Bashkë, por as për drejtësinë, as për Kosovën

Postuar në 30 Qershor, 2020 00:25
Skerdilajd Zaimi

 

Vizita e Edi Ramës në Kosovë ka prodhuar vetëm një zhvillim: vizitën e kryeministrit të saj në Shqipëri më 3 korrik. Në këtë kontekst duhet thënë se Rama ka arritur të negociojë me Isa Mustafën në takimin e tij të dytë me të pas atij të vitit 2016 që të mos bëjë lëvizje ndaj Hashim Thaçit në këtë moment. 

Sigurisht që Edi Rama nuk e ka këtë fuqi, por prezenca e tij në Kosovë ka përcjellë një mesazh mbështetës edhe për qeverinë që tani më shumë se kurrë dominohet nga LDK. Ndaj supozimi se Isa Mustafa është aktori që po tërheq për momentin më shumë fije ka bazë të supozohet. 

Me takimin e ardhshëm në Tiranë, Edi Rama do të inskenojë episodin e dytë të valles së shpatave me Europën: ai do të implikojë Shqipërinë në një proces që ka të bëjë me një njeri të vetëm politik: Hashim Thaçi. Për të dhënë kështu një ndihmë për mikun e tij në vështirësi si dhe për të aktruar shqiptarin që sakrifikon për kombin. 

Është një implikim që nuk ka për të kaluar pa pasoja dhe ç’është më e rëndësishmja ne nuk e dimë arsyen e këtij angazhimi. Është naiv ai që beson se Edi Rama po vepron i udhëhequr nga shqiptarizmi i tij. Me publikimin e aktakuzës u ndërpre një takim që ashtu siç u prezantua nga vetë Thaçi parashikohej të prodhonte një firmë dhe një marrëveshje, përmbajtjen e së cilës ne të gjithë nuk e dimë. E di Thaçi, e di Edi Rama, e di edhe Baton Haxhiu dhe Isa Mustafa, por askush tjetër. Ndaj ajo marrëveshje ishte në pabesi ndaj mbarë shqiptarëve që duhet të shpresonin te 4-5 njerëz për të ardhmen e tyre. 
Në këtë kuptim aktakauza e denoncoi marrëveshjen njësoj si Lenini Traktatin e Fshehtë të Londrës për arsye që kuptohet, pak kanë të bëjnë me Ne. Por ne duhet ta mirëpresim atë për arsye tonat.

Ajo çfarë po shohim sot është një investim i klasës politike shqiptare të të dyja anëvëe të kufirit për të parë tek aktakuza një njollë mbi luftën e UÇK-së, kur vetë Gjykata që do ta gjykojë akuzën është miratuar nga Parlamenti i Kosovës. Është pra një akt Sovran prej nga ku buron formalisht nevoja për të hedhur dritë dhe bërë drejtësi mbi luftën. 
Pse atëherë Hashim Thaçi nuk jep dorëheqjen dhe të pranojë gjykimin si qytetar, por po kërkon me ngulm të ballafaqohet me të si President? Pse vallë kërkon të mbajë imunitetin formal të një presidenti përkundrejt një Gjykate të cilën e ka votuar vetë? Pse po do të tërheqë zvarrë Kosovën në aventurën e tij juridike? 

Nuk ka logjikë normale të pranojë këtë sjellje sikundër vështirë se në Europë do të gjendet një standard që ta pranojë atë. Kjo qasje që gjykon akuzën nga pozita politika dhe personale nuk ka të bëjë me prezumimin e pafajësisë, por me refuzimin e çdo lloj fajësie si akt i njohur publikisht, duke e vendosur luftën në ndërgjegjen tonë si proces që i ka të dyja anët. 
Ne mund të marrim vesh krimet e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit dhe të zgjedhim që historinë e tyre të mos e gjykojmë si pasojë e aspiratave tona për shtetformim, pra të mos i hedhim poshtë si figura. 

Por ama krimet e gjykuara nga një gjykatë kanë pasojë juridike dhe këtë z. Thaçi e ka pranuar me kohë si diçka normale. Ajo që ai ka bërë deri më tani është fshehur me manovra dhe marifete që e çuan deri në aprovimin e një marrëveshjeje të errët mbi territorin e Kosovës. Cila aspiratë e përligj një gjë të tillë? Cila e ardhme justifikon lëshimin e territorit? Le të na e sqarojë z. Thaçi, apo këshilltari i tij Edi Rama që po helmon çdo marrëdhënie normale tonën me Europën, pasi e sorollatën me vite për një negociatë që nuk e kapi dot për korrupsionin që përfaqëson? 

Zoti Thaçi dhe të gjithë ata që sot sulmojnë Gjykatën nuk duhet të harrojnë, as të shpresojnë se dikush do harrojë faktin se edhe Pavarësia e Kosovës, po ashtu si e Shqipërisë, vërtet nisi si ide e disa njerëzve të zakonshëm, por u afirmua si vullnet i Fuqive të Mëdha. Në rastin e Kosovës, kjo pavarësi u certifikua nga një gjykata ndërkombëtare duke i dhënë argumentin e fortë vendit në përballje me pretendimet absurd serbe. 

 

Është e qartë se Hashim Thaçi nuk ka me vete asnjë lloj logjike normale në këtë betejë. Ai po qëndron në detyrë sepse është prishur një Pazar të cilin së bashku me z. Rama ka marrë përsipër ta çojë deri në fund. Asgjë më tepër(Nuk është e çuditshme heshtja e  Vuçiçit që në rastin e Haradinajt nuk heshti). Ndaj edhe gjullurdia e vizitave e organizuar nga z. Rama është edhe një diversion për ta kuptuar aktakuzën si një shans për pastrimin e skenës politike në Kosovë nga ata që nuk po i heq dot as vota. Sikundër në Shqipëri u shpresua se reforma në drejtësi do të pastronte hauret e Avgjisë, të cilave për “çudi” u doli për zot dhe i mbyti me zahirenë e politikës z. Rama, po Ai që po hiqet sikur i del për zot Kosovës në ditët e vështira të Hashimit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.