Operacioni "NEPTUN", fushata më e guximshme e dezinformimit gjatë Luftës së Ftohtë
Tre vjet më parë, në një ditë të ftohtë pranvere, u nisa për në Rockport, Massachusetts, një qytet i vogël në Kepin Ann, për t'u takuar me një dezertues nga blloku i dikurshëm sovjetik. Unë kasha udhëtuar për në Uashington DC, për të dëshmuar para Komitetit të Inteligjencës së Senatit për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale 2016, por kjo rrugë e re dukej interesante: Dezertori Ladislav Bittman dinte më shumë se kushdo tjetër për artin e errët të dezinformimit të Luftës së Ftohtë. Në fakt, një ish-shef i njësisë së fuqishme të dezinformimit të KGB-së i pati vlerësuar njëherë kujtimet e Bittman si një nga dy librat më të mire për këtë temë. Bittman më priti në derë. Ishte një burrë tullac me fytyrë të mprehtë dhe sy rinorë. Hymë në një dhomë të qetë të shtruar me dru. Ajo ishte ngjitur me studion ku bënte piktura moderniste.
Para largimit të tij në 1968, Bittman ishte major në StB, agjencia e sigurimit të shtetit të Çekosllovakisë. Ai shërbeu në një kohë kur Bashkimi Sovjetik dhe republikat e tij satelite po hynin në atë që ai e quan "një epokë e re e lojërave sekrete dhe intrigave kundër botës jo-komuniste". Agjencitë e inteligjencës lindore, njësoj si homologët e tyre në Perëndim, kishin besuar prej kohësh se roli i tyre kryesor ishte mbledhja e informacionit; por të gjetur në një luftë të pafund ideologjike me demokracinë liberale, ata filluan të shohin vlerë reale në përhapjen e dezinformimit, në minimin e shoqërive perëndimore me ato që ata i quajtën "masa aktive". Bittman ishte zv.shefi i Departamentit 8, i cili specializohej në këto "marifete të ndyra", siç i ka përshkruar vetë njëherë ato në një mbledhje kongresi.
Duhej një lloj i caktuar njeriu që të punonte në dezinformim, në të dy anët e Perdes së Hekurt. Të dalloje dobësi në shoqëritë kundërshtare, të shihje ndarje dhe tensione politike, të njihje trauma historike të shfrytëzueshme dhe pastaj të “farkëtoje” një broshurë ose letër - e gjithë kjo kërkonte oficerë me mendje të pazakontë. Bittman ishte një prej tyre; ai ishte i mprehtë, metodik dhe i pëlqente rreziku. “Truku, - tregon ai, - ishte të përziheshin detajet e sakta me ato të falsifikuara, sepse që dezinformimi të jetë i suksesshëm duhet "të paktën pjesërisht të korrespondojë me realitetin, ose me pikëpamjet e pranuara përgjithësisht".
Ndërsa qëndroja ulur me të në Rockport, kuptova se ai kishte qenë shumë i përshtatshëm për punën: Dëgjonte me kujdes, pushonte shpesh për të menduar dhe fliste me maturi. Kujtesa dhe vëmendja e tij ndaj detajeve ishin befasuese – veçanërisht sa i përket një prej arritjeve për të cilën ishte më krenar: një masë aktive e quajtur Operacioni NEPTUN.
Katër vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, publiku u tërhoq nga thashethemet se nazistët i kishin fshehur disa nga thesaret e tyre të vjedhura, përfshirë shufra ari, në fund të liqenit Toplitz në Alpet Austriake. Një ekspeditë gjashtë-javore e financuar nga qeveria në 1963 nuk zbuloi ar, por një lloj tjetër thesari - 12 arka me monedha britanike të falsifikuara nga nazistët, dy arka me pllaka shtypi të falsifikuara dhe pulla të ndryshme false. Miti mjaftonte për të mbajtur gjallë kuriozitetin: Ku tjetër mund ta kishte fshehur Hitleri plaçkën e tij?
Në prill 1964, disa muaj pasi Austria i ndërpreu kërkimet e saj, producentët e televizionit çekosllovak “Curious Camera” vendosën të bëjnë një ekspeditë të ngjashme në vendin e tyre. Ata dërguan një ekip zhytësish dhe një ekip filmi dokumentar në Pyllin Bohemian – diku në gjysmën e rrugës midis Mynihut dhe Pragës dhe pothuajse direkt në kufirin midis Lindjes dhe Perëndimit – në dy liqene aty pranë, Liqeni i Djallit dhe Liqeni i Zi. Gjatë luftës, Wehrmacht dhe njësitë SS kishin zënë një vilë me pamje nga Liqeni i Zi, që më vonë ishte djegur. Në zone flitej se ujërat e liqenit mund të fshihnin një sekret të errët.
Producentët kërkuan miratimin e qeverisë për të bërë kërkime në liqen, që do të thotë se Ministria e Brendshme e Çekosllovakisë ishte në dijeni të gjithçkaje që nga fillimi – dhe kështu, më vonë edhe Departamenti 8. Bittman, i cili qëlloi që ishte një zhytës i certifikuar sportiv, iu bashkua ekipit televiziv, duke u paraqitur si zyrtar miqësor i ministrisë. Ai mori pjesë në eksplorimin fillestar në fund të Liqenit të Zi. Tri ditë më vonë, ai u dërgoi një memo eprorëve të tij, në të cilën detajonte atë që më vonë do të bëhej operacioni NEPTUN.
Në memo, Bittman shpjegoi se gjatë zhytjes kishte hasur "gjetje të rëndësishme" – një kuti metalike e bashkuar e ngulur në baltë gati 40 metra poshtë. Departamenti 8, sugjeroi ai, mund ta shfrytëzojë publicitetin që do të pasojë gjetjet duke vendosur kuti të tjera në shtratin e liqenit. Ato mund të mbusheshin me dokumente autentike naziste, përfshirë listat e informatorëve të kohës së luftës, të cilat mund të plotësoheshin me disa falsifikime të zgjuara. Duke pasur parasysh "romantizmin e lidhur me Liqenin e Zi dhe Liqenin e Djallit dhe mënyrën se si do të zbulohen këto materiale", shkroi ai në propozimin për NEPTUN, historia "do të jetë tërheqëse për një game të gjerë lexuesish, veçanërisht në Perëndim”.
Siç kishte planifikuar Bittman, operacioni do të arrinte disa qëllime politike. 20-vjetori i dorëzimit të Rajhut të Tretë ishte një vit larg, dhe sipas kodit penal të Gjermanisë Perëndimore, përgjegjësia për vrasjet e kryera gjatë luftës do të skadonte atë ditë. Disa ish-nazistë të moshuar ende kishin pozicione ndikimi dhe Departamenti 8 ishte i shqetësuar se akuzat kundër tyre për veprime të këqija gjatë luftës – si të vërteta, ashtu edhe të rreme - do ta humbnin shpejt avantazhin e tyre. (Shantazhi, në fund të fundit, është një mjet i fuqishëm për rekrutimin e spiunëve.) NEPTUN do t'i mbante ato akuza në këmbë para syve të publikut, shkroi Bittman, duke turpëruar zyrtarët e lartë të Gjermanisë Perëndimore dhe duke inkurajuar "tendencat kundër saj". Operacioni gjithashtu mund të kishte ndikim brenda BND, agjencia e spiunimit e Gjermanisë Perëndimore. Nëse, siç supozonte StB, shumë informatorë që kishin punuar me nazistët ende informonin për BND, rrjedhja e informacionit do t’ia vështirësonte shumë punën agjencisë.
Ministri i Brendshëm i Çekosllovakisë e miratoi me shpejtësi propozimin e Bittman dhe Departamenti 8 nisi studimin duke u zhytur në Liqenin e Zi. Qëllimi nuk ishte të gjente një thesar, por të fshihte një të tillë. Brenda gjashtë javësh, StB kishte planifikuar me kujdes shumicën e aspekteve të operacionit. Kishte marrë mostra uji; bleu pajisje të reja zhytjeje, përfshirë matësit e thellësisë dhe tavolinat e dekompresimit; kishte detajuar procedurat e sigurisë; kishte shënuar vendin e duhur në shtratin e liqenit; dhe kishte përcaktuar një afat kohor për të gjithë procedurën. Megjithatë, një aspekt i planit të Bittman kishte hasur një pengesë: çuditërisht, dokumentet naziste ishte e vështirë të gjendeshin.
Nuk do t’u hynte në punë çfarëdo dokumenti i vjetër. I duhuri detyrimisht duhej të ishte i vlefshëm për shtypin - i bujshëm, në mënyrë ideale - dhe përmbajtja e tij duhej të ishte e panjohur për historianët dhe publikun e gjerë. Një grup oficerësh të Departamentit 8 kishin kërkuar në arkivat çekosllovake, por pa dobi. Përfundimisht, Bittman kërkoi ndihmë nga këshilltarët e tij në KGB. Moska doli me ofertën për të nisur një dërgesë të dokumenteve origjinale naziste në Pragë. Dorëzimi, megjithatë, do të kërkonte pak kohë.
Departamenti 8 vendosi të vazhdojë përpara me planin. Oficerët çekë mbushën katër kuti prej druri me fletë të bardha letre, e lyen sipërfaqen e kutive me ngjyrë të gjelbër në mënyrë që të dukeshin dy dekada më të vjetra, i vulosën, i veshën me asfalt, u ngjitën një peshë të rëndë dhe i ngarkuan në një GAZ Sovjetik kamion. Natën e vonë të 19 qershorit 1964, GAZ-i u nis nga Praga, i ndjekur nga një makinë civile me katër pasagjerë: Josef Houska, shefi i Inteligjencës së Jashtme Çekosllovake; Jiří Stejskal, shefi i Departamentit 8; Bittman, zëvendësi i Stejskal; dhe një këshilltar i KGB-së. Në një moment gjatë udhëtimit, kujton Bittman, ai i hodhi një vështrim shefit të shefit të tij, Houska, i cili dukej i shqetësuar; Bittman e dinte që nëse operacioni dështonte, karriera e Houska-s do të mbaronte.
Grupi arriti në Liqenin e Zi në dy të mëngjesit. Ata vendosën një gomë në sipërfaqen e ujit dhe e ngarkuan me katër kuti. Bittman dhe një zhytës tjetër kontrolluan pajisjet; veshën kostumet e lagura, maskat dhe pajisjet e oksigjenit u zhytën. Dukshmëria ishte rreth 65 metra. Ndërsa po zbriste, partneri i Bittman humbi njërën nga pjesët e kostumit të zhytjes. Të nervozuar në lidhje me provat që mund të kishin lënë pas, ata vazhduan duke drejtuar një llambë drejt fundit të liqenit dhe gjetën shpejt vendin e përcaktuar, ku balta ishte e cekët. Bittman i vendosi kutitë atje dhe i mbuloi ato lehtë me baltë. Gjatë ngjitjes, ai dalloi pjesën e humbur dhe e kapi atë. Para se të shkonte ora 5:00 e mëngjesit, ekipi kishte mbaruar punë dhe ishte larguar.
Më pas erdhi zbulimi i dokumenteve. Ekipi i Curious Camera nisi kërkimin në Liqenin e Djallit, pak më shumë se një milje në jug. Për habinë e StB, ekipi në të vërtetë gjeti aty eksplozivë të mbytur, të cilët më vonë u shpërthyen në një livadh aty pranë, duke krijuar një re tymi të zi dhe një krater të thellë. Departamenti 8 ishte i kënaqur: Drama e papritur, supozohej se do t’u shtonte besueshmëri hileve të Liqenit të Zi.
Gati një javë më vonë, ekipi i televizionit më në fund i gjeti kutitë e fundosura. Liqeni i Zi u mbyll për publikun. Fotografët morën fotografi të sendeve të gjetura, të cilat shpejt u transportuan me autokolonë në Pragë. Një ekip inxhinierësh të qeverisë, të cilët nuk ishin në dijeni të mashtrimit, skanuan kutitë me rreze X dhe i vendosën në një gropë, të krijuar për të ofruar mbrojtje nga një shpërthim i mundshëm nëse kutitë do të kishin eksploziv. Pastaj, duke përdorur një sistem rrotullues, inxhinierët i hapën kutitë, duke i lënë të paprekura zarfet të paprekura.
Në një memo të hollësishme, inxhinierët arritën në përfundimin se mënyra e ruajtjes së dokumenteve tregonte për "punë të shpejtë dhe të improvizuar" të bërë nga dikush pa mjete serioze teknike - saktësisht siç pritej për "një ushtri në tërheqje e sipër". Sipas një njoftimi për shtyp të qeverisë të datës 16 korrik, ata ia dërguan kutitë "një grupi ekspertësh" për analiza të mëtejshme. Ditën tjetër, Associated Press dhe disa gazeta të mëdha evropiane e raportuan historinë dhe lindi miti i Liqenit të Zi.
Pasi kishin kaluar pothuajse dy muaj, Moska ende nuk i kishte dërguar me postë në Pragë dosjet e premtuara. Ministria e Brendshme duhej të vepronte. Në fund të gushtit, ajo njoftoi se një konferencë shtypi ndërkombëtare e pritur me padurim do të mbahej më 15 shtator. Bittman dhe kolegët e tij po bëheshin gjithnjë e më nervozë. Më në fund, pesë ditë para konferencës për shtyp, një i dërguar rus arriti në selinë e StB me disa thasë plot me dokumente naziste - gati 30 000 faqe në total. (Këto të dhëna i kam marrë nga Arkivi i Shërbimeve të Sigurisë Çeke gjatë hulumtimit për librin tim të ardhshëm, “Masat Aktive”).
Analistë të inteligjencës, të përzgjedhur me kujdes, i morën në shqyrtim dokumentet, duke u përpjekur të gjenin materialin që mund ta përdornin. Sovjetikët pretenduan se të gjitha ishin origjinale, por Departamenti 8 dyshoi se disa mund të ishin të falsifikuara. Disa dokumente kishin shënime cirilike të shkruara me dorë në cepa, gjë që e bëri të pamundur të përdoreshin në operacion; por kjo ndihmoi për t’i bindur analistët çekë se dosjet ishin autentike, sepse asnjë falsifikues i KGB nuk do të shtonte shënime cirilike në një memo të rreme SS.
Ekipi i Bittman zgjodhi rreth 160 faqe. Dokumentet më të bujshme zbuluan detaje mbi sjellje të ndryshme naziste. Kishte materiale të reja në lidhje me një puç të dështuar në Austri në 1934 dhe rreth agjentëve të SS që spiunuan aleatët e tyre fashistë italianë. Një dosje sekrete, e quajtur "Plani S", përshkruante "aktin më të madh të sabotazhit në botë": Një gjeolog nazist propozoi të hapte një vrimë shumë të thellë pranë Calais, të hidhte një ngarkesë shpërthyese në të dhe në këtë mënyrë të shkaktonte një tërmet të madh në kanalin anglez. Aspirata ishte që të zhytej një pjesë e Londrës, së bashku me pjesë të Anglisë së Jugut, ku forcat aleate ishin grumbulluar për sulm - dhe më pas të mos i tregonin askujt për këtë. ("S" në "S-Plan" kishte kuptimin "fundosje" - sink.) Çekët kontribuuan me disa dokumente naziste, veçanërisht në dëbimin me forcë dhe vrasjen e një numri të madh hebrenjsh nga Bohemia dhe Moravia e pushtuar nga gjermanët. Plani fillestar i Departamentit 8 ishte që NEPTUN të mos merrte parasysh vetëm dokumentet autentike, për të mundësuar falsifikime të besueshme vijuese në operacionet e mëvonshme që kishin në shënjestër zyrtarët e lartë të Gjermanisë Perëndimore.
Më 15 shtator, Ministria e Brendshme mbajti konferencën e shumëpritur për shtyp në Pragë. Ministri foli me detaje për rreth një orë. Diplomatët dhe oficerët e inteligjencës çekosllovake, duke u përpjekur të keqpërdorin Gjermaninë Perëndimore, ndanë në mënyrë konfidenciale dokumente me ambasadat e SHBA, britanike, franceze dhe holandeze, së bashku me Qendrën e Dokumentimit Hebre të Simon Wiesenthal në Vjenë, duke ndihmuar kështu që të bëhej njëfarë publiciteti ndërkombëtar.
STB shpejt arriti në përfundimin se falsifikimi në liqen kishte qenë një sukses spektakolar. Në mars të vitit 1965, Houska raportoi në një memo drejtuar ministrit të Brendshëm, 25 artikuj ishin botuar në shtypin italian, 18 në Gjermaninë Perëndimore dhe shtatë në Austri; mbulimi u shtri gjithashtu në Britani, Francë, Zvicër, Belgjikë, Amerikën Latine, Afrikë dhe Shtetet e Bashkuara. Parlamenti i Gjermanisë Perëndimore, mburrej Houska, ishte duke u përplasur "nën presionin e përgjithshëm të publikut që ne shkaktuam", dhe së shpejti do të zgjaste parashkrimin e krimeve të luftës. Për më tepër, shkroi ai, "ne patëm sukses në provokimin dhe mbështetjen e tendencave dhe sentimentit kundër Republikës Federale të Gjermanisë". Dhe së fundmi, shtoi ai, "mund të supozohet" se StB "disi prishi" inteligjencën e Gjermanisë Perëndimore. KGB dukej se ishte dakord. Disa muaj më vonë, vetë kreu i Drejtorisë së Parë i shkroi një letër Houska-s, të cilit i thoshte se NEPTUN kishte pasur "një efekt të rëndësishëm politik".
Megjithatë, kishte pak prova aktuale për ato pretendime aq të forta. Parlamenti e zgjati me të vërtetë statutin e parashkrimit për krimet e luftës, por NEPTUN pak rol mund të ketë luajtur. Pranimi i të kaluarës së errët të Gjermanisë ishte një proces gjigant, i gjatë me dekada si proces. Po kështu, të provosh çdo efekt të rastësishëm në imazhin e Gjermanisë në Perëndim mbetet e vështirë.
Është shumë më e lehtë, në prapavijë, të shohësh mangësitë e NEPTUN. Shumë pak në Ministrinë e Brendshme ishin në dijeni të manipulimit që u bë. Pjesa më e madhe e qeverisë, agjencia zyrtare e shtypit dhe publiku, si dhe blloku i gjerë sovjetik, ishte më i dezinformuar sesa kundërshtari. Më keq akoma, StB nuk mund të përjashtonte as mundësinë që ishte vënë në lojë nga KGB.
Kur vizitova Bittman në Rockport, e pyeta se si filloi t’i maste efektet e valëve të një operacioni dezinformimi. "Nuk mendoj se është e mundur të matet saktësisht, realisht, ndikimi", më tha ai. Në rastin e NEPTUN, pranoi ai, "ekziston mundësia teorike që një pjesë e materialit të ishte falsifikuar nga ekspertët sovjetikë". Ai kujtoi se ishte ulur në zyrat e Departamentit 8 me pamje nga lumi madhështor Vltava diku pasi përfundoi “stuhia” e Liqenit të Zi. Ivan Agayants, kolonel në KGB, ishte atje, duke shfletuar një grumbull të madh gazetash. "Ndonjëherë habitem sa e lehtë është t’i luash këto lojëra", kujton Bittman thënien e Agayants. "Nëse ata nuk do të kishin lirinë e shtypit, ne do të na duhej ta shpiknim për ta."
Përgatiti për ResPublica: Gazmira Sokoli
Add new comment