Është koha të flasim më shumë me Rusinë sesa për Rusinë
Sot po udhëtoj drejt Moskës. Hera e fundit që një Përfaqësues i Lartë i BE-së vizitoi Rusinë ishte katër vjet më parë. Qëllimi kryesor i vizitës sime është të diskutoj çështjet që na shqetësojnë në lidhje me vendin dhe rolin e Rusisë brenda Evropës dhe angazhimin e saj në nivel ndërkombëtar.
Marrëdhëniet BE - Rusi janë përkeqësuar gjatë dekadës së fundit dhe, veçanërisht që nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë dhe Sevastopolit në vitin 2014, ato janë shenjuar nga mungesa e besimit. Sot, ne e shohim njëri-tjetrin si rivalë dhe konkurrentë dhe jo si partnerë.
Ne kemi mosmarrëveshje të forta kur bëhet fjalë për konfliktet e fqinjësisë, nga Ukraina dhe Bjellorusia, te Libia dhe Siria, dhe kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore. Helmimi i Alexey Navalny-t, arrestimi dhe dënimi i tij si pasojë, dhe arrestimi i mijëra demonstruesve gjatë ditëve të fundit janë sinjale të dhimbshme ngushtimit të hapësirës për opozitën, shoqërinë civile dhe zërat e pavarur në vend. Veprimet e Rusisë gjatë viteve të fundit nuk përputhen me angazhimet e saj as si anëtare e Këshillit të Evropës dhe as si shtet pjesëmarrës në OSBE. Le të kujtojmë se këto institucione janë në qendër të bashkëpunimit, paqes dhe sigurisë në Evropë.
Ne na duhet ndërveprim i sinqertë me Rusinë mbi gjendjen e marrëdhënieve tona. Qëllimi i diplomacisë është pikërisht angazhimi, përcjellja e mesazheve dhe përpjekja për të gjetur një bazë të përbashkët. Diplomacia është thelbësore kur punët janë keq. Kanalet tona të komunikimit duhet të jenë gjithmonë të hapura. Megjithatë, ne më shumë kemi folur për njëri-tjetrin (madje edhe për të kaluarën) sesa me njëri-tjetrin. Kjo vetëm përjetëson mosbesimin dhe pengon në zgjidhjen e sfidave që kemi përpara.
Ne duhet të jemi të qartë për shqetësimet tona. Në të njëjtën kohë, duhet të pranojmë se jemi të ndërlidhur ngushtë me fqinjin tonë më të madh, jo vetëm historikisht ose gjeografikisht. Bashkimi Evropian është ende partneri i parë tregtar i Rusisë dhe burimi i saj më i madh për investimet e huaja direkte. Studentët rusë janë më të shumtët në numër në një vend jashtë BE-së që përfitojnë nga shkëmbimet universitare Erasmus + dhe Rusia është vendi ku lëshohen më shumë viza Shengen. Lidhjet tona mbeten të rëndësishme në mënyrë reciproke.
Prandaj, ne duhet të ndjekim një qasje shumëplanëshe, siç pasqyrohet në paketën e parimeve udhëzuese të dakorduara nga BE për marrëdhëniet e saj me Rusinë. Ky do të jetë kuadri i referencës për vizitën time në Moskë. Ai përfshin angazhim selektiv për çështje në interes të BE-së, si dhe shtrirjen dhe mbështetjen e shoqërisë civile ruse. Dhe kjo nuk mund të bëhet përmes videokonferencës.
Përkundër gjithë kësaj, ka çështje ku ne mund të punojmë së bashku, dhe kur ta bëjmë këtë, ne mund të arrijmë rezultate. Shembulli më i mirë është Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit - Marrëveshja e Iranit, e cila është ende një nga gurët e themelit të arkitekturës globale të mospërhapjes së armëve bërthamore. Shumë kriza rajonale do të përfitonin nga mirëkuptimi nga afër dhe përpjekjet e përbashkëta të BE-së dhe Rusisë.
Sfidat globale të kohës sonë kërkojnë zgjidhje globale, duke filluar me pandeminë COVID-19. Na duhet më shumë bashkëpunim, transparencë dhe shkëmbim informacioni, jo më pak. Ne na duhet të luftojmë dezinformimin, i cili sidomos tani është veçanërisht i dëmshëm dhe mund të vërë në rrezik jetën e njerëzve. Ne kemi parë aktivitete në këtë fushë që vijnë nga Rusia.
Ne duam të angazhohemi më tej me Rusinë në sfidat e klimës. Ne mbështetemi në angazhimin e Rusisë për ta kthyer në sukses COP26 e Glasgout. Vetëm duke kapur mundësitë për një tranzicion të drejtë dhe të ndershëm për të gjithë ne, mund të ruajmë prosperitetin, ndërsa shpëtojmë planetin.
Së fundmi, ne duhet të trajtojmë kërcënimet dhe mundësitë e reja që shfaqen në sferën digjitale dhe hapësirën kibernetike. Ne kemi qenë dëshmitarë të shumë sulmeve kibernetike në të kaluarën e afërt, të cilat janë bërë simptomë e rivaliteteve të reja. Nga ana e BE-së, ne kemi qenë të qartë në angazhimin tonë për të zgjidhur me mjete paqësore mosmarrëveshjet ndërkombëtare në hapësirën kibernetike. Por kjo nuk do të thotë që ne nuk përgjigjemi. Ne kemi vendosur sanksione kundër autorëve të veprimtarive dashakeqe dhe nuk do të ndalemi me kaq, nëse do të jetë e nevojshme.
Në përputhje me Aktin Final të Helsinkit, stabiliteti në Evropë duhet të bazohet në bashkëpunim, respekt për integritetin territorial dhe sovranitetin e kombeve, dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. Angazhimi në dialog nuk do të thotë që të kthehemi te "biznesi si zakonisht", por duhet të gjejmë fusha të mirëkuptimit për të rindërtuar besimin në mënyrë progresive.
Unë do t’i informoj udhëheqësit e BE-së mbi rezultatin e vizitës sime në një debat të ardhshëm strategjik mbi marrëdhëniet BE-Rusi. Thelbësor mbetet garantimi i një drejtimi të qartë dhe unitetit në angazhimin tonë me Rusinë.
Në vitet ‘90, ne ëndërronim për një Evropë tjetër, ndërsa punonim të gjithë së bashku për t’u bërë ballë sfidave globale. Në vitin 2021, këto ëndrra fatkeqësisht nuk përputhen me realitetin. Megjithatë, ato duhet të vazhdojnë të na frymëzojnë dhe ne duhet të angazhohemi në realizimin e tyre.
*Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë
Burimi: Kathimerini
Add new comment