Tamponi në privat, vetëm për dokument. Ende e paqartë kostoja

Postuar në 24 Korrik, 2020 19:07

Pas testimit serologjik, është vendosur që edhe realizimi i tamponeve të bëhet në spitalet private. Në një intervistë për TvT, shefja e epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini, tha se në laboratorët privatë do të kenë mundësinë të bëjnë tamponin vetëm ata që u nevojitet për efekt dokumentacioni, ndërsa qytetarët që kanë shenja klinike janë të detyruar të paraqiten domosdoshmërisht në spitalet shtetërore.

Laboratorët jopublikë që duhet të kryejnë këtë lloj testimi duhet të kenë disa kritere. Duhet të jenë laboratorë të certifikuar dhe të akredituar nga Ministria e Shëndetësisë. Duhet të jenë laboratorë në nivelin e biosigurisë BSL2, nivel i lartë ky, gati në ekuivalencë me laboratorin e referencës në ISHP. Këto testime do të kryhen vetëm për efekt dokumentacioni. Sërish ISHP do të përvijojë me diagnozën laboratorike për Covid-19 për të gjithë rastet e dyshuara apo të konfirmuara prej tij dhe për ndjekjen e kontakteve, gjurmimin epidemiologjik që njësitë vendore e kryejnë në mënyrë aktive aktualisht. E theksojmë që diagnoza për pacientët e sëmurë do të mbetet pranë ISHP-së.  

Të pyetur nga TvT, një pjesë e qytetarëve shprehen se nuk kanë besim te cilësia e këtij ekzaminimi që do të ofrohet në privat, ndërsa shumë prej tyre nuk mund të përballojnë koston.

Si masë e parë përgatitore që po merr Komiteti i Ekspertëve është puna për certifikimin e laboratorëve që mund ta ofrojnë këtë shërbim, si dhe diskutimet për vendosjen e një çmimi tavan për tamponin.

Janë në proces lista e laboratorëve që do të akreditohen dhe plotësojnë kushtet për nivelin e biosigurisë. Po vlerësohet edhe nga ana ekonomike vendosja e një tavani apo jo për të gjitha testimet që do të kryhen në laboratorët jopublikë.

Disa përfaqësues të laboratorëve privatë thonë për TvT se ende nuk kanë nxjerrë një kosto të tamponit për të vendosur më pas çmimin, ndërsa sa u përket testimeve serologjike, ata thonë se kanë pasur fluks kërkesash.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.