Eksperiment i dështuar i Europës në Ballkan

Postuar në 01 Mars, 2020 17:58

Serbia i drejtohet së shpejti zgjedhjeve të përgjithshme të cilat po vihen në pikëpyetje nga bojktoi i opozitës. Në një opinion të përbashkët publikuar në EurActiv, ish-ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, kryetar i Partisë së Popullit dhe kreu i lëvizjes së Qytetarëve të Lirë, Sergej Trifunoviç, arsyetojnë qëndrimin e tyre denoncues sipas të cilit demokracia në Serbi po minohet nga një njeri: Aleksander Vuçiç.

Një shtet i kapur, me një media të kapur, në krye të të cilit qëndron nja politikan që manovron me gjithçka për të mashtruar gjithkënd. Autorët pretendojnë se Vuçiç nuk i është përmbajtur marrëveshjes politike të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, ndërkohë që i vënë përballë sfidës së bojkotit ai uli pragun elektoral nga 5% në 3% në mënyrë që në Parlament të hyjnë gjithfarë forcash politike, sa për të plotësuar farsën e pluralizmit.

Të dy autorët vënë në dukje edhe ikjen në masë të serbëve që nga ardhja në pushtet të Vuçiçit aq sa FMN-ja ka parashikuar se Serbia do të humbasë 20% të forcës së punës në tri dekadat e ardhshme.

Klima e përshkruar nga opozitarët serbë dhe vendimet e Vuçiç ngjajnë si dy pika uji me situatën e zhvilluar në Shqipëri në vitin e kaluar, ku përballë një vale protestash të organizuara nga opozita kryesore, qeveria e z. Rama mori të gjithë mbështetjen e mundshme ndërkombëtare, edhe atë për plotësimin e Parlamentit me lloj lloj individësh që sot janë karikatura e parlamentarizmit.

Mbetet për t’u kuptuar sesi Europa arriti deri këtu sa të gënjejë veten se duke mbështetur menunë e stabilitetit që u shitet nga Vuçiç apo Rama, në fakt ka minuar besimin e njerëzve tek ajo dhe te projekti europian.

Është krejtësisht iluzive të shohësh sesi standardet vihen në pikëpyetje dhe humbasin kuptimin kur nga ana tjetër mbështetja për akte politike që debatyralizojnë procesin demokratik mbështeten nga po kjo Europë që në fund të fundit ka dhënë edhe për dyshen miqësore Vuçiç-Rama, shfaqjen e fundit të paaftësisë për ta menaxhuar Ballkanin. Jo-ja e negociatave ka provokuar në thelb një krizë të hierarkisë dhe autoritetit edhe te dy politikanët në fjalë, të cilët kanë manovruar deri në skaje duke mbajtur si pikë referimi pikërisht Europën si destinacion.

Nuk është rastësi që si Vuçiç ashtu edhe Rama së fundmi kanë nisur ta injorojnë publikisht Brukselin zyrtar duke relativizuar rëndësinë e qëndrimeve të tij. Në këto kushte përballja formale për demokracinë në këto dy vende të Ballkanit reduktohet në provë force mes kampeve politike, duke humbur kështu aspektin demokratik të garës.

Nëse ecet në këtë drejtim, kur me shpresën e vdekur të opozitës në efikasitetin e mjeteve të sistemit, dënohet edhe shpresa e një pjese të shoqërisë, është e qartë se Europa ose po e dorëzon Ballkanin duke u kujdesur vetëm për vijat e përgjithshme të sigurisë, ose do të detyrohet të pranojë dështimin. Në atë pikë llogaritë me Vuçiç dhe Edi Ramën do të duhet t’i bëjnë vetë serbët dhe shqiptarët.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Nwse zgjedhjet e ardhme ne Serbi i fiton krahu konservator-nacionalist, qeveria dhe shteti i Kosoves do te ndodhen ne nje veshtirsi te dyfishte. Tonet e ashpersuara te dy viteve te fundit te qeverise se Kosoves mund te kthehen mbrapsh. Nuk e dime c'do te bejne pastaj patriotet tane folklorike, per me teper perpara ketyre situatave te ndryshuara deri diku nderkombetare!?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.