Korrigjimi i pyetjes nga maturantët ishte përgjigjja më e saktë

Postuar në 16 Qershor, 2020 00:54
Dr. Jak Simoni - Universiteti “Aleksandër Moisiu”

 

Kur një nxënës apo student testohet dhe ai ka aftësi të korrigjojë pyetjen që i bëhet, përgjigjjen e ka dhënë në mënyrën me të mirë të duhur, madje ka kaluar pritshmëritë. Kështu që maturantët kanë plotësisht të drejtë që po çojnë zërin e tyre ne një protestë jo politike (tërralla në vendin tonë) që të kujton atë të studentëve një vit e gjysëm më parë. Më sa u pa, një pjesë e pyetjeve në testin e Gjuhës dhe Letërsisë vinin maturantin më shumë në provë për të kuptuar pyetjen, sesa për të dhënë përgjigjjen. Por ata këtë provë e kaluan me sukses. 

Duke hedhur poshtë formulimin e pyetjeve  ata treguan aftësi logjike dhe analitike. Logjikë intuitive, sepse në kërrikull nuk kanë fare, (ndonëse 2400 vjeçare nuk zë vend as si kapitull i lëndës së filozofisë); ka lëndë të tjera, më sa duket më të rëndësishme, si teknologji, turizëm etj. 

Por rikthehemi tek çështja në fjalë. Minimalisht çdo pyetje më gabime në formulim duhet të quhet e saktë, apo s’ka si të bëhet, sepse është problemi i korrigjimit me skaner? 

Fati i maturantit varur nga pyetje të pasakta dhe nga një makinë korrigjuese. Fati sepse është kriteri absurd dhe antikushtetues i notës mesatare që e le jo vetëm pa shkuar në shkollë të lartë, por i mohon dhe të drejtën e konkurrimit; e drejtë e garantuar me kushtetutë në vendet demokratike të botës. Absurd, sepse, sa maturantë  kanë ngelur pa shkollë të lartë vitet e kaluara (dhe duke qenë vendet e lira në universitete), sepse nuk kanë kuptuar pyetje të tilla?

Patjetër do të ketë pasur pyetje të tilla dhe vitet tjera që kanë kaluar thuajse në heshtje, sepse të ngrihesh në protestë sa herë ke provim nuk është e lehtë për maturantët; kanë provimin e radhës  pas pak ditësh. Në këtë rast korrigjimi nuk duhet të jetë me skaner, sepse skaneri nuk merr parasysh mundësinë  e gabimit në formulimin  e pyetjes. Tezat le t’i korrigjojë një lloj tjetër mekanizmi (mekanizmi njerëzor, për ta thënë si R. Descartes). 

Urojmë që maturantët të arrijnë qëllimet e tyre të drejta në këtë protestë. Protesta e tyre po përmirëson sot provimet e maturës shtetërore e ndoshta nesër do të jenë po ata që do të përmirësojnë universitetet dhe shoqërinë shqiptare. Shoqëri e kalbur nga korrupsioni dhe e degraduar në cinizmin  e interesit ku e vetmja shpresë janë të rinjtë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.