Kryetari i hap luftë kulturës së mallkimit
Para disa ditësh biznesmenia Vilma Nushi firmosi një letër publike kundër “atij që e mallkonte”. Zonja Nushi është prekur nga CoVid-19 dhe po trajtohet në një spital jashtë vendit. Letra ishte një parashtrim i përpjekjeve të zonjës që rrekej të sqaronte popullin e lexuesve se pasurimi i saj është një histori suksesi, jo korrupsioni. Me këtë rast mallkuesit kanë gabuar shënjestrën dhe po hyjnë në gjynah.
Kundër mallkimit ka folur sot edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Sipas tij ka një kulturë mallkimi që duhet të korrigjohet pasi siç thotë ai “jemi shqiptarë”.
Nuk dua që të ndaloj polemikat, por dua që të ndaloj kulturën e mallkimit, kulturën e ndjelljes së të keqes, kulturën e gëzimit për fatkeqësinë e tjetrit
tha ndër të tjera Veliaj.
Në këtë periudhë karantine Veliaj është tallur dixhitalisht si pak të tjerë dhe është syrgjynosur me mallkime që hyjnë në fondin e rrallë të krijimeve origjinale gjuhësore, ndaj edhe ankesa e tij ka kuptim.
Në fakt nuk ka gjë të mirë te mallkimi; ai veç ngarkon më tej një klimë të helmuar dhe një raport urrejtjeje me politikën në Shqipëri. Një raport që është fundosur nga shërbyesit mediatikë të Veliajt që vetëm lavde dhe gënjeshtra botojnë, apo nga hipokrizia e mbarë politikës që luan një teatër lakuriq. Sigurisht që Veliaj dhe të tjerë në politikë janë edhe prindër, madje shyqyr që nga njëra anë janë edhe të tillë – dhe duhet të jetë shumë e pakëndshme, shqetësuese pse jo të lexosh lumin e mallkimeve dhe nëmave për familjen. Nuk mund të qëndrosh i qetë.
Mirëpo poshtë këtij manifestimi të vegjëlisë qëndron pamundësia për të ndëshkuar njerëz si Veliaj, që mund të thonë çdo gjë, të firmosin çdo gjë, të flenë në dhoma hoteli 1000 euro/nata e të kalojnë paq, të pasuruar si rrallëkush dhe që po e shndërrojnë këtë vend në çiflig. Është pamundësia e funksionimit të një sistemi të shpallur si demokratik, por që është i tillë në letër.
Mallkimi në kohë pandemie është pasqyra më e mirë për sorollopin politik të tipit Veliaj që nuk mund të fshihet pas alibisë se “kush punon shahet”. Zotërinë do të duhet ta shqetësonte fakti se është kaq i urryer, një urrejtje që ka tejkaluar pragun e reklamës së keqe, që kaq shumë përdoret. Sigurisht në atë pasqyrë Veliaj dhe Rama e të tjerë mund të shohin veten si shumë të bukur, por ja që nuk po i mallkon kush për bukurinë, as për kombësinë që e tundin kaq shpesh si letër garancie. Por për ato zullume që i dinë edhe vetë.
Comments
Na beni nje koleksion te
Na beni nje koleksion te ketyre talljeve.
Add new comment