Eksperti i GRECO: Korrupsion në nivele të larta. Vettingu në polici, problematik
Korrupsioni në Shqipëri vijon të mbetet një çështje kryesore, jo për shkak të mungesës së kuadrit ligjor, por si pasojë e moszbatimit të ligjeve. Një ditë pas publikimit të raportit të Grupit të Shteteve të Këshillit të Europës Kundër Korrupsionit për Shqipërinë, eksperti i GRECO, Stephane Leyenberger, thotë në një intervistë për TvT se duhen zbatuar në praktikë mekanizmat që frenojnë korrupsionin në nivel të lartë.
“E dimë që korrupsioni është çështje kryesore në Shqipëri. Edhe autoritetet publike janë të ndërgjegjshme për këtë. Mendoj se gjërat do të evoluojnë edhe më shumë se tani kur autoritetet publike të jenë të gatshme të kalojnë nga kuadri ligjor që ekziston, tek zbatimi. Çështja kryesore është të zbatohet në përditshmëri kuadri ligjor për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit”.
Qeveria, sipas tij, duhet të rrisë më shumë transparencën dhe ministrat duhet të garantojnë shmangien e konfliktit të interesit.
"Sa i përket korrupsionit në nivele të larta, kuadri ligjor është shumë kompleks, ai duhet të thjeshtohet dhe zbatohet. Kjo mund të realizohet në çdo kohë, ministrat, këshilltarët duhet të garantojnë integritetin e tyre dhe të shmangin konfliktin e interesit. Duhet më shumë transparencë nga ana e ministrave. Kjo realizohet përmes një komunikimi të hapur të këtyre institucioneve.”
Leyeneberger konfirmon shqetësimin e ekspertëve të GRECO-s për mënyrën si po zbatohet procesi i vetingut në Policinë e Shtetit.
“Mund të ketë ndikim negativ tek disa prej punonjësve më të mirë të policisë. E rëndësishme është të mos dobësohet policia. Duhet një vlerësim i rrugës që punonjësit e policisë po ndjekin në karrierën e tyre dhe jo një vlerësim të vetëm.”
Eksperti i GRECO shpreh habi, sa i përket funksionimit të Illyrian Guard, duke ngritur pikëpytjet për transparencën e kësaj shoqërie, e cila është 100% në pronësi të shtetit dhe ofron shërbime sigurie të paguara për palët e treta.
“Ishim të surprizuar, që një kompani private, zotërohet 100% nga Ministria e Brendshme dhe ofron shërbime të sigurisë. Greko këmbëngul që ky system duhet t’i nënshtrohet rregullave strikte, të ndalohet korupsioni dhe keqpërdorimi i kësaj shoqërie.”
Add new comment