Maskarada e KQZ-së, kush po i autorizon sulmet promovuese ndaj Denar Bibës?

Postuar në 05 Korrik, 2019 14:10

Tallavaja politike është zhvendosur edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Përveç lajmit të kërcënimit të kryetarit të tij, Klement Zguri, mbledhja e djeshme ka provuar një tjetër maskaradë të luajtur për qëllime personale të zv.kryetarit Denar Biba.

Kërkesës për hetim administrativ të Zgurit, lidhur me zgjedhjet e 30 qershorit, Biba i është kundërpërgjigjur me një gatishmëri thuasje qesharake, duke propozuar madje që ky hetim të shkojë deri në zbardhjen e arsyeve se pse KQZ-ja nuk ka drejtor IT-je që nga viti 2018.
Rrapëllimës juridike të Bibës i janë kundërvënë në fakt edhe dy anëtarë të majtë tyë Komisionit, që kanë vënë në dukje se institucioni ka hallka dhe struktura të cilat mund të veprojnë për të zbardhur, apo të japin përgjigje se përse mungon drejtori në fjalë. Pretendimi i BIbës është se mungesa e këtij drejtori ka sjellë dështimin e sistemit online të të dhënave që sipas tij funksionon vetëm për zgjedhjet e përgjithshme. Një gjë e tillë nuk konfirmohet nga burime në KQZ që bëjnë me dije për ResPublica se sistemi është në funksionim.

Pse atëherë ky zhvillim në KQZ?

Siç mund të merret me mend dhe është kuptuar, shumica në pushtet ka krijuar dyshime të forta se ka bërë ndërhyrje në listat e zgjedhësve gjatë ditës së votimit për të korrigjuar pjesëmarrjen që nuk i kalon 16% sipas të dhënave nga opozita. Për të realizuar këtë duhet që KQZ-ja të vepronte me disa mjete, qoftë edhe duke bllokuar hedhjen e të dhënave në sistem, apo edhe udhëzimin e komisionerëve.

Zoti Biba ka marrë një rol në këtë drejtim nisur nga llogari shumë personale. Ai është një zyrtar i dëmtuar nga disa akuza që kanë dalë në media për të. Së pari ai është larguar me dorëheqje nga Komisoni i Prokurorimit Publik në të njëjtën ditë me anëtarët e tjerë, për arsye që edhe sot mbeten të paqarta. Ka informacione se këtë dorëheqje e ka imponuar auditi i Kryeministrisë që ka gjetur parregullsi të mëdha.

Këto parregullsi z. Biba iu përsëritën në formën e akuzave shkresore nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në cilësinë e drejtuesit të KQZ-së, me një raport i cili në variantin përfundimtar u shpall konfidencial, ndërkohë që Prokuroria vendosi të mos niste procedim penal ndaj tij, pavarësisht se kishte një kallëzim nga KLSH. Të gjitha këto nuk mund të bëhen pa mbrojtje politike dhe që z. Biba e ka këtë u provua me audiopërgjimin e tij me gjykatësin e Shqipërisë në Strasburg, Ledio Bianku, ku ai fliste i autorizuar nga sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi.

Sot z. Biba mendon se ka gjetur momentin për t’u ripromovuar si një zyrtar i dobishëm, me shpresën se do të kalojë provën për në Gjykatën Kushtetuese si një ndër kandidatët në garë.

Një mënyrë fare banale dhe e diskredituar që politika ka përdorur përherë në këtë drejtim, është promovimi nga kundërshtari politik. Është rastësi apo normale fakti që numri dy i PD-së, Gamzend Bardhi ka nisur një “sulm promovues” ndaj Bibës kur e quan KQZ-në, si Biba Komisioni? Vendimmarrja në komision është kolegjale dhe asnjë meritë nuk shkon këtu për njërin apo tjetrin, pavarësisht se mikrofoni përdoret më gjatë nga z. Biba. I cili përfaqëson shembullin sesi nuk duhet të jetë një zyrtar i shtetit.

Comments

Submitted by Gaz Bardhi (not verified) on

Po Res Publica, mund ta shohesh edhe nga kendveshtrimi juaj negativ. Ka vetem nje problem qe e shben gjithe kete ngrehine mashtruese qe ngrini ju: Denar Biba nuk eshte fare kandidat per Gjyjate Kushtetuese.
As te genjeni nuk dini

Submitted by redaksia on

Per Gjykaten Kushtetuese keni te drejte, lapsusi yne. Per kete i kerkojme ndjese z. Biba qe e kemi perfolur per nje post qe ndoshta nuk e meritonte perfoljen. Por argumenti qe shtroni Ju nuk e zhben ngrehinen mashtruese sic e quani sepse ne thelb parashtrimi ne shkrim eshte analitik dhe nuk lidhet detyrimisht me kete fakt. 

Ne cdo rast, ne nuk kompleksohemi pse nuk dime te genjejme, sepse as nuk ishte ai qellimi. Sinqerisht. Mund te kete qene burimi i pasakte p.sh, ose informacioni duhej trajtuar ndryshe. Ka vend per kritika. Ju shkuat menejehere te mashtrimi, duke na akuzuar se nuk dime ta bejme mire kete gje. 

Falemnderit! Nuk vuajme per talente te tilla. E pranojme ekzkluzivitetin e dikujt tjeter pa asnje fare zilie. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.