Lajm i mirë. Do rrimë Larg njëri-tjetrit!

Postuar në 02 Maj, 2020 19:59
Shaptilografisti

 

Pas kaq ditësh dhe javësh më në fund vjen një lajm i mirë. Qeveria ka miratuar protokollet e sigurisë në plazhe. 
Distancat e çadrave 3 metra, distanca e personave 2 metra, në tavolina ulen vetëm familjarët bashkë. Distanca mes një shqiptari dhe një tjetri është një lajm që duhet duartrokitur. Kur vallë doli ndonjë gjë e mirë nga qëndrimi ynë pranë njëri-tjetrit? Sapo bëhen tre shqiptarë bashkë, ekziston rreziku i krijimit të një bande. Ndërkohë që eksperimenti i pamëshirshëm dhe i parakohshëm i Enver Hoxhës për të “bashkuar” shqiptarët në pallate rezultoi i dështuar dhe me pasoja. Sa konflikte që pasuan vitin ’90 zënë fill në mëritë e gjitonllëkut të detyruar? 

Ai ka qenë spiun, ky kurvar, ajo llafazane…ka një vajzë ajo, hajde – hajde!

Pastaj nisi muhabeti i shtesave. Një zgëqe aty, një tendë më lart. Taraca është e imja, hiqe pompën, shiko ajo depozita kullon, zgjidhe ose merremi vesh ndryshe!
E mbani mend zakonin e çuditshëm që vazhdoi deri vonë të hedhjes së plehrave nga ballkoni? Ose shkundja e tavllës së duhanit nga lart. Mjerë ai që ishte poshtë! 

Civilizimi megjithatë eci shumë shpejt. Nga viti 2000 e pas, kur u mësua skema e kredisë dhe kur moda nisi të paketonte në format “qytetar” lloj lloj formash dhe qethjesh, çuditërisht njerëzia nisën të laheshin më shumë se një herë në javë. Larja nuk është vetëm një nevojë personale, në një vend ku ajo është parë përherë si angari, kthehet në status. 

Ai i palari. U ula në urban ngjitur me njërin, më mbyti

E shikoni sesi qytetarizimi nis e vendos kufij, nis e zhbën atë gjitonllëkun e dikurshëm ku të trokisnin në derë e të kërkonin një qepë? 
Dyert tani kanë ngjyra dhe cilësi të ndryshme, ballkonet janë të kullandrisura ndryshe, po edhe interieri. Aty ku kati i dytë ka banjën, kati i parë ka kuzhinën. Kati i tretë? Me siguri korridorin. 

Kjo ndarje e thellë – e dobishme si fazë vetëeksperimentimi social – merr një goditje në mjedise publike dhe të hapura si plazhi. Shqipëria është kaq e vogël! Atë që sheh në Tiranë rrugës, befas e has në Dhërmi apo Ksamil. E sheh, të sheh dhe thuaj me vete: he bela e madhe, nga doli këtu
Shkon në plazh dhe nga çadra ngjitur vjen era e kremit, dëgjohen muhabete gjithfarëshe dhe nëse je fare pa fat mund të hasësh ndonjë maniak celulari që nuk pushon. Cërr cërr! Alo, o vlla si je? Dhe pastaj dihet me zërin në kupë të qiellit të gjitha muhabetet. Detyrohesh të futesh në ujë. 

Po në kinema? Ke para një çift që nuk fryhen me kokoshka apo djathë. Mbllaq mblluq gjysmën e kohës. Pësh pësh në vesh, ai. Hihihihi, ajo! Të pështiroset njerëzimi kaq afër! 

Mund të vazhdohet pa fund me shembuj që ilustrojnë se bashkëjetesa kërkon norma dhe një lloj kuptimi intuitiv të hapësirës së tjetrit, respektimi i të cilës është kusht që të jesh edhe vetë rehat. Ta thuash të thonë: mizantrop. Varianti “intelektual” ky. Varianti popullor: je asocial. Ka dalë fjala asocial
Ndaj le t’i gëzohemi distancave, t’i shijojmë ato si shpresë për të shpëtuar nga dënimi i bashkëjetesës me banalitetin dhe vulgaritetin e gumëzhimës së shqiptarollogjisë së rrugës që tregon përherë një rrugë me hashash, një makinë të bukur, ndonjë muhabet anej-knej, ka muhabet me ministrin, ose më e keqja ndonjë kapardisje me të qirë robtë dikujt. 

Të gëzohemi dhe të tregohemi të mençur: 3 metrat t’i bëjmë 6 metra sepse do kemi çfarë të mësojmë duke e parë njëri-tjetrin nga larg. Jo se kemi qenë afër shpirtërisht, por kemi qenë aq afër sa për të ndjerë hipokrizinë e të gjithëve. 
Ndaj, LARG!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.