Pritmëri të gabuara për njerëzit e gabuar

Postuar në 16 Janar, 2020 16:09

Në një takim me gazetarët sot, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi është pyetur edhe për arsyet e heshtjes së opozitës për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Përgjigja e zonjës është origjinale: Ndryshimi i sistemit zgjedhor nuk ishte në kushtet e Bundestagut.

Nuk është e vështirë të kuptohet se opozita ka kaluar në pozita mbrojtëse. Teksa shpall përditë me gazetarët e vet se arriti një marrëveshje të mirë dhe gjunjëzoi kryeministrin, ajo vazhdon të sqarojë se çfarë ka arritur dhe pse nuk ka bërë disa gjëra që mendohej se duheshin bërë.

Ka disa qëndrime që nuk i pranon as logjika më elementare në këtë sjellje. Le të marrim p.sh idenë se me marrëveshjen për reformën zgjedhore u delegjitimua Parlamenti. Do të ishte hera e parë që kjo ndodh në histori. Opozita vërtet doli jashtë parlamentit, por jo për aryse të refuzimit të sistemit me zgjedhje. Ajo doli për shkak të një njeriu. Nga ana tjetër z. Rama nuk ka hezituar asnjëherë që të ftojë opozitën për dialog. Zotin Basha në veçanti. Kaq naiv ka qenë z. Rama sa të mos mendojë se do deligjitimonte veten? Po opozita e PD-LSI pse nuk e pranoi që herën e parë ftesën për ta deligjitimuar më herët këtë Parlament?

Janë pyetje që nuk kanë asnjë përgjigje te sjellja e kësaj opozite. E cila pasi doli nga era po hyn nga dritarja. Pasi dështoi me pseudorevolucionin kërkon rezolucionin e normalitetit. Pasi nuk pati këllqe të aplikonte dhunën e vërtetë politike dhe atë të rrugës, deklaron se dhuna nuk është mjet. Pra pasi nuk ka ezauruar me të vërtetë zotimet e veta, i shpall ato të dështuara.

Kjo gjë përsëritet edhe sot me znj. Kryemadhi. Është e vërtetë që Budenstagu nuk ka vënë kusht ndryshimin e sistemit zgjedhor, por as nuk e ka ndaluar që ky sistem të ndryshojë. Kushtet e palës gjermane janë disa kërkesa përmirësuese për Shqipërinë që të mundësohet hapja e negociatave, por ato nuk shpallin ndonjë sistem zgjedhor armik apo të papërshtatshëm. Për këtë arsye arsyetimi i zonjës është fëminor dhe nuk bind askënd. 

Ndaj një force politike ka kërkesa minimale dhe pritmëri programore, organizative dhe vendimmarrëse. Zonja në fjalë që vitin e kaluar nuk përmbahej nga dëshira për të ndryshuar Shqipërinë, sot po na thotë se në vendimet e një opozite të tërë ndikon një letër nga Bundestagu.

Është thjesht e pabesueshme, sepse tingëllon si alibi. Ajo që konfirmohet këtu është fakti se ndoshta shoqëria shqiptare, apo një pjesë e saj ka krijuar pritmëri të paqena ndaj opozitës. Pret prej saj kundërshtimin, luftën politike, organizimin e protestave, pra rotacionin përmes aktivitetit. Ndoshta kjo është një pritje naive. Sepse zonja Kryemadhi dhe z. Basha ndihen komodë në pozitat e pritjes, në llogaritë e fitimit personal dhe financiar nga një mënyrë apo një tjetër dhe zhurma e deklaratave është vetëm një lojë për të qëndruar në fushë. Ndoshta opozita ka denatyralizuar nga roli tradicional dhe po vepron si grup ekonomik interesi.

Ky tipar shpjegon më mirë edhe ndërrimin e lëkurës së gazetarëve pranë saj që mbrojnë çdo absurditet të vendimmarrjes. Absurde sepse po kjo opozitë shpalli me të madhe se pushteti i tanishëm është kriminal, pra deklaroi parimisht pamundësinë e bashkëjetesës me të, kurse nga ana tjetër moderon qëndrimin duke pranuar procese që në fakt e legjitimojnë atë në çdo pikëpamje. I pranon ato si lëshim që i bëhet dhe jo fitore e një beteje. Dhe kjo vjen për shkak të mosbesimit në asgjë, si dëshmi e një dobësie organike, e një misioni që nuk i përshtatet përfaqësuesve të saj dhe jo thjesht e një raporti force të pamundur.  

ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.