Efekti Mozart/ Muzika ndihmon epileptikët

Postuar në 13 Shtator, 2020 12:50

Muzika e Mozartit mund të ketë efekt pozitiv te epilepsia. Një analizë e re gjithëpërfshirëse ka treguar se dëgjimi i muzikës së Mozartit në piano mund të zvogëlojë frekuencën e sulmeve të epilepsisë. Rezultatet e kësaj meta-analize gjithëpërfshirëse (një studim mbi studimet e mëparshme), i cili mund të përmbysë skepticizmin aktual në lidhje me efektin, janë paraqitur në kongresin e ECNP.

Ideja që dëgjimi i Mozartit mund të ketë efekte të dobishme në shëndetin mendor lindi që në vitet ‘90. Që nga ajo kohë ka pasur disa studime, por shumë prej tyre kanë përfshirë një numër të vogël njerëzish, ose kanë qenë të një cilësie të ndryshueshme, çka ka bërë që të ketë skepticizëm në lidhje me to.

Dy studiues italianë, dr. Gianluca Sesso dhe Dr. Federico Sicca nga Universiteti i Pizës kanë kryer një përmbledhje sistematike të punimeve në lidhje me efektin e muzikës së Mozartit te epilepsia.

Ata zbuluan se dëgjimi i Mozartit, veçanërisht në baza ditore, çoi në një ulje të ndjeshme të krizave epileptike, dhe gjithashtu në një frekuencë të zvogëluar të aktiviteteve anormale të trurit në pacientët epileptikë (të quajtur shkarkime epileptiforme interiktale, të cilat zakonisht shihen te pacientët epileptikë). Këto efekte ndodhën pas një seance të vetme dëgjimi dhe u ruajtën pas një periudhe të zgjatur trajtimi.

Epilepsia prek pak më pak se 1 person në njëqind në të gjithë botën. Kjo do të thotë se ka kosto të konsiderueshme sociale dhe personale. Kryesisht trajtohet nga ilaçe, por ato nuk funksionojnë në rreth 30% të pacientëve, kështu që ka vend për terapi të tjera.

Meta-analiza tregon se të dëgjosh Mozartin për një periudhë mund të sjellë një ulje mesatare të krizave epileptike që varion nga midis 31% në 66%, por kjo ndryshon nga personi në person dhe sipas stimulit muzikor të përdorur. Studimet origjinale mbi Efektin Mozart përdorën sonatën për 2 piano, K448, dhe kjo ka mbetur muzika më e përdorur në studime. Gjithashtu është treguar se edhe sonata në piano K545 ka efekt.

"Të gjitha kulturat kanë muzikë, kështu që padyshim ajo plotëson disa nevoja psikologjike. Mekanizmat e Efektit Mozart janë kuptuar dobët. Padyshim që muzika tjetër mund të ketë efekte të ngjashme, por mund të ndodhë që sonatat e Mozartit të kenë struktura të veçanta ritmike të cilat janë veçanërisht të përshtatshme për të sjellë rezultate në rastin e epilepsisë”, thotë dr. Sesso.

Ky është një përmbledhje e kërkimit, dhe jo një kërkim i ri origjinal. Një gjë që tregon se duhen studime më të qëndrueshme për efektin e muzikës në tru.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.