Lojëra spiunazhi, krijohen “akuj” në marrëdhëniet Suedi-Zvicër
Edhe pse kanë kaluar tre dekada që nga rënia e Murit të Berlinit, mosmarrëveshjet mes Suedisë dhe Zvicrës tregojnë se historitë me spiunazh të Luftës së Ftohtë kanë ende potencialin për t’i acaruar marrëdhëniet diplomatike në Evropë.
Fundjavën e shkuar, ministrja e Jashtme suedeze, Ann Linde, anuloi një takim me homologun e saj zviceran, Ignazio Cassis. Takimi ishte planifikuar për këtë muaj pasi Zvicra vendosi një ndalim eksportesh për Crypto International, një kompani suedeze e sigurisë kibernetike me bazë në Zvicër.
Ndalimi u vendos ndërsa autoritetet zvicerane po shqyrtojnë pretendimet e kahershme se varianti i mëparshëm i Crypto International, Crypto AG, ishte diçka më shumë se një front për mbledhjen e inteligjencës amerikane gjatë Luftës së Ftohtë.
Linde tha se urdhri i ndalimit përfshin "mallrat" - të cilat ekspertët sugjerojnë se mund të përfshijnë përditësime të sigurisë kibernetike ose produkte të tjera të IT që u duhen agjencive shtetërore suedeze.
Takimi i nivelit të lartë ishte planifikuar në kuadër të njëqindvjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Përplasja diplomatike është kthesa e fundit në një ngatërresë të gjatë dhe komplekse akuzash dhe mohimesh që shoqëruan Crypto AG për dekada dhe tani po ndjek edhe pasardhësin e saj, Crypto International.
Crypto AG u ndërtua nga inxhinieri mekanik suedez, Boris Hagelin, produktet e hershme të të cilit përfshinin një version të makinës gjermane Enigma, që u përdorën gjerësisht gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Pas luftës, Hagelin e zhvendosi selinë e kompanisë në Zvicër, pjesërisht për arsye taksash dhe fitoi klientë shtetërorë - nga Irani në Argjentinë - të cilët përdorën teknologjinë kriptografike në dukje të sigurt të Crypto AG për të dërguar mesazhe me sensivitet të lartë nga ambasadat dhe kryeqytetet e vendeve në fushat e betejës dhe bazat ushtarake.
Një investigim nga gazeta “Baltimore Sun” në 1995 pretendoi se gjatë periudhës së pasluftës, u krijua një marrëdhënie gjithnjë e më e ngushtë midis Crypto AG dhe inteligjencës amerikane, pretendime që Crypto AG i hodhi poshtë në atë kohë si thashetheme.
Në shkurt të këtij viti, “Washington Post”, ndërsa punonte në Gjermani, pohoi se CIA dhe homologu i saj gjerman, BND, e kishin në pronësi të plotë Crypto AG prej dekadash dhe kishin qenë në gjendje të dekodonin të gjithë trafikun nga makineritë e kompanisë.
Shkrimi në “Washington Post”, bazuar në historitë e operacionit të përpiluar nga CIA dhe BND, sugjeron se aksesi ishte një minierë ari për inteligjencën, që lejonte agjentët amerikanë të përgjonin udhëheqësit e Iranit gjatë krizës së pengjeve në 1979, udhëheqësit argjentinas gjatë Luftës së Falklands dhe liderët libianë që pranuan se kishin planifikuar bombardimin e një klubi nate në Berlin në 1986.
Sipas këtij raportimi, BND i shiti aksionet e saj në vitet 1990, por CIA ia kaloi emrin, rrjetin e shpërndarjes dhe të drejtat e produktit një kompanie të re: Crypto International.
Pasi botimit në shkurt të shkrimit të “Washington Post”, autoritetet zvicerane filluan një hetim mbi rastin duke u përqëndruar në shkelje të mundshme të ligjeve të eksportit "nga persona të panjohur".
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, e cila po zhvillon hetimet, tha se porcesi është në vijim.
Sipas Sekretariatit të Çështjeve Ekonomike, i cili solli ankesën origjinale, licenca e eksportit të Crypto International u pezullua më 19 qershor pas një vendimi nga Këshilli Federal Zviceran që u rinovua më 26 gusht.
Ndërkohë, pyetjet vazhdojnë të vërtiten rreth asaj se sa zviceranët dinin me të vërtetë për operacionin. Dokumentet e CIA dhe BND sugjerojnë që qeveria zvicerane duhet të ketë pasur dijeni mbi lidhjet midis CIA dhe Crypto AG, sipas raportit të Ëashington Post.
Ligjvënësit zviceranë, përfshirë Kaspar Villiger, i cili ishte ministër i mbrojtjes në fillimin e viteve 1990, e mohojnë këtë.
Në Suedi, familja e Hagelin ka thënë se nuk dinin gjë për pjesën më të madhe të punës së tij gjatë jetës së tij.
Kunati i tij Sixten Svensson i tha radios publike suedeze se ishte e qartë për familjen se Hagelin kishte bërë shumë para, por askush nuk kishte dyshuar se paratë mund të ishin gjeneruar me ndihmën e CIA-s. Svensson ka thënë se në bisedat me Hagelin, ai nuk hapej shumë për atë që bënte.
Hagelin vdiq në 1983 dhe u varros në varrezën familjare në Stokholm.
Në traditën suedeze, guri i varrit mban të shkruar edhe profesionin e të ndjerit.
Varri i Hagelin mban vetëm emrin e tij. Nuk thotë asgjë se çfarë ka bërë ai në jetë.
/ Politico.eu/
Add new comment