Diplomaci pa hequr dorë nga interesat/Burgosja e Navalnyt nuk kushtëzon Nord Stream 2
Gjermania nuk duhet të heqë mbështetjen për projektin e gazsjellësit Nord Stream 2 nga Rusia, pavarësisht qëndrimit në lidhje me burgosjen e liderit të opozitës ruse. Armin Laschet, njeriu që ka më shumë shanse të bëhet kancelari gjerman i radhës, thotë se në politikë duhet të jesh realist.
"Ne duhet ta marrim botën siç është, në mënyrë që ta bëjmë atë më të mirë".
Laschet, i cili muajin e kaluar fitoi drejtimin e CDU-së, post të cilin për shumë vite me radhë e ka mbajtur Angela Merkel, thotë se diplomaci duhen parë edhe vlerat, edhe interesat.
"Moralizimi dhe parullat nuk janë politikë e jashtme", tha Laschet, i cili aktualisht mban postin e kryeministrit të shtetit gjerman të Nordrhein-Westfalen.
Intervista hodhi dritë mbi pikëpamjet e tij pak të njohura mbi çështjet ndërkombëtare.
I pyetur drejtpërdrejt nëse Gjermania duhet të ndryshojë kurs dhe të heqë dorë nga tubacioni i gazit natyror Nord Stream 2, Laschet u përgjigj:
“Për 50 vjet, madje edhe në periudhat agresive të Luftës së Ftohtë, Gjermania ka blerë gaz nga Bashkimi Sovjetik, tani nga Rusia. Qeveria gjermane po ndjek kursin e duhur”.
Gjermania po përballet me presion në rritje për të braktisur mbështetjen për Nord Stream 2 mbi çështjen Navalny. Nga brenda janë kundër Të Blertët - partnerë të mundshëm të koalicionit për CDU të Laschet - ndërsa jashtë vendit, presioni vjen nga Shtetet e Bashkuara dhe pjesa më e madhe e Evropës.
Alexey Navalny u dënua të martën me 3 vjet e gjysmë burg pasi gjykata e Moskës e shpalli fajtor për shkeljen e lirimit me kusht. Ai u arrestua më 17 janar, sapo u kthye në Rusi nga Gjermania ku u trajtua për disa javë pas helmimit me një agjent nervor.
Moska i ka kërkuar Perëndimit të qëndrojë larg çështjeve të saj të brendshme.
Laschet theksoi se ai kishte kritikuar sulmin ndaj Navalny dhe burgosjen e tij dhe gjithashtu mbështeti sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë mbi krizën e Ukrainës.
"Ne duhet të garantojmë interesat gjeopolitike të Ukrainës dhe të sigurojmë furnizimin tonë të energjisë përmes këtij projekti të sektorit privat", tha ai për Nord Stream 2.
Add new comment