Pse nuk e trashëgojmë gjenetikisht moshën e prindërve?
Qelizat plaken bashkë me ne, duke akumuluar dëmet që pësojnë me kalimin e kohës. Por ajo që mbetet mister është se pse pasardhësit tanë nuk i trashëgojnë këto ndryshime.
“Kur lind, ti nuk trashëgon moshën e prindërve. Për disa arsye, e nis nga zero”, thotë Yukiko Yamashita, biolog në MIT.
Ekspertët dikur mendonin se qelizat që shërbejnë për riprodhim mund të jenë pa moshë. Por studimet kanë treguar shenja të plakjes në vezë dhe spermatozoidë, duke e rrëzuar këtë hipotezë. Kështu që studiuesit kanë hedhur idenë se këto qeliza mund ta "ristartojnë" moshën e tyre pas konceptimit, duke kthyer pas çdo dëmtim.
Në një studim të ri, shkencëtarët tregojnë prova që mbështesin pikërisht hipotezën e rinovimit. Si qelizat e miut, ashtu edhe ato të riprodhimit njerëzor, duket se e ripërcaktojnë moshën e tyre biologjike në fazat e hershme të zhvillimit të një embrioni. Një periudhë rinovimi që ndodh pasi një embrion është bashkangjitur në mitër vendos embrionin në rritje në moshën e tij më të re biologjike, të quajtur "ground zero", shpjegojnë studiuesit në Science Advances.
Të kuptuarit e këtij mekanizmi mund t’u japë studiuesve mundësinë të zhvillojnë trajtime për sëmundjet e lidhura me moshën, të tilla si artriti ose Parkinsoni. Në sëmundje të tilla, disa qeliza mund të bëhen jofunksionale për shkak të dëmtimit.
Studimi i embrioneve njerëzore në fazat më të hershme të zhvillimit është i ndaluar, kështu që nuk ka të dhëna plotësisht të ngjashme për njerëzit. Por studiuesit thonë se një proces i ngjashëm me minjtë ndodh edhe tek njerëzit.
Ky studim është thjesht hapi i parë dhe më shumë ngre pyetje sesa jep përgjigje. Disa nga pyetjet që mbeten ende pa përgjigje janë: Cili mekanizëm i shtyn qelizat të ristartojnë moshën e tyre? A ka gjene specifike që drejtojnë procesin? A mund të rinohen të gjitha gjallesat në këtë mënyrë?
Prof. Yamashita thotë se ka arsye për të qenë të kujdesshëm në interpretimin e rezultateve. Është e mundur që ndryshimet epigjenetike të jenë vetëm një fragment i historisë, kështu që mbështetja vetëm te ato mund të çojë në llogaritje të gabuara. Faktorë të tjerë të lidhur me moshën biologjike të një qelize, për shembull, përfshijnë nëse një qelizë ka shumë kopje të gjeneve specifike. Si rezultat, orët që matin ndryshimet epigjenetike mund të mos përcaktojnë saktësisht "nivelin zero" për qelizat e riprodhimit seksual.
Add new comment