Një Beket kanadez për Turqinë

Postuar në 23 Prill, 2021 17:34

Një kompani kanadeze do të çojë në arbitrazh shtetin turk për anulimin e një projekti, me argumentin se dëmton mjedisin. Alamos Gold është një kompani miliarda dollarëshe në Kanada, të cilës vitin e kaluar Turqia i anuloi lejen e një miniere në veriperëndim të vendit. Kompania tani kërkon 1 miliard dollarë dëmshpërblim.

Banorët e zonës ishin të parët që u ngritën kundër minierës së arit në Kirazli, me pretendimin se ajo do të dëmtojë pyjet. Puna ka nisur në vitin 2010 dhe që atëherë kanadezët pretendojnë se kanë investuar 250 milionë dollarë.

Ndërkohë, pala turke pretendon se kompania nuk ka aplikuar për leje mjedisore me licencë të rinovuar, brenda afatit.

Kompania “Alamos” me seli në Toronto ka dy filiale të regjistruara në Holandë, të cilat sipas disa ekspertëve janë të krijuara posaçërisht për qëllime tatimore dhe çështje arbitrazhi si kjo.

Alamos thotë se do ta çojë çështjen në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID), një organ në varësi të Bankës Botërore.

Sipas TRT, media turke në pronësi të shtetit, procedurat ligjore në këtë gjykatë arbitrazhi mbahen larg syrit të publikut dhe ndonjëherë vendimet e saj nuk bëhen as publike.

Sistemi i diskutueshëm lejon kompanitë shumëkombëshe të padisin qeveri të vendeve të ndryshme, por e anasjellta nuk mund të ndodhë.

ICSID ka qenë në qendër të vëmendjes në vitet e fundit për shkak të gjobave miliarda dollarëshe që ka vendosur në favor të firmave shumëkombëshe.

Vitin e kaluar, ICSID vendosi të gjobiste Pakistanin me 6 miliardë dollarë për anulimin e qirasë së minierave të bakrit dhe arit në provincën Balochistan. Vendimi u pa gjerësisht si i padrejtë, veçanërisht duke marrë parasysh që kompanitë - Barrick Gold e Kanadasë dhe Antofagasta e Kilit - nuk gërmuan për minerale.

Islamabadi e kundërshton atë vendim, i cili nëse zbatohet mund të dëmtojë rëndë ekonominë e vendit. Gjoba ka të njëjtën masë sa huaja që do t’i duhej Pakistanit ta kërkonte te FMN-ja për të shmangur një krizë të bilancit të pagesave.

Konventa ICSID u miratua në 14 tetor 1966, për të garantuar vendet e pasura të interesuara për investime në vendet në zhvillim. Por konventa nuk garanton që një vend ku po bëhet një investim do të lejojë domosdoshmërisht një gjykatë ICSID të arbitrojë në rast të prishjes së një mosmarrëveshjeje.

Ky hendek u plotësua me ato që njihen si marrëveshje bilaterale të investimeve (BIT) që qeveritë i nënshkruajnë për të promovuar investime private nga vendet e tjera.

Turqia dhe Kanadaja nuk kanë një BIT dhe kjo është arsyeja që Alamos po përdor filialet e saj holandeze për të çuar atje padinë.

Për më shumë se tre dekada, ICSID ka qenë pothuajse inaktive, pasi një numër i kufizuar investitorësh kanë kërkuar arbitrazh në të. Kjo filloi të ndryshojë në fillim të viteve 2000 dhe që atëherë ka pasur një rritje të vazhdueshme të kërkesave të arbitrazhit.

Ekspertët thonë se kjo vjen kryesisht për shkak se avokatët gjetën një boshllëk në marrëveshjet bilaterale të investimeve BIT, i cili lejon kompanitë të kërcënojnë dhe padisin qeveritë. Më shumë se 60 për qind e arbitrazheve të pranuara nga gjykatat e ICSID rrjedhin nga BIT.

Në rastet e mëparshme, arbitrat kanë marrë parasysh atë që një investitor mund të ketë fituar nga një projekt gjatë gjithë jetës së tij për të vendosur kompensimin.

Sistemi ISDS përballet me kritika për mosmarrëveshjet që përfshijnë shqetësimet e komuniteteve lokale dhe degradimin e mjedisit ku veprojnë këto kompani minierash.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.