Radhë edhe te Morgu i Tiranës
Kjo ka qenë situata në morgun e Tiranës këtë të diel.
“Doli një polic atje dhe tha do jetë me radhë. Këtu vijnë një nga një dhe futet ai që është më i fortë,” shprehet një qytetar që priste pranë morgut.
Familjarë të personave që kanë ndërruar jetë nga Covid 19 përplasen për radhën e tërheqjes së trupave nga morgu. Madje për të evituar kaosin është dashur edhe ndërhyrja e policisë. Qytetarët shprehen për Tvt se për shkak të mosinformimit nga ana e morgut iu ka kaluar dhe ora për procedurën e varrimit të të afërmve që kanë ndërruar jetë nga Covid-19.
“Kam që dje në 5 e gjysmë. Kam nipin këtu, s’e kam marrë akoma. Kam fjetur te stolat dhe sot akoma s’e kam marrë. Nuk më informon askush. Më thonë 5 minuta, 5 minuta që dje. Kam varrimin në 3 por unë s’e kap dot,” shprehet një tjetër qytetar.
Në prani të kamerave, një efektiv policie mundohet të komunikojë me punonjësit e morgut për të sqaruar radhën.
“Futu dërgo rrobat. Një person të lutem, një person,” shprehet polici që lejoi të futet qytetari, i cili ishte në radhë që dje.
Përveç qytetarëve që prisnin me orë të tëra, kishte dhe punonjës të agjencive funerale duhet të tërhiqnin trupat nga morgu në oraret e caktuara në urdhrin e punës.
“Më kërkojnë para shtesë për oraret që mbajmë. Nuk na lënë të futemi sipas radhës,” - shprehet një prej punonjësve të agjencive funerale.
Teksa situata në morg është e mbingarkuar, institucionet ia kalojnë përgjegjësinë njëri-tjetrit duke mos dhënë shpjegime për kaosin e krijuar. I kontaktuar nga TvT drejtori i morgut, Bledar Xhemali, tha se është në kompetencën e Qendrës Spitalore Universitare të japë sqarime për çdo problem që lidhet me viktimat nga Covid 19.
Add new comment