Në kërkim të partnerëve të rinj tregtarë
Një vit pasi doli nga BE-ja, Britania është në kërkim të partnerëve tregtarë. Partneriteti Trans-Paqësor është marrëveshja në të cilën Londra kërkon të anëtarësohet.
Sekretarja e Tregtisë Ndërkombëtare, Liz Truss, pritet ta zyrtarizojë të hënën kërkesën drejtuar Japonisë dhe Zelandës së Re. Negociatat pritet të fillojnë gjatë muajve në vijim dhe nëse finalizohen, Britania bëhet vendi i 12-të që i bashkohet këtij grupi.
Qeveria britanike synon që me anëtarësimin në këtë traktat të thellojë lidhjet me ekonomitë me rritje të shpejtë, si Meksika, Malajzia dhe Vietnami.
Kina dhe SHBA-të nuk janë pjesë e kësaj marrëveshjeje.
Me anëtarësimin në të, Britania përfiton tarifa më të ulëta për ekonominë e saj. Qeveria thotë se falë këtij partneriteti do t’i hiqen tarifat për 95% të mallrave të tregtuara midis anëtarëve.
Anëtarësimi në Marrëveshjen e Trans-Paqësorit nuk është e njëjtë me marrëdhënien që Britania ka pasur me shtetet e tjera si anëtare e BE-së, pasi nuk përfshin integrim të thellë politik.
Tregtia e Britanisë së Madhe me partneritetin arriti vlerën 111 miliardë paund (rreth 152 miliardë dollarë) në vitin 2019, rreth një të katërtën e të cilës e zë ajo me Japoninë. Megjithëse e konsiderueshme, shuma është rreth gjashtë herë më pak sesa tregtia e Britanisë së Madhe me BE-në.
Në fund të vitit të kaluar, qeveria britanike nënshkroi një marrëveshje të tregtisë së lirë me BE-në, sipas të cilës do të aplikohen tarifa zero dhe kuota për mallrat e tregtuara, megjithëse ka kosto të tjera për biznesin nga rritja kontrolleve doganore.
Add new comment