Riinfektimi me SARS CoV-2, gjasat ndryshojnë në varësi të moshës
Rastet e infektimit me Covid për së dyti u shfaqën që në valën e parë të pandemisë, kur bota ishte ende në karantinë. Por pak të dhëna ka pasur në lidhje me këtë fenomen të përhapur në të gjithë botën. Studimi i parë i përmasave të mëdha që i jep përgjigje shkencore pyetjes mbi riinfektimin është botuar këtë javë në “Lancet”. Sipas studimit, pjesa më e madhe e njerëzve që kanë Covid-19 janë të mbrojtur nga riinfektimi për të paktën 6 muaj. Por ata që janë mbi 65 vjeç kanë më shumë gjasa të riinfektohen.
Për studimin u përdorën të dhënat e programit kombëtar të Danimarkës për testimin. Rezultoi që nga 4 milionë të testuar, vetëm 0.65% e tyre u riinfektuan.
Për moshat nën 65 vjeç, infektimi me Covid u jep 80% mbrojtje nga një infektim i dytë, ndërsa për ata më të mëdhenj se 65 vjeç, kjo mbrojtje ulet në 47%.
Shumë faktorë të tjerë mund të luajnë rol te Covid-19.
Shfaqja e varianteve të ndryshme është njëra prej tyre. Ri-infektimi me SARS CoV-2 është bërë një shqetësim i veçantë gjatë muajve të fundit në botë nisën të qarkullojnë variantet e reja të tij.
Një studim mbi efektin e vaksinës në Afrikën e Jugut - ku po qarkullon një variant që ekspertët thonë se është më ngjitës dhe mund t’i bëjë vaksinat aktuale më pak efektive - gjeti infeksione të reja në 2% të njerëzve që ishin infektuar më parë me një variant tjetër të koronavirusit.
Studimi i kryer në Danimarkë nuk shqyrtoi rolin e varianteve në infektimin për së dyti, duke pasur parasysh kornizën kohore të kërkimit.
Pra, ai nuk ofron ndonjë të dhënë nëse variantet e bëjnë më të mundshme që dikush sëmuret me COVID-19 më shumë se një herë.
Add new comment