Teshtimat e stisura të Beogradit për shëndetin e Edi Ramës dhe Hashim Thaçit
Beogradi zyrtar është katandisur tashmë në një recitues monoton të të vetmes vjershë që di: Shqipëria e Madhe. Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, ka deklaruar për televizionin publik serb se Edi Rama dhe Hashim Thaçi po krijojnë Shqipërinë e Madhe, ndërkohë që Serbia po përpiqet të ndjekë një politikë konstruktive.
Nuk po flet më Serbia për këtë Shqipërinë e Madhe – është Thaçi dhe Rama, kjo do të thotë të pështysh në fytyrën e mbarë BE-së, të të gjithëve që op bindin Serbinë se duhet të jemi të qetë dhe konstruktiv. Ne jemi ulur në tavolinë, ndërkohë që nën të, ata po rregullojnë krijimin e Shqipërisë së Madhe
ka thënë Daçiç.
Rituali i zakonshëm që nuk gënjen më njeri: të akuzojmë Thaçin dhe Ramën si nacionalistë pse kështu neutralizohen sadopak akuzat që u bëhen atyre në planin e brendshëm. Kjo për një arsye të thjeshtë: Serbia e ka të mundur të bëjë marrëveshje kompromisi me shkëmbim territori, të cilat i fsheh pas eufemizmit marrëveshje historike, me Edi Ramën dhe Hashim Thaçin. Nëse rifaktorizimi i tyre si nacionalistë është një mënyrë për t’i ndihmuar, atëherë kjo po ndodh.
Përndryshe as z. Daçiç dhe as z. Vuçiç nuk dinë të shpjegojnë sesi Thaçi dhe Rama, dy njerëz që nuk kullandrisin dot Shqipërinë dhe Kosovën me popullsi të reduktuar, do të na bëjnë Shqipërinë e Madhe ndërkohë që nuk qenë të zotë as të marrin ca katunde në Preshevë e të publikojnë një draft konkret për shkëmbimin e territoreve për të cilat me hartë në dorë foli vetëm Baton Haxhiu.
Kjo që bën z. Daçiç qëhet rëndom diplomaci publike, por po të kthehesh pas në arkiva fjalët e z. Daçiç mund t’i gjesh pak a shumë të njëjta edhe në vitet ’80 të shekullit të kaluar.
E mira e kësaj teshtime kronike nga Danubi është se raportet hyjnë në suazë normale njerëzore, pra gënjeshta e miqësisë serbo-shqiptare e hedhur me katapultë nga z. Rama gjatë vizitës së tij në Beograd është e pamundshme dhe larg realitetit. Ne kemi për detyrë të jetojmë në normalitet dhe normaliteti për ballkanasit është puna, shkollimi dhe sidomos qetësia që nuk është dukur këtyre anëve për më shumë se një shekull.
Add new comment