CoLal-20

Postuar në 29 Korrik, 2020 01:21
Shaptilografisti

 

Dje u njoftua – prej vetë të zotit të punës – se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është prekur nga CoVid-19. Një episod i radhës që na kujton se natyra në këtë rast nuk diskriminon. 
Zoti Veliaj ka vendosur ta ndajë këtë fakt jo si shumë prej njërëzve publikë që u prekën nga virusi, pra si një njoftim për miqtë dhe të afërmit, apo edhe ata që jannë persona kontakti, por si një moment politik ku ai po do të tregojë se do punojë nga shtëpia. 
Tirana nuk është jetime, Lali kujdeset për të nga shtëpia e vet, duke na ofruar kështu të njëjtën menu që na jep përditë: unë fitoj, unë punoj, unë nuk lodhem, unë nuk heq dorë, unë dua progresin. 

Mirëpo ja që koronavirusi shpoi pa problem edhe koracën e Supermanit të Bashkisë, një ndodhi e trishtueshme sigurisht, që do të duhet të shërbente për ta korrigjuar imazhin fals të z. Veliaj. Jo, i emëruari për t’u votuar si kryebashkiak, nuk e negocion asnjëherë njerëzoren e tij. Me idenë se ka harruar veten për punët e Tiranës, zotëria nuk kupton ndërkohë se këtë fabul nuk e ha askush, pa folur për faktin se një pushim i shkurtër në mes të lumit të pandërprerë të gënjeshtrës dhe shtirjes që kemi vite që e shohim, do të ishte i dobishëm për gjithkënd. Është një pushim që i jep mundësinë edhe një të palodhuri si z. Veliaj që ta heqë për ca ditë samarin ku mban barrën e halleve tona, e të shtriqet e zdërhallet duke u kollitur kovidiançe në divan, duke mbledhur kockat pas kaq kohësh rraskapitje. 

Jo. Puna për Bashkinë është si ora atomike që i afrohet mesnatës nëse merr pak pushim. Mirëpo askush nuk ka zgjedhur këtë draft-sapiens që z. Veliaj sugjeron përditë. Askush nuk ka kërkuar të pamundurën, përkundrazi Tirana ka nevojë ulëritëse për dikë që është normal. Për dikë që e sheh diellin si të gjithë, jo me kushtin për t’i bërë like. 

Pra, lajmi i infektimit, nga moment njerëzor, u shndërrua nga z. Veliaj në element të sjelljes politike në hapësirën dixhitale. Ndaj edhe lumi i mallkimeve dhe talljeve, cinizmit që shpërtheu ndaj tij, ishte riçevuta e kërkuar. Nuk është puna të qëmtosh një nga një sharjet, por të shohësh frymën. Kushdo do të shqetësohej po të kuptonte se është aq i urryer, ose se ndaj tij ka një shpërthim të tillë verbal. Sikur ta lësh veten në atë klimë, mundet që brenda disa minutave të nisësh e të mendosh se virusi nuk duhet ta prekte z. Veliaj pikërisht se nuk dihet se çfarë mutacioni mund të pësojë për të gjeneruar mandej hatanë e hatave. Të riemërtohet shtama e re si CoLal-20 e të mbahet shënim rekordi i vdekjeve. 

Është një urrejtje e madhe që vjell verbalisht mbi një model të papranueshëm imazhi, i cili mëton të shformojë e mandej neutralizojë dëshirën e të gjithëve për të parë të vërtetën siç është. Është një urrejtje që ka vlerën e vet politike, një lloj sondazhi që thotë atë që thotë e nuk mund të injorohet. 

Nuk është një lajm i mirë, as shenjë e mirë të shprehesh kështu për dikë që është i zgjedhur, e që duam apo nuk duam na përfaqëson. Por nëse hedhim sytë pas e të analizojmë, do të shohim se shkaku nuk është vetëm kultura jonë politike e gjyqit të popullit, por sidomos dështimi flagrant i klasës politike që të nuk mund të mbulojë me xixat e PR-it profilin e banditit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.