Injorimi i shoqërisë dhe të vërtetave si model qeverisës

Postuar në 03 Janar, 2021 13:37
Agim Baçi

 

Rod Phillips, 55 vjeç, ministër i Thesarit në Ontario të Kanadasë, dha dorëheqjen dy ditë më parë nga posti i tij pasi, teksa ishte me pushime, kishte lënë të publikoheshin disa video që e paraqiste duke punuar apo duke iu drejtuar bashkëqytetarëve që të kishin kujdes gjatë pandemisë.  Imagjinoni se sa pak zyrtarë shqiptarë, duke nisur që nga kryeministri, ministra apo kryebashkiakë, do të mbeteshin ende në zyrat e tyre nëse do të kishim një standard të tillë vlerësimi moral të sjelljes së pushtetarëve, si në rastin e zyrtarit kanadez. Shumëkujt mund t’i kujtohet kur disa kohë më parë kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj, u paraqit përmes provave të dokumetuara se kishte kaluar më shumë se gjysmën e muajit jashtë vendit, ndërsa në të njëjtën kohë shfaqej në TV-të e ndryshme duke prerë shirita apo duke promovuar punët që xhiron me “televizionin e tij bashkiak”. Ai madje nuk u shqetësua as kur u publikuan edhe gënjeshtrat lidhur me ato që ai i shfaqte “çmime ndërkombëtare”, të cilat vetëm ai dhe stafi i tij mund t’i quante të tilla.

Në fakt ai e kish kaluar këtë “kufi turpi” që në fillim të pjesmarrjes së tij në qeverisje kur deklaroi se dasmën në Kalanë e Gjirokastrës e pagoi me pensionin e mamasë – një gënjeshtër pra një dhe tallje e hapur për këdo që kishte “dy pare mend”. Ndërkohë, as nuk mund të merret me mend, në një vend normal, mbrojtja që kryeministri Rama i bëri ish-kryebashkiakut të Kavajës, Rroshi, apo edhe shumë të tjerëve që ikën nga parlamenti apo bashkitë për shkak të ligjit për dekriminalizimin – pra me të shkuar kriminale apo të lidhur me krimin. Por këto duken shaka për një kryeministër që ngulmon për të festuar hapjen e negociatave me BE-në edhe pse nuk kishte asnjë ftesë në horizont. Madje më keq – do të kishim zgjerim të listës së kushteve që duhej të plotësonim. Por, me këmbëngulje, kryeministri ynë vijoi herë të deklaronte se “ftesa ishte marrë”, herë të akuzonte kundërshtarët politikë se u ishin imponuar europianëve për të na bllokuar.  Imagjinoni më pas edhe udhëtimet e pajustifikuara të ministrit Ahmetaj që as me para personale, as me para qeveritare nuk arrin askush t’i justifikojë, apo edhe skandale të tjera publike të zyrtarëve, por të mohuara gjithnjë me këmbëngulje nga kryeministri Rama.

Por a janë të rastësishme këto gënjeshtra kaq haptazi? Siguria në komunikim për të mbrojtur gënjeshtrat, edhe pasi këto janë faktuar, tregon se përdoruesit e saj e konsiderojnë të vërtetën si një nocion psikologjik, jo teorik, e aq më pak praktik. Për to pra e rëndësishme është sa bindës i nxjerr ekrani kur kundërshtojnë faktet e dala në publik, ose kur sajojnë të reja, dhe jo sa të vërteta janë ato që thonë mediat dhe që prek vetë publiku. Një gënjeshtër kaq e trashë, në fakt, nuk është edhe kaq e thjeshtë për t’u shpjeguar, nëse nuk arrijmë të kuptojmë më parë se ku mbështetet siguria e tyre. Sipas njërit prej sociologëve të komunikimit, Jean Baudrillard, një siguri e tillë mbështetet tek ideja e disa politikanëve se masat shoqërore janë pasive dhe se shpesh nuk arrijnë ta kuptojnë manipulimin e së vërtetës. “Politikanët që mendojnë se turma është e verbër, pa interes, besojnë më pas se vullneti i tyre është ligj, ndërkohë që sondazhet, apo komunikimin mediatik, e kanë për të krijuar një model, një simulim, e jo për të shpjeguar të vërtetat”, shprehet Baudrillard në librin e tij Nën hijen e shumicave të heshtura

Për Ramën e Veliajn, të cilët kanë kohë që kanë nisur fushatën për zgjedhjet e 25 Prillit të këtij viti, strategjia mund të shkojë drejt ngritjes së “uzinës së ëndrrave” për shkak se ata besojnë fort te “apatia e masave”. Për to ka rëndësi të fabrikojnë idenë e një shumice përballë së cilës nuk do të bëjnë dialog, por thjesht do të simulojnë, do të krijojnë një realitet virtual gënjeshtra apo me gjysmë të vërteta. Për zbatimin e kësaj strategjie manipulimi të turmës, Rama nuk bën kurrë dialog politik, por preferon talljen, si një model për të shtuar memecerinë e atyre që ka përballë, më qëllim që askush të mos i kërkojë llogari për ato që ka thënë e që nuk i ka bërë.

Kushdo që ka ndjekur “seancat e talljes”që Rama u bënte bashkëdëgjuesve të tij, në salla apo në fushë të hapur fshatrash, ka të drejtë të besojë se Rama ecën me bindjen se qytetarët janë ca dele të trasha që as nuk kuptojnë, e për më tepër, as nuk dinë të reagojnë kur ndaj jetës së tyre faktohet ndonjë gënjeshtër banale dhe perverse. Por, ajo që është trishtuese është fakti se si Rama ka mundur të kalojë në një memecëri të plotë Partinë Socialiste, e cila kohë më parë krenohej pikërisht me dialogun e brendshëm. (Për të kuptuar nivelin e memecërisë në PS-në e sotme, mjafton të kujtojmë se ministri Blendi Çuçi e mori vesh në një takim, nga ambasadori i BE-së, Soreca, se ishte propozuar për të zëvendësuar Sandër Lleshajn në krye të Ministrisë së Brendshme. Pra Rama refuzon edhe t’i njoftojë edhe formalisht bashkëpunëtorët e tij për një gjë kaq të rëndësishme edhe për vetë personin, e jo më pastaj të japë llogari përpara PS-së!!!!).

Duhet ta pohojmë se vjedhjet apo gënjeshtrat nuk ekzitojnë vetëm për qeveritarët shqiptarë, por ama, kur ndodh që të zbulohen, si në rastin e zyrtarit kanadez, apo edhe shumë raste të njohura në botë, zyrtarët të paktën dorëhiqen apo shkarkohen, dhe nuk i mbron më askush, përveç avokatëve. Ndërsa këtu heshtet, duke treguar rrezikun e madh se vjedhësit dhe gënjeshtarët e pushtetit jo vetëm se nuk janë më të ndëshkueshëm, por janë të admirueshëm dhe model për qeverisjen.

Por heshtja përballë së keqes na bën të gjithëve fajtorë, pasi krijon rrezikun më të madh shoqëror duke dhënë idenë se të jesh i ndershëm është e kotë. Dhe heshtja e vetë socialistëve ndaj “Rilindjes së Ramës” lidhur me gënjeshtrën dhe injorimin e shoqërisë si faktor, i bën ata po aq fajtorë sa praktikuesit e gënjeshtrës. Fundja, ajo që ne mbrojmë përbën edhe thelbin tonë, pasi askush nga ne nuk mund të jetë ndryshe nga ajo që mbron, qoftë edhe duke heshtur.

Burimi: Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.