Në Velipojë ndodhi ajo që ka 30 vjet që ndodh kudo në Shqipëri
Ngjarja e djeshme në Velipojë ku mbetën katër viktima dhe pati të plagosur nuk ka ndonjë të re. Aty e re është emri i personave që siç raportohet kanë patur një konflikt për vendosjen e shezlongëve në hotelet në pronësi.
Nuk është e re, sepse ajo nëse i qëndron këtij versioni, është tipikisht ngjarja e tranzicionit shqiptar që përbën një shembull të atij konflikti civil të mbajtur nën suazën e kontrollit penal dhe kualifikimit si krim, por që në fakt është ndarja me dhunë e pronës.
Ne po dëshmojmë dështimin tonë më të madh pikërisht këtu: në ndarjen e drejtë të pronës që është çelësi i bashkëjetesës sociale. Shteti ndaj qytetarëve bën hile në formën e ligjeve pas ligjeve dhe VKM-ve që nuk ka jurist t’i kuptojë e zbatojë pa bërë ndonjë marifet, qytetarët me njëri-tjetrin dhe ndaj hapësirës publike tentojnë zaptimin. Dhe duke u mahisur ky tip sjelljeje ka prodhuar viktima dhe të pasuruar, është bërë modeli që ndiqet edhe brenda familjes, apo fisit.
Ne si shoqëri nuk po dijmë të vendosim rregull në një proces kaq të rëndësishëm dhe legalizimi I kishave apo xhamive flet për një kaos edhe moral. Për një mungesë autoriteti të ligjit në territor dhe për një banditim si strukturë të vepruari. Është thuajse e pamundur të depërtosh në labirintet e dokumentacionit pronësor të gjeneruar në këto 30 vjet pa dalë me dyshimin se këtu çdo gjë mund të rregullohet drejt, veç pronës jo.
Mirëpo ashtu si edhe Kodi Civil përmend “normat dhe zakonet e mira” si konsideratë për rregullimin e marrëdhënieve, edhe njerëzia, qoftë edhe këtyre anëve, do të duhet që të orientohej drejt një normalizimi të raporteve të bashkëjetesës që mund të arrihet vetëm nga një gjykim dhe arbitrim i drejtë.
Kjo nuk po ndodh as brenda familjes për arsye të asaj tahmaje që na zbulon se pas të ashtuquajturave marrëdhënie të sinqerta ka qenë përherë interesi. Dhe dritëshkurtësia. Sepse nuk mund të arrish deri në zaptim dhe cytje për sherr po nuk ishe i pasur me këtë virtyt të këtij soj kapitalizmi që hurin dhe armën e ka mjet drejtësie. Këto mjete dhe jo ligji po vendosin sinorët e rinj, sinorë që në vend se të jenë linja formale ndarëse për efekt fiskal, në fakt po rikrijohen si frëngji prej nga ky në fillim shihet me zili, inat e mllef e pastaj me dyfekun në dorë.
Përndryshe është e vështirë që në kohën që jetojmë të shpjegosh katër viktima për shezlongët, sikundër është e vështirë të kuptosh aksidentet rrugore që nuk kanë të sosur rrugëve të këtij vendi, edhe ato me zgëqe dhe kthina të personalizuara, apo me siguri në kufijtë e aventurës.
s.zaimi
Comments
mos harroni qe po flasim per
mos harroni qe po flasim per kriminele ordinere, investimet e te cileve rrjedhin gjak gjate gjithe viteve te egzistences. Askush qe kane uzurpuar prona publike dhe te bejne si te duan, nuk ka per te rene rehat aty.
Personalisht nuk dua kurre te kem te bej me kafshe/kriminele te tille. jo vetem per biznes ... por per cdo gje.
tashti na vjen keq se jane vrare me njeri tjetrin: po normal qe do grihen se asnje nuk ka kulturen e marjes se prones me regulla, dhe ashtu si e kane mare ashtu dhe do e mbrojne duke vrare.
po kush ju shkon ketyre ne hotelet qe i kane bere mbi rere vec kosovareve.
Ishalla zhduken si fise, do na i bejne me te lehte jeten ne shqiperi.
Heu bre
"legalizimi I kishave apo xhamive flet për një kaos edhe moral". Mos fol me, i ke thene te gjitha. Shkrimi me i mire qe kam lexuar. Do deshironja nje investigim total.
Add new comment