Aleksandër Meksi: Të kthehet mazhoritari, diskutimi se duhet apo nuk duhen koalicionet është një shaka e ligë
Ish-kryeministri, Aleksandër Meksi është shprehur të mërkurën se Shqipëria duhet të rikthehet tek sistemi mazhoritar, ose tek ligji i vitit 1992-2005, i cili nxirrte 100 deputetë me lista një emërore me korrigjim proporcional që garantonte në rang vendi përfaqësimin proporcional.
I ftuar përmes një lidhje me Skype në edicionin informative të lajmeve në telvizionin TVT, Meksi tha se me një ligj të tillë nuk vinte askush të diskutonte se duhen apo nuk duhen koalicionet, që sipas të cilit, janë një shaka e turpshme, e keqe dhe e ligë.
Ai tha se propozon është në një fletë votimi të jetë emri i një kandidati dhe partisë që ai përfaqëson.
Sipas tij, qytetarët do të dinë për kë votojnë dhe kujt t’i kërkojnë nesër llogari dhe mbi të gjitha do të dinë dhe kë të penalizojnë nëse ky kandidat nuk duket më asnjëherë dhe nuk dëgjon më hallet dhe problemet e tyre.
Me shumë gjasa do të shkojnë në një marrëveshje ajo e 5 qershorit e bërë mes mazhorancës dhe partive tradicionale dhe marrëveshja e dytë e arritur me opozitën parlamentare dhe në fund do të vijmë në një produkt final që askush nuk di të thotë se çfarë përmirëson në thelb në çështjen e zgjedhjeve?
Meksi: Para së gjithash do doja të nënvizoja se reformë quhet një ndryshim thelbësor i një strukture ligjore, i Kushtetutës në këtë rast, i strukture shoqërore etj. Ndryshimet e dorës së dytë për çështje jo thelbësore nuk mund të quhen reformë. E si e tillë kjo që po bëhet është thjesht për të plotësuar një kërkesë formale të Europës dhe miqve të tjerë të Shqipërisë, ndërsa paraqitet një gjë hibride që s’është asgjë që i garanton atyre që deri më sot kanë keqqeverisur Shqipërinë dhe partnerëve të tyre në fushën e ekonomisë dhe të krimit që të mbijetojnë katër ose më shumë vite të tjera, po të njëjtët njerëz, po të njëjtët lider, po të njëjtët oligarkë dhe pot ë njëjtët krerë bandash.
Zoti Meksi në një analizë tuajën ju flisni për të ashtuquajturin fenomen të deformimit të votës që është ngritur në një sistem. Marrëveshjet e arritura sa e eleminojnë këtë fenomen?
Meksi: Nuk e eleminojnë fare, sepse ruhet i njëjti sistem zgjedhor i mëparshëm. Sigurisht, deformimi i votës ka ndodhur në vitin 2001 me Dushkun dhe në vitin 2005 me transferimin e votave, por në 2008 u bë një ndryshim, i cili për çudi të të gjithëve e ndau Shqipërinë në 12 rajone sipas modelit spanjoll që u tha në atë kohë. Ndërkohë që në Spanjë komunitetet janë me të drejtë Kushtetuese. Pra u hoq mundësia që një votë jo për partitë e shumicës të mund të vlejë në të gjithë Shqipërinë. Duke e ndarë vendin në rajone të vogla, duke krijuar një sistem përqindjesh në të cilin hyn partneri jot i detyruar të futet në koalicion, mbetet siç edhe ndodhi, këto dy grupe me të njëjtit njerëz dhe më të njëjtat lista të cilat ato hartohen nga kryetari i partisë që edhe tani me këtë zhurmën për listat e hapura ose më mirë zgjidhjen që po i japin në marrëveshje me atë që quhet opozita parlamentare nuk bën asnjë ndryshim real, pasi përsëri do të jenë po ata njerëz që do të hartojnë lista, do t’i rregullojnë dhe do t’i vënë në radhë.
Problemi është se qytetarët duan të drejtën e tyre për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur. Kjo e drejtë me këtë ligj ekzistues zgjedhor, me këtë Kushtetutë nuk iu është dhënë qytetarëve. Je ti që bën listën dhe më detyron të votoj me një sistem absurd. Kjo duhet të zhduket nëse duan që Shqipëria të jetë një vend demokratik.
Ju mendoni se duhet të votohet kandidati apo partia dhe çfarë mendimi keni për listat e hapura?
Meksi: Unë kam thënë që të rikthehemi në ligjin 1992 deri në 2005 që u rikonfirmua nga Kushtetuta në ’98 dhe pikërisht se pse ky është një ligj i rregullt, i cili kishte 100 deputetë me lista një emërore, pra me sistem mazhoritar dhe një korrigjim nga proporcionali që garantonte në rang vendi përfaqësimin proporcional. As nuk vinte njëri të diskutonte si kudo në botë që të diskutonte duhet apo nuk duhet të ketë koalicione që është një shaka e turpshme, e keqe dhe e ligë. Ajo që propozoj unë është që të ketë një fletë kandidati dhe partia e tij. Nëse ky është i një koalicioni bëhet një marrëveshje ndërmjet partive se sa përqind të votave merr kjo fletë, pra ky kandidat në këtë zonë do të bëhet. Çfarë kemi këtu, qytetarët dinë për kë votojnë, qytetarët dinë edhe kujt t’i kërkojnë llogari dhe mbi të gjitha do të dinë kë të penalizojnë nëse ky person nuk u duk më asnjëherë dhe nuk dëgjoi më asnjëherë hallet dhe vërejtjet e tyre, nuk i transmetoi në Kuvend e nuk luftoi për tu dhënë të drejtë zgjedhësve të vet. Ky, pra është ndryshimi thelbësor që bëhet në rastin e Kuvendit të Shqipërisë.
Mos vallë ekziston rreziku që në zgjedhjet e drejtpërdrejta të ekzistojë korrupsioni i votës, i cili kalon nga kryetari tek kandidati?
Meksi: Jo këtu nuk ka asnjë lidhje. Vota i jepet kandidatit dhe në sistemin ekzistues vota i jepet partisë por që përfitojnë ata kandidat që janë përzgjedhur nga kryetari. Nuk mund të bëjme sikur se dimë, pasi nga 35 kandidat që ka Tirana mbi 13 kandidat janë të sigurtë që dalin deputet. Përveç amandamenteve kushtetuese që paraqita, propozova edhe njësërë masash të tjera që zhdukin kontrollin dhe drejtimin politik të fushatave elektorale dhe të vetë sistemit zgjedhor. Nuk ka pse të ketë një KQZ të përhershëm që ndahet në katër dhe tre anëtarë dhe që zgjidhen njëherë në pesë vjet. Kur në çdo vend të botës KQZ-ja ditën që shpallet data e zgjedhjeve, krijohet dhe mbaron punën dhe drejton në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe Kodin Zgjedhor dhe largohet. Kolegji Zgjedhor nuk është një për shtatë vjet. Këtu problemi është fare i thjeshtë: ke ankim? Hajde ta zgjidhim në gjykatë, hidhet shorti, zgjidhen gjyqtarët dhe vendosin. Ata vendosin për aq sa thotë fleta e votimit. Një ndryshim tjetër që propozova unë është që vota të numërohet në qendrën e votimit.
Add new comment