“Miu” i sms-ve shantazhuese e la litarin pas

Postuar në 26 Nëntor, 2019 01:29

Kryeministri i Shqipërisë ka konsumuar dje publikisht një atentat ndaj parimeve të funksionimit të shtetit demokratik. Teksa prezantonte paketën e re ligjore të quajtur anti-KÇK, zoti Rama paralajmëroi se ata deputetë që votojnë kundër ligjit do të përjashtohen nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste. 

Nuk po merremi me statutin e kësaj partie, pasi nuk është serioze. Por ky paralajmërim dëshmon se nisma në fjalë buron nga një emergjencë personale e z. Rama për të cilën ai nuk mund të tolerojë asnjë nga bastet që sjell me vete loja demokratike. Në emër të çfarë legjislacioni dhe parimi zoti Rama kërkon një gjë të tillë që tradhëton çdo propagandë të tipit “më të mirë se ne nuk ka?”

Kushtetuta e Shqipërisë thotë në nenin 70 se deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues. Nëse një forcë politike e njeh dhe zbaton këtë dispozitë, atëherë është e qartë se në procesin ligjvënës edhe drejtuesi i qeverisë duhet të bindë deputetët për votën e tyre, të marrë në konsideratë kërkesat dhe propozimet e tyre dhe jo të urdhërojë apo shantazhojë. Ne po dëshmojmë të kundërtën. 

Më tej, Kushtetuta rregullon edhe ecurinë e procesit ligjvënës. Në nenin 83 ajo përcakton: 

Projektligji votohet tri herë: në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Zoti Rama në cilësinë e kryeministrit dhe kryetarit të PS-së ka injoruar tërësisht këtë parim duke propozuar dhe imponuar një draft që mesa duket nuk do t’i nënshtrohet kërksave të nenit në fjalë veçse si aspekt formal ku automatët me imunitet ulin dhe ngrenë dorën. 

Nuk ka ndoshta ndonjë akt publik më pak demokratik sesa kjo që ka bërë dje kryeministri i Shqipërisë i cili ka shumëzuar me zero rolin e Parlamentit. 
Ky akt na çon pas në kohë në një tjetër moment të errët për demokracinë shqiptare, në 21 korrik 2016, kur deputetët shqiptarë, majtas dhe djathtas u kërcënua me një sms nga ambasada amerikane që të votonin të ashtuquajturën reformë në drejtësi. Një reformë që nisi me këmbën e majtë, jashtë vullnetit të një pjese të parlamentit, e imponuar nga të huajt dhe që sot ka prodhuar si faturë kaosin dhe marrëzinë e një ligji special, subversiv ndaj parimeve të Kushtetutës shqiptare. 

“Miu” Donald Lu që luajti me sms në ato kohë të kujton emisarët jugosllavë të luftës që mësuan nxënësin e tyre shqiptar për të lënë pas një vragë gjysmëshekullore dhe një akulturim të plotë me të gjitha normat më mimimale të një bashkëjetese së paku pragmatiste. 

“Lideri” që sot po shantazhon një vend të tërë ka autorizimin e veçantë të atyre që u është bërë vend në krye të shtëpisë për ta katandisur atë në mejhane ku nuk merr vesh i pari të dytin dhe ku ai që qeveris në fund katandiset në një xhandar me hu në dorë. 

Re.Pu

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.