2009-2019, dy projekte për Mini-Shengenin me dy fitues të ndryshëm
Më 12 janar 2009 isha në emision “Shqip” në Top Channel së bashku me Albin Kurtin dhe të ndjerin Jonuz Musliu. Këtu për herë të parë paraqita idenë e Mini-shengenit Ballkanik. Pata thënë se edhe Kosova edhe Shqipëria duhet të kenë një rol më pro-aktiv rajonal dhe duhet të ndërmarrin nismën e Mini-shengenit Ballkanik mes Kosovës, Maqedonisë, Shqipërisë e Malit të Zi, kjo me qëllim të integrimeve brendashqiptare dhe për t’u bërë pandan i Serbisë në integrimet evropiane dhe, njëkohësisht, parapërgatitje për integrimet evropiane. Sigurisht që nëse do të funksiononte kjo ide me kohë, për një dekadë, zhvillimi i këtyre vendeve si një treg 7-8-milionësh, do ta sfidonte primatin e Serbisë si fuqia më e madhe rajonale ushtarake, ekonomike e diplomatike. Në hapat integrues, Serbia do të ishte shumë në e shtrënguar sesa tani të njohë pavarësinë e Kosovës. Këtë ide e përkrahu Presidenti Fatmir Sejdiu, por ai menjëherë më pas dha dorëheqje nga posti i Presidentit dhe ideja ime ngeli vetëm ide për 8 vjet me radhë, derisa ka fundi i vitit 2016 Beogradi zyrtar filloi ta jetësojë si nismë, vetëm se tani në favor të Serbisë.
Presidenti serb gjeti një moment frustrimi të kryeministrave Rama e Zaev, për shkak të refuzimit që u bëri Bashkimi Evropian hapjes së negociatave me Maqedoninë e Shqipërinë dhe i futi në vallen e tij, e cila parimisht nuk mund të refuzohet as nga Bashkimi Evropian as nga Amerika, e cila synim strategjik e ka futjen e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Konform këtij pozicioni, edhe Mali i Zi edhe Bosnja e Hercegovina morën pjesë në takimin e Ohrit, ku valuan flamujt kombëtar të 5 kombeve ballkanike, por mungoi flamuri kombëtar i Kosovës. Presidenti i Kosovës refuzoi me arsyetimin se nuk ka qenë i ftuar në takimin e parë në Novi Sad, kurse kryeministri i Kosovës thjesht e karakterizoi atë si një “plan të Rusisë”.
Opinionistët në Kosovë vazhduan me ison e liderëve politikë se Kosova nuk ka interes të përfshihet në këtë punë dhe “Tungjatjeta!”.
Kësisoj, Kosova, nga mundësia për të pasur një armë në dorë dhe për të shënuar në shënjestër, armën nga dora ia mori Beogradi, ndërsa në sfidën e parë të politkës së jashtme reagoi si një foshnje politike me reagime idiote. Me keq se kaq nuk kishte ku të shkonte.
Si çdoherë kur fëmija e bënë punën bërllok, aty është prindi i tij që e nxjerrë nga situata. Në këtë rast SHBA-të ndërhynë duke deklaruar se Shengeni Ballkanik duhet të bëhet, por Kosova nuk guxon të mbetet jashtë. Kjo ishte shuplakë fytyrës Edi Ramës, Aleksandar Vuçiqit e Zoran Zaevit, por edhe idiotëve kosovarë që nga lidershipi e deri te të ashtuquajturit opinionistë.
Nëse Kosova do të jetë subjekt në këtë marrëveshje, atëherë hapet rruga për njohje de facto nga Serbia. Ndër këto 6 vende, 3 (Maqedonia, Shqipëria e Mali i Zi) e kanë njohur Kosovën dhe 2 jo (Serbia e Bosnja e Hercegovina). Por, mbi të gjitha, dokumentet e Bashkimit Evropian për herë të parë i referohen Kosovës si “vend” dhe si “komb”. Deri më tani, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e këndej, dokumentet zyrtare të Bashkimit Evropian e kishin shmangur përdorimin e termave sensitivë. Zakonisht ishte përdorur termi neutral: palët, e herë-herë emrat e kryeqyteteve, por asnjëherë “6 vendet” ose “6 kombet”.
Kjo është hera e dytë që Bashkimi Evropian përvjedhë diçka në dobi të Kosovës. Hera e parë ishte me demarkacionin me Malin e Zi. Ky kusht ishte vënë thjesht për ta zyrtarizuar Kosovën si komb sovran në terminologjinë e Bashkimit Evropian. Kur ishte vënë kushti i demarkacionit, 5 kombet evropiane që janë kundër Kosovës (Spanja, Greqia, Qipro, Rumania e Sllovakia) thjesht e kishin parë si një telash më tepër Kosovës dhe nuk e kishin vërejtur se vetëm shtetet sovrane bëjnë demarkacion të kufirit. Fatkeqësisht, nga kjo mundësi Kosovës i doli një dështim, pasi humbi territor, pa pikë nevoje, thjesht nga moskujdesi dhe joprofesionalizmi i komisionit shtetëror. Kur u vërejt gabimi, ishte tepër vonë, pasi Mali i Zi veç e kishte ratifikuar marrëveshjen dhe amerikanët, që e donin Malin e zi në NATO sa më shpejt, nuk ia kishin ngenë ta kthenin procesin nga fillimi dhe thanë: “Grahni se mirë është, kush u ka faj që keni përfaqësues idiotë!”. Sidoqoftë, demarkacioni u krye dhe tani në rastin e Shengenit Ballkanik sërish vjen një dokument që Kosovës në mënyrë indirekte i drejtohet si “vend” e si “komb”.
Pas intervenimit amerikan, tani iniciatori i projektit, Serbia, ose do të duhet ta përfshijë Kosovën në projekt, ku do të duhet ta respektojë si një komb sovran ose do të paraqesë pengesa që do ta bëjnë dele të zezë Serbinë e jo Kosovën.
Natyrisht, rasti ekziston vetëm për ata që dinë ta shfrytëzojnë. Kosova, si një vend i vogël, nuk mund të bëjë politikë të jashtme globale, por krejt çfarë mund të bëjë si politikë të jashtme është politika ndaj fqinjëve të saj. Kosova, njësoj si dhe Maqedonia, nuk ka dalje në det, por – për dallim nga Maqedonia – ajo ka një mundësi më shumë, sepse ka 5 fqinjë për dallim nga Kosova që i ka vetëm 4. Vetëm një politikë me takt ndaj fqinjëve, e harmonizuar me interesat amerikane dhe evropiane mund të bëjë që Kosova të funksionojë si një komb sovran.
Burimi: Shenja.tv
Add new comment