Për Shqipërinë që Duan...për Vete. Shembull: Saranda që Duam u prish
Kryetari është brandi i Shqipërisë. Kështu tha ish-ministrja Milva Ikonomi për Edi Ramën. Një pohim që ndan në vetvete mendimin e socialistëve për kryetarin e tyre me bindjen se ai është rruga, jeta dhe e vërteta.
Kjo shpjegon atë lloj tufëzimi të drejtuesve socialistë që e shohin prezencën e tyre publike të modeluar sipas snobëve politikë të Tiranës. Ja se cfarë thotë sot në Facebook kryebashkiaku i ri i Sarandës, Adrian Gurma:
Së bashku me përfaqësues të FSHZH-së dhe punonjës të kompanisë “Fusha.shpk” inspektuam dhe vlerësuam sot gjendjen fizike në disa segmente të shëtitores së Sarandës. Çdo inspektim dhe vlerësim e bëmë për të nisur sa më të përgatitur javën e ardhshme, punën për zbatimin e projektit rehabilitues
Më tej mbyllja energjike, por pa lidhje me realitetin:
Vazhdojmë…Për Sarandën që duam. Për Shqipërinë që duam
Ta lëmë mënjanë faktin se loja me bulevarde që rehabilitohen vazhdon të konsiderohet metër suksesi. Por kjo “Vazhdojmë” çfarë do të thotë?
Zoti Gurma ka pak muaj në detyrë pasi atë e la thuajse vjedhurazi një nga kryebashkiaket më të dështuara në historinë e pushtetit lokal në këtë vend, Floriana Koka. Pra çfarë vazhdon ky kryetar bashkie? Punën e zonjës Koka ku spikat busti i Hillari Klinton – një akt qesharak që nuk di si ta klasifikosh – dhe prishja e shkallareve të vjetra, apo po vazhdon punën e shkëlqyer të kompanisë “Fusha” anembanë vendit?
Më e udhës do të ishte që zoti Gurma të shprehej: Fillojmë, sepse me të vërtetë ai duhet të fillojë.
Edhe më problematike është thënia klishe “Për Sarandën që Duam”. Zoti Gurma me aq sa dihet është sarandiot dhe e di ndoshta shumë mirë se nëse këtë thënie e ka si formë të shprehjes “Saranda Saradiotëve” - e pamundur përfundimisht - atëherë “Saranda që Duam” është ajo që ka qenë e nuk kthehet më. Ndaj kjo është propagandë formale sa për t’u uniformizuar me qendrën që bërtet Për Shqipërinë që Duam, formulë e cila po zbardhet në kuptimin e saj të vërtetë: Për Shqipërinë që Duam për Vete!
Add new comment