Përkufizime mbi Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri ( 1939-1945)

Postuar në 18 Nëntor, 2019 15:54
Romeo Gurakuqi

 

Sot, në përkujtimin e 17 nëntorit, ditës kur nën armët e “çlirimtarëve” humbën jetën disa dhjetëra qytetarë të pafajshëm të Tiranës, e çmova të nevojshme dhënien e disa përkufizimeve mbi Luftën e Dytë Botërore në trevat shqiptare.

I gjithë harku kohor i viteve (1939-1946) përbën një thyerje dhe një sekuencë historike, të ndarë nga dy pragje fragmentimi politiko-ushtarak, për Europën, Ballkanin dhe Shqipërinë, pas të cilave kemi përmbysje të thella, që shoqërohen me prishje të qëndrueshmërisë pararendëse. Shpjegimin i historisë së LDB në Shqipëri, bazohet mbi faktorët përcaktues funksionalë të një plani shumë më të gjerë.

Kjo do të thotë, se ngjarjet e luftës, nuk mund të shpjegohen si zhvillime të izoluara të brendshme shqiptare, jashtë periudhës europiane të Luftës së Dytë Botërore dhe ndarjes në dy blloqe pas saj, por para së gjithash, si pjesë e një procesi shumë më të shtrirë europian, pjesë e ndryshimeve që ndodhën në Europë në kohën e aventurës fashiste dhe komuniste, që prodhoi Luftën e Dytë Botërore dhe balancën e re të fuqive pas saj.

Parakushtet e pushtimit fashist të Shqipërisë, rrëshqitja dhe përkulja graduale, që pësoi regjimi i Zogut ndaj Italisë fashiste, nuk mund të shërbejnë si shpjegim i plotë pa kuptuar kontekstin e gjerë të marrëdhënieve ndërkombëtare të krijuara në atë kohë në Mesdheun Lindor, ndërmjet Italisë Fashiste dhe Mbretërisë së Bashkuar, paktin mes këtyre dy fuqive dhe pa kuptuar tipet e marrëdhënieve të aleancës dhe xhelozive të krijuara ndërmjet dy fuqive fashiste, me qendër në Romë dhe në Berlin. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për strukturën e fitores së partizanëve komunistë, që vendosën diktaturën e tyre të plotë, në harkun kohor të periudhës (17 nëntor 1944 – 11 janar 1946).

Çlirimi i Shqipërisë u bë një simbol për historiografinë komuniste dhe për politikën e PKSH-së. Por, kjo ngjarje ka qenë produkt i një numri faktorësh, kryesisht të jashtëm dhe më pak të brendshëm, si: tërheqja e paracaktuar e trupave gjermane, balanca e vendosur ndërmjet fuqive aleate me marrëveshjen e përqindjeve dhe mungesa e një interesi të drejtpërdrejtë britanik dhe amerikan në këtë kohë për këtë vend, indiferencë që dogji mundësinë e një zbarkimi në bregdetin adriatiko-jonian të Shqipërisë; ndikimi i fuqishëm i interesave komuniste jugosllave për kontrollin e Tiranës së pas Luftës së Dytë Botërore për të eliminuar e varrosur çështjen e vështirë nacionale- shqiptare në Serbi, në Mal të Zi dhe në Maqedoni; raportet e veçanta britaniko-hellene, që zhvendosën vëmendjen e Londrës zyrtare në situatën shumë të ndërlikuar të Luftës Civile në atë vend, që u përplas me një forcë të paparë edhe mbi minoritetin shqiptar të Epirit të Jugut, e posaçërisht të Thesprotisë; mosnjohja e Mbretit Zog dhe legitimitetit të kthimit të tij në Shqipëri nga ana e britanikëve, mungesa e një qeverie shqiptare jo komuniste në mërgim dhe përçarja e thellë në planin e brendshëm të forcave politike të Shqipërisë tradicionaliste; mungesa e një orientimi të ftilluar të klasës së vjetër politike në rrethanat shumë të ndërlikuara të tërheqjes gjermane nga Shqipëria dhe Ballkani; demaskimi, që pësuan një pjesë e forcave politike shqiptare nga bashkëpunimi me humbësin e luftës, etj.

Diagnoza e strukturave mundëson më pas arritjen e një konkluzioni shumë të rëndësishëm, se Lufta e Dytë Botërore solli një shndërrim afatgjatë strukturor të shtetit shqiptar, të shoqërisë shqiptare, ekonomisë, elitës drejtuese të vendit, solli ndalimin e rrjedhës së zhvillimit përparimtar të shoqërisë dhe çështjes kombëtare, e cila u përfshi në kanalet më antishqiptare të mundshme.

Duke u bazuar në modele të ngjashme, në shpjegimin e LDB në Shqipëri kam mbrojtur tezën, se rrjedhojat e Luftë së Dytë Botërore shënuan një thyerje prapësuese në zhvillimin normal të shoqërisë shqiptare në raport me linjat politike, ekonomike, sociale, kulturore të përcaktuara nga etërit e shtetformimit, thyerje që u reflektua dhe u përjetua në komunitetet përbërëse të kombit dhe në qarqet elitare, me pozicionime jo të qëndrueshme.

Këto pozicionime u orientuan në mënyrë të vetvetishme drejt njërit ose më shumë prej këtyre elementeve pesë-valentë, sipas rrethanave personale të gjykimit ose të rastësisë: Akomodim, Bashkëpunim, Rezistencë Nacional-Çlirimtare, Luftë Civile dhe Uzurpim Bolshevik të Pushtetit. Kjo do të thotë; që për të mbijetuar në Shqipërinë e dobët dhe të nënshtruar të asaj kohe, një individ, një grup shoqëror, një fis, një familje, një krahinë e Shqipërisë, do të duhej të përqafonte dhe të rreshtohej në njërin nga qëndrimet e mësipërme, dhe më së shumti, në tre nga ato qëndrime: 1. të Akomodohej në paanësi, 2. të bashkohej me Rezistencën, ose 3. të bëhej pjesë e Uzurpatorëve bolshevikë të pushtetit në nëntor 1944.

Kolaboracionizmi më rezulton të ketë qenë një fenomen i reduktuar dhe i kufizuar brenda shoqërisë shqiptare dhe i pangjashëm me modelin më tipik, që u ndesh në rastet e vendeve të tjera të Ballkanit dhe Europës. Kolaboracionizmi ka qenë më së shumti një dorëzim dhe përpjekje për të shmangur përplasjen e pushtimit mbi popullin e një shteti ende të paformësuar. Ndërsa bashkëpunimi i elitave të “Tokave të Lirueme” me pushtuesit, mund të konsiderohet pa mëdyshje, një pozicionim politik i ardhur prej nevojës së ringjalljes kombëtare dhe bashkimit shtetëror në kufijtë etnikë.

Ky impostim teorik dikton periodizimin e madh të ndryshëm të historisë në periudhën nga 7 prilli i vitit 1939 deri me 2 dhjetor të vitit 1945, të periodizimeve të ndërmjetme, dhe shtron nevojën e konceptualizimit të akomodimit, të luftës civile dhe të uzurpimit komunist të pushtetit.

Ky konceptualizim lë tërësisht mënjanë përkufizimet dhe datat e marra si referencë nga historiografia komuniste. Kështu, krahas koncepteve tradicionale të mirënjohura të Rezistencës/Luftës Nacional-Çlirimtare dhe të Kolaboracionizmit është e nevojshme të zhvillohet konceptet e: (a) Akomodimit, për ta diferencuar nga Kolaboracionizmi në përmbajtje; (b) Luftës Civile, që ka bashkëshoqëruar dhe shpeshherë ka mbisunduar mbi Luftën Nacional – Çlirimtare; (c) “Banditizmit Revolucionar”, që shpjegon përzjerjen e elementëve radikalë, injorantë dhe kriminalë në procesin liridashës; (d) Uzurpimit të Pushtetit dhe vendosjes së regjimit të terrorit. Pa i trajtuar këto koncepte, nuk mund të kuptohen proceset, që shoqëruan thyerjen e rrjedhës normale historike të Shqipërisë dhe “Tokave të saj të Lirueme” në vitet e LDB.

Kështu, fenomenet e periudhës Luftës në Shqipëri duhet të analizohen në tre kohë në aspektin politik, institucional, shoqërorë dhe territorial me të cilat u ballafaqua “Shqipëria e Vjetër” dhe “Tokat e Lirueme” në vitin 1941 deri në prill 1945.

Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste solli shkatërrimin e strukturës së brendshme konstitucionale, prapësimin e statusit ndërkombëtar të vendit, ndërprerjen e evolucionit të një nacioni me lindje të ndërlikuar shtetërore dhe ngjizje të vështirë identitare, për shkak të veçorive religjioze, trashëgimisë jo të largët otomane, botëkuptimeve të posaçme që kishte bota shqiptare në Gegëni dhe Toskëri, në qytetet kryesore të vendit, të formësuara tashmë si civitas dhe zonave fshatare, fushore dhe malore në jug, në Shqipërinë Malore Lindore, Mirditën e kapedanëve dhe fiset malore të Alpeve: Dukagjin, Malësinë e Madhe dhe Malësinë e Gjakovës.

Pavarësisht konservatorizmit dhe autoritarizmit, që kishte mbartur Mbretnia Shqiptare e Mbretit Zog, vendi kishte arritur të ndërtonte bashkësinë shtetërore, kishte sendërtuar një rend juridik, politik, shoqëror, arsimor, kulturor me prirje të qarta europianizuese dhe kishte arritur të formësonte një traditë albanianiste dhe shekullare, që respektonte, përveçse rrethit të ngushtë të Mbretit, edhe një rreth vlerash tradite dhe hierarkinë intelektuale. Pushtimi fashist italian i Shqipërisë shkaktoi një tronditje të këtij tradicioni shtetëror dhe shoqëror, të domosdoshëm për përforcimin e ngjizjes shtetërore dhe nacionale të kombit.

Ky moment i veçantë historik, ndau linjën që mbante të bashkuar fijet e zhvillimit, të emancipimit europianizues dhe përparimit, qoftë edhe të ngadalshëm, të kombit shqiptar. Ishte një vazhdimësi e vetëdijshme dhe e ndërgjegjshme, pavarësisht se forcat liberale dhe demokratike, me veshje të qartë perëndimore, synonin një stabilizim më të shpejtë të lirive të plota, të ngjashme me demokracitë perëndimore dhe zhvendosjen nga drejtimi të një kaste me prejardhje otomane, që nuk shqitej lehtësisht nga komanda e punëve shtetërore.

Kjo ka qenë pika e fërkimit dhe e opozicionit të tyre ndaj regjimit të Zogut. Zgjedhja që bënë këto forca për heqjen e pengesës së tyre që kishte emrin, Mbreti Zog (të cilin madje nuk e konsideronin legjitim, për shkak të mënyres se si ai e ndërtoi pushtetin mbretëror duke zhvendosur Mbretin Wied), duke iu bashkëngjitur në proces synimeve imperialiste dhe fashiste të Musolinit, shënon një përzgjedhje të gabuar të linjës politike, që i përfshiu ata fillimisht në një njollosje, dhe më pas në një alibi permanente trathëtie, nga ana e komunistëve dhe nga historiografia zyrtare, që ata prodhuan dhe mbajtën në këmbë për një gjysëm shekulli deri sot më 2019.

Pushtimi fashist i Shqipërisë e futi vendin në një spirale trazirash, që do të shkatërronte në mënyrë të pakthyeshme të ardhmen e një kombi të vogël që ishte ende në përforcim strukturor. Pas 6 muaj lufte mes Italisë me Greqinë në territorin shqiptar, në muajin prill 1941 Mbretëria Shqiptare, si vend në kurorën e bashkuar, pësoi një rikompozim territorial shtetëror pas dezintegrimit të Jugosllavisë dhe Greqisë, por qeveria e Tiranës, e dobët në fillesë, e varur nga politika e Romës, nuk arriti dot të ushtrojë një integritet real shtetëror dhe administrativ në këtë pjesë të trojeve shqiptare të ri-integruara në Shqipërinë e Vërtetë. Lufta Italo-Greke, pavarësisht se solli krijimin e Shqipërisë së Madhe, ndryshoi për të keq fatin ushtarak të Italisë dhe çoi në përfundimin tragjik të 8 shtatorit 1943.

Edhe rikompozimi i Shqipërisë në kufijtë përgjithësisht nacionalë në prill të vitit 1941 nga ana e fuqive të Bllokut Qendror nuk ka qenë një sipërmarrje e lehtë për strukturën qeverisëse të Tiranës, ende të pakonsoliduara për muaj të tërë të pushtimit italian.

Strukturat qeverisë kanë depërtuar më vështirësi, ndërsa ato ushtarake janë mbajtur në këmbë falë ushtrisë italiane dhe forcave nacionaliste- vullnetare, të lidhura mes vetes për arsye fisnore dhe bajraktariste, ndërkohë që proceset e unifikimit ekonomiko-financiar janë shoqëruar me sforcot e veta të mëdha. Pushtimi italian është karakterizuar nga kriza të pandërprera, politike dhe qeverisëse dhe nga rritja e pandalshme e lëvizjes së rezistencës, që ka ardhur jo vetëm nga LNÇ-ja, por edhe nga BK dhe Nacionalistët e tjerë: vëllezërit Kryeziu, Abaz Kupi, Muharrem Bajraktari, Mehmet Aliu etj..

Në vitin e fundit të pushtimit kemi një përpjekje të dëshpëruar për korrigjim politikash, për një autonomi më të madhe shtetërore të entitetit shqiptar brenda perandorisë, që shoqërohet edhe me ndërrimin e kavalierëve të politikës italiane në Shqipëri (ardhja në krye të Mëkëmbësisë së Alberto Parianit). Por fati i pushtimit italian të Shqipërisë ishte tanimë i përcaktuar nga ndërhyrja ushtarake perëndimore dhe kapitullimi i 8 shtatorit 1943, ishte rrjedhim logjik i saj. Shqipëria priste fatin e vet.

Periudha e dytë është koha e pushtimit gjerman të Shqipërisë: një rast i veçantë i okupacionit ushtarak dhe i një lirie sjelljeje të organizmave qeveritarë vendas, në të gjitha aspektet, me përjashtim të sigurisë publike, ku detyrat shtetërore ndërthureshin me misionin e një ushtrie të huaj, e cila ishte në një numër krejtësisht të reduktuar krahasuar me ushtrinë pushtuese italiane, të periudhës paraprirëse.

Ishte një përpjekje utopike e forcave nacionaliste për rivendosjen e legalitetit konstitucional të 1 shtatorit të vitit 1928, gjegjësisht të Mbretërisë Shqiptare, tashmë me një Regjencë tranzitive në vend të Mbretit, i cili nuk kishte abdikuar; një elitë e re drejtuese, e përzgjedhur me dorën e njohësit më të mirë gjerman të botës shqiptare të kohës (Majorit Shajger), nga pikëpamja e kapaciteteve intelektuale dhe forcës së patriotizmit; në vijim, një elitë, e cila do të shkatërrohej brenda pak muajve, nga pikëpamja e potencialeve shërbenjëse ndaj vendit.

Ishte pjesa e fundit e elitës shtetformuese, që ra në kurthin e ngritur nga nazistët në njërën anë dhe komunistët në anën tjetër. Misioni stabilizues i rendit politik, rikthimi i pavarësisë, rikompozimi i elitës drejtuese politike, qetësimi i vendit, mbajtja e Shqipërisë në kufijtë e vet natyralë, rezultoi një operacion politik dhe administrativ i pamundur, deri diku naiv, jo realist, për shkak të rrethanave të startit dhe vijimit të punës rindërtimore, për shkak të një lufte botërore me ekuilibra që ndryshonin jashtë Shqipërisë, për shkak të “kurthit” të krijuar nga nazistët gjermanë dhe komunistët në përplasjen e tyre në vend dhe rajon.

Përpjekja utopike e forcave nacionaliste, në vjeshtën e vitit 1943, për rivendosjen e Legalitetit më datën 1 shtator 1928 rezultoi e pamundur, naive, jo realiste, nën “kurthin” e krijuar edhe nga komunistët shqiptarë, të dirigjuar nga emisarët e Mareshallit Tito dhe Enver Hoxha. Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore për Shqipërinë solli jo vetëm mbarimin e shpresave të publikut për kthimin e legalitetit konstitucional pararëndës dhe rendit të normalitetit të vendit, por edhe shkatërrimin në mënyrë të pakthyeshme të rendit social, hierarkisë shoqërore, disbalancimin politik ndërkrahinor për shkak të mbivendosjes së dhunshme të brigadave partizane nga Shqipëria e Jugut, në Veri të vendit.

Kjo kthesë, solli shkatërrimin e vlerave kulturore, që qendrat urbane të spikatura të Shqipërisë kishin ndërtuar në disa dekada; solli shkatërrimin e Shqipërisë së Veriut dhe kryeqendrave të saj: Shkodra, Tirana, Durrësi, Gjakova, Prizreni dhe zonave të qeverisura me një autonomi të pashpallur, si: Mirdita, Dukagjini, Malësia në përgjithësi. Së bashku me ato u rrënuan në mënyrë të pakthyeshme institucionet e lirisë, të konstitucionalizmit, të pluralizmit politik, e drejta zakonore, institucionet religjioze dhe e gjithë klasa e elitës intelektuale dhe shtresa e mesme e vendit.

Ky proces regresist e shndërroi Shqipërinë në një njollë të madhe të varfërisë dhe prapambetjes për 7 dekada me radhë në Europë, produkt i datës simbolike, 29 nëntor 1944, gjegjësisht datë e vendosjes së Diktaturës së Terrorit Komunist. Teorikisht, kjo datë duhej të ishte data simbolike e lirisë për të gjithë shqiptarët dhe e rikompozimit të shtetit, por në të vërtetë, nuk u bë kurrë e tillë. Përndryshe, nëntori 1944 është një muaj i zi i historisë kombëtare, për shkak të masakrave të hapura të “çlirimtarëve”.

Këtu është vendi për të dhënë disa konsiderata për Luftën Civile në vend: Pyetja që shtrohet është: A ishte lufta civile tipari përcaktues i segmentit kohor të periudhës së viteve (1943-1944)?

Sipas mendimit tim, ka qenë tipar i rëndësishëm bashkëshoqërues i luftës çlirimtare në harkun kohor të muajve dhjetor 1943 deri në fund të vitit 1944, d.m.th. gjatë gjithë segmentit kohor të pushtimit gjerman të Shqipërisë, procesit të ballafaqimit të UNÇSH dhe tërheqjes strategjike së trupave gjermane, përmes Shqipërisë nga jugu i Ballkanit drejt tokave të ish- Jugosllavisë. PKSH nën udhëzimin e drejtpëdrejtë të delegatëve komunistë jugosllavë, prishi njësinë përbashkuese dhe gjithpërfshirëse të LNÇ/FNÇ dhe e shndërroi atë, në fund të verës së vitit 1943, në rrethanat e kolapsit italian, nga një organizëm i bashkimit mes shqiptarëve në luftën për përballimin e sfidës së mbijetesës në Luftën e Dytë Botërore, në një organizëm politik e ushtarak të majtizmit ekstrem, që eliminoi njësueshmërinë e krahëve antifashistë të shoqërisë shqiptare.

Rezultati final i Luftës Civile përcaktoi rendin politik, social dhe ekonomik, si edhe mbizotërimin e njëanshëm krahinor në qendrën politikbërëse, që komunistët i vendosën Shqipërisë pas marrjes së pushtetit, pas shtypjes së rezistencës së Shqipërisë së Veriut dhe pas lejimit të kalimit të “Tokave të Lirueme”, në Lindje, Verilindje dhe Veriperëndim, në shtetin jugosllav

III. Periudha e fundit e luftës në Shqipëri fillon nga 17/29 nëntori 1944 dhe vijon deri në “ligjësimin” e Diktaturës së Terrorit Komunist më, 2 dhjetor 1945/11 janar 1946. Vjeshta e vitit 1944 është koha e rënies së përshpejtuar të elitës drejtuese tradicionale të vendit nën goditjen e armëve të UNÇSH-së dhe në rrethanat e precipitimit të kaosit në vend. Periudha pas 17/29 nëntorit të vitit 1944 është koha kur u krye spastrimi i pjesës, joaktive politikisht, të elitës që jetoi mbasi duhej jetuar në kohë, asaj që u akomodua, por edhe asaj që nuk u përzier me asnjërën palë, gjatë ballafaqimit civil.

Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore për Shqipërinë, d.m.th. çlirimi i vendit, rënia e qeverisë së patriotëve të etiketuar si “ tradhtarë” të Tiranës, solli përfundimin e shpresave të publikut për kthimin e legalitetit konstitucional pararëndës nën Mbretin Zog dhe rendit të normalitetit në vend.

Ndodhi shkatërrimi në mënyrë të pakthyeshme i rendit social, i hierarkisë shoqërore, disbalancimi politik ndërkrahinor i udhëheqësisë; ndodhi shkatërrimi i menjëhershëm i komuniteteve të lira qytetare dhe së bashku me ato, edhe i vlerave kulturore që qendrat urbane më të spikatura të Shqipërisë kishin ndërtuar me dekada.

Ndodhi procesi i shkatërrimit të shoqërisë, i rendit politik tradicional, i instituteve tradicionale të arsimit, të kulturës, të jetës komunitare të popullsisë së Shqipërisë dhe posaçërisht të Shqipërisë së Veriut dhe kryeqendrave të saj: të Shkodrës, Tiranës, Durrësit, Gjakovës dhe Prizrenit. Këto dy qendra të fundit, së bashku me “Tokat e Lirueme” në vitin 1941 iu kaluan sërish Jugosllavisë me ndihmën politike dhe ushtarake, gjegjësisht të PKSH-së dhe Divizioneve V dhe VI të UNÇSH-së. Ndodhi ndërhyrja e armatosura e partizanëve në zonat e papushtuara ndonjëherë, si në Mirditë, në Dukagjin, në Dibër, Malësi, Has, Lumë, Malësi e Gjakovës etj.

Së bashku me këtë invadim ndodhi rrënimi në mënyrë të pakthyeshme i institucioneve tradicionale të një shoqërie, që ishte mësuar të ecte me ritme të ngadalta drejt progresit, por edhe i institucioneve të lirisë, të drejtës zakonore, të pluralizmit të shoqërisë, i institucioneve religjioze dhe i gjithë klasës intelektuale dhe të mesme të vendit. Ky proces regresist do ta shndërrojë Shqipërinë në vendin, që në hartën e Europës të prezantohet si një njollë e madhe për shkak të varfërisë ekstreme dhe të prapambetjes për shtatë dekada me radhë.

Ky është leximi im i historisë së Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, pas një punë intensive 10-vjeçare, bazuar mbi disa dhjetëra mijëra faqe dokumentacion nga burime të ndryshme arkivore. Dëshmia ime i drejtohet qytetarëve të lirë të këtij vendi, që janë të predispozuar të mësojnë të vërtetën historike të këtij vendi dhe para së gjithash, brezit të ri të Shqipërisë çliruar nga prangat e propagandës neo-komuniste.

Burimi: Gazeta Shqiptare

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Zoti Gurakuqi, pershkrimi dhe analiza juaj e periudhes se luftes se dyte boterore ne Shqiperi eshte nga me te saktat, ne mos me e sakta qe kam lexuar ndonje here. Gezohem qe ne te gjej te formuluara dhe artikuluara ne menyre koncize gjera, qe edhe pa qene historian, me kishin shkuar ndermend edhe mua. Flm!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.