtat e hershme të gjuhëve europiane. Në momentin e tanishëm, këto nyja janë konsoliduar mirë në gjuhët romane, në gjuhët gjermanike dhe në gjuhët ballkanike dhe – sipas autorëve – po shfaqen edhe në disa gjuhë sllave perëndimore, gjithë duke mbetur atje të pagramatikalizuara.
Deri këtu mirë. Por kur vjen puna për paraqitjen e nyjave të shqipes, shoh se autorët i janë referuar dy studimeve nga Hans-Jürgen Sasse: ‘Sprachkontakt und Sprachwandel: Die Gräzisierung der albanischen Mundarten Griechenlands’ dhe ‘Zum Ausdruck von Referentialität und Nichtreferentialität im Arvanitischen’, të cilat kanë për objekt dialektet arbërore të Greqisë. Edhe shembujt që sillen në libër, dhe që janë marrë nga Sasse, i përkasin gjuhës arvanite:
Erdh një djaljë.
Koça ja djaljë.
Duall paljonjeri.
Metodologjikisht, nuk ka asnjë arsye që të folmet shqipe të Greqisë të zgjidhen për të përfaqësuar shqipen, brenda një krahasimi aq të rëndësishëm, të përdorimit të nyjave në gjuhët e sotme të Europës. Ato të folme janë të rrëgjuara dhe në zhdukje e sipër, dhe për më tepër, nën ndikimin e shpërpjesëtuar të greqishtes fqinje.
Prandaj arsyeja e vetme, më duket mua, që autorët kanë zgjedhur arvanitikishten të ilustrojë gramatikën e nyjave shquese/joshquese në shqipe është që ata nuk kanë arritur të gjejnë (kanë përtuar?) një gramatikë të shqipes moderne, ku të përshkruhet saktë përdorimi i këtyre nyjave.
Edhe pse gramatika të tilla sot gjenden lehtë – pa pretenduar që autorët të shkojnë dhe të studiojnë morfologjinë e gjuhës shqipe, në botimet akademike në Shqipëri dhe Kosovë; ose Gramatikën historike të shqipes, të Shaban Demirajt dhe atë të Kolec Topallit, do të mjaftonte të shfletonin Albanische Grammatik, nga Buchholz dhe Fiedler, një vepër me përgjigjet për të gjitha pyetjet e tyre dhe shumë më tepër.
Që zgjedhja e tyre, për ta përfaqësuar shqipen nëpërmjet një grupi të folmesh atipik, si ai i arbërishtes së Greqisë, nuk qëndron e provon edhe vetë fakti që, të njëjtët autorë në të njëjtën morfologji, i referohen gjerësisht një të folmeje kroate në Molise-n e Italisë së Jugut (e krahasueshme me arbërishten që flitet edhe ajo tek-tuk në Molise), të cilën e ka studiuar tani vonë Walter Breu; por i referohen pikërisht për të argumentuar si ka ndryshuar kjo formë e kroatishtes, e shkëputur nga trungu ballkanik, nën trysninë e të folmeve fqinjë të italishtes, me të cilat ka qenë në kontakt.
Nuk do ta kisha marrë mundimin t’i shkruaj këto radhë, po të mos më kish lindur ky shqetësim edhe më parë, sa herë që jam ndodhur përballë trajtesash bashkëkohore për shqipen dhe historinë e saj, nga autorë të huaj qendrash universitare dhe akademike prestigjioze anembanë botës, të cilat më kanë rezultuar plot pasaktësi dhe keq-interpretime. Veçanërisht irritues për mua është ilustrimi i dukurive dhe karakteristikave të shqipes, nëpërmjet të folmeve të ngulimeve – arbërishtes dhe arvanitikishtes – thjesht ngaqë këto ka qenë më e lehtë, nga pikëpamja logjistike, që të studiohen dhe studimet përkatëse janë në dispozicion në bibliotekat akademike të Perëndimit.
Ky deformim është shfaqur që herët – sa kohë që studiuesit albanologë në Europën Perëndimore i merrnin dikur të dhënat për shqipen nga çfarë gjenin “shqip” jashtë kufijve të Perandorisë Osmane. Çabej, por edhe të tjerë, e kanë vënë në dukje për Fjalorin Etimologjik të Meyer-it se një nga dobësitë, e fjalësit të atij fjalori, është zhbalancimi në favor të leksikut të ngulimeve, i cili nuk e përfaqësonte atëherë, dhe as e përfaqëson sot shqipen. Por çfarë edhe mund të tolerohej dikur, sa kohë që qasja ndaj shqipes ndeshte në gjithfarë pengesash objektive (politike, kulturore, praktike), sot tradhton përtaci dhe indiferencë.
Për gjuhë që njihen dhe studiohen pak, si shqipja, ndodh rëndom që shembujt e sjellë, në studimet krahasimtare dhe tekstet universitare, të jenë marrë nga vepra më të hershme, që jo rrallë janë tejkaluar, korrigjuar dhe madje përgënjeshtruar. Këtë e gjen deri edhe në tabelat e bashkëpërkimeve leksikore të indo-europianishtes, por edhe në trajtesa të historisë së shqipes dhe analiza të tjera, që mbështeten në lëndën e parë gjuhësore. Dhe këtu nuk është fjala vetëm te nevoja për saktësi në dhënien e materialit, por edhe e sidomos te fakti tjetër që, kur materiali nuk i përgjigjet realitetit, edhe studimi do të rrezikojë rezultate të gabuara, në mos të paqena.
Përshtypja ime është se literatura albanologjike, e prodhuar nga studiues që nuk e kanë njohur mirë shqipen, jo gjithnjë arrin t’i shmanget kësaj gracke; edhe pse sot alibia e mungesës së burimeve dhe të referencave nuk mund të funksionojë më. Dhe aq më të pafalshme janë gabimet që përcillen nga një vepër në tjetrën, teksa askush nuk merr mundimin t’i korrigjojë.
Edhe shembujt e sjellë nga Sasse, të cilat i përkasin një të folmeje të izoluar, periferike dhe të funksionalisht të kufizuar të arvanitikishtes në Greqi, por që monografia e lartcituar i përdor si shembuj të gramatikës së nyjës joshquese në shqipe, në fakt për shqipen nuk vlejnë (më).
Për shembull, arvanitikishtja e Sasse-s thotë Koça ja djaljë, çfarë autorët e përkthejnë (literalisht) si Koça is boy, dhe kjo u dëshmon se, në shqipe, një “cannot be used in contexts involving nouns in predicative use”; por në shqipen e sotme një po përdoret lirisht në kontekste që përfshijnë emra në përdorim predikativ, si:
Unë jam një mësuese nga Burreli.
Ky lloj përdorimi është ende fluid dhe i ndikuar fort nga gjuhë si anglishtja ose italishtja (I am a teacher from Burrel; sono un’insegnante… etj.); meqë edhe format paralele të tipit jam mësuese nga Burreli mbeten në përdorim. Por është fjala pikërisht për atë lloj zhvillimi në shqipe që do t’i kish ndihmuar autorët për ta kuptuar më mirë dinamikën e shtrirjes së nyjës joshquese një/un/ein etj. Në gjuhët europiane – me kusht që të kishin shkuar pak më tutje se Mundarte-t e Sasse-s dhe të ishin informuar.
Është për të ardhur keq që shkarje të tilla ndodhin akoma, në një kohë që në Universitetet e Europës Perëndimore shqipja studiohet gjerësisht – që nga Mynihu deri në Vjenë, pa folur për Romën, Napolin dhe universitetet e Italisë së Jugut; dhe pa folur as për traditën e konsoliduar të studimeve gjuhësore në Tiranë dhe në Prishtinë. Aq më tepër, në rrethanat kur sot të folmet e ngulimeve arbërore në Mesjetë, si në Greqi ashtu edhe në Itali, po studiohen seriozisht dhe gjerësisht për çfarë janë dhe çfarë përfaqësojnë (por jo si surrogato të gjuhës nga e cila janë ndarë) dhe në krahasim me trungun e shqipes ballkanike, nuk mund të pranohet që gjuha e këtyre ngulimeve – që me gjasë mund të jetë shkëputur tashmë nga shqipja e Ballkanit, për t’u klasifikuar si gjuhë më vete – të përfaqësojë shqipen, në vepra përgjithësuese me hije të rëndë akademike.
Burimi: Peizazhe të Fjalës
Add new comment