Identikiti i Dyshit, jo Pasardhësit
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka dhënë sot dy intervista; të parën për një intervistuese me emrin Fjorda Llukmani, të dytën për emisionin “Top-Story”. Nuk po merremi me anën politike të deklaratave të z. Veliaj, pasi kryebashkiaku është aq inert dhe monoton në qëndrimet publike saqë do ja kishte zili edhe ndonjë veteran që një e dy bën me shokët muhabetin e Luftës.
Le të përqendrohemi pak te Dita e Punës së Erion Veliajt, ashtu siç e shpjegon ai vetë në intervistën me znj. Llukmani.
Unë në fakt e nis ditën shumë herët në mëngjes, rreth orës 6 gjendem në zyrë për të programuar ditën e për të punuar me shkresat apo emailet, në mënyrë që pjesën tjetër të ditës të jem në terren për të parë nga afër punimet që zhvillohen ne qytet, apo për të marrë pjesë në aktivitete të ndryshme
thotë në një nga përgjigjet e veta kryebashkiaku.
Pra ne në Tiranë kemi një kryebashkiak që është në zyrë në orën 6 të mëngjesit. Kjo do të thotë dy gjëra: së pari se z. Veliaj zgjohet në orën 5 të mëngjesit, koha që duhet për të qenë në zyrë një orë më vonë.
Së dyti se ai nuk përdor linjat urbane për të shkuar në punë. Përndryshe do kishim parë kaq shumë selfie dhe njoftime për këtë saqë do ishim mërzitur. E imagjinoni Ju z., Veliaj çdo mëngjes në stacion autobuzi???
Nëse shohim prezencën mediatike të z. Veliaj, dinamizmin e tij si person, por edhe faktin se ka një detyrë që ka përgjegjësi jo të vogël, është realiste të hamendësojmë se ai nuk shkon dot në shtrat para orës 01:00 pas mesit të natës. Për këtë arsye, koha e gjumit të kryebashkiakut tonë është 4 orë. Elon Musk ka zbuluar se fle 6 orë që është kufiri optimal mes gjumit të nevojshëm dhe gjumit të tepërt. Dhe Musk ka arsye miliardat e dollarëve dhe të ardhmen e botës që fle kaq "pak". Sigurisht që ka njerëz që flenë edhe vetëm 4 orë në 24 orë, por këta janë të rrallë.
Zoti Veliaj vesh shpesh bluzën e Superman-it dhe ndoshta është rasti i tij ky që fle pak dhe punon shumë. Por sërish shpenzimi i energjive mes punës së zyrës, koordinimit, prezencës mediatike, tenderave, kundërreagimeve dhe informimit mbi zhvillimin politik kërkojnë angazhim të jashtëzakonshëm. Zoti Veliaj ka një punë që duhet të presë shumë njerëz përditë dhe vështirë se koha ia lejon – teorikisht të paktën – që të bëjë gjithçka dëshiron.
Por duke folur më tej, ai zbulon se ka kohë për të gjitha.
Prej dy vjetësh marr pjesë në Maratonën e Tiranës dhe më është dashur të përgatitem fizikisht duke vrapuar pothuajse çdo ditë në Parkun e Liqenit të Tiranës
Kush bën vrap e di shumë mirë se për të bërë qoftë edhe një xhiro të lehtë rreth Liqenit të duhen minimum 1.5 orë, pasi pas vrapit të duhet të bësh një dush e mandej të rinisesh për në punë. Është pak e vështirë të besosh se z. Veliaj është përditë nga liqeni për vrap, por kjo nuk ka pse të përjashtohet. Vetëm se në një përgjigje tjetër ai thotë:
Më pëlqen të shoh sesi ka ndryshuar parku e si ka ndryshuar njëkohësisht me të dhe humori i qytetit. Është gjithmonë plot të rinj e të reja të cilët vrapojnë, organizojnë festa e piknikë, mblidhen dhe lexojnë, këndojnë.
Është plot e përplot gjyshër, familjarë e fëmijë. Më përcjellin të gjithë energji kaq pozitive. Shkoj me djalin e Ajolën për të bërë një shëtitje në ajër të pastër, ose dal për vrap mëngjeseve. Mund të them se pothuajse çdo ditë e vizitoj atë park
Pra zoti Veliaj, një njeri që ka një mijë e një angazhime, ia del që të mbarojë punët e pafundme të Bashkisë, të kontrollojë, të bëjë vrap, të dalë shëtitje me familjen, të fotografohet me gjyshër dhe gjyshe, të meditojë për këto bukuri të Tiranës dhe të rikthehet sërish në punë. Edhe kjo është e mundur, por nuk mund të bëhet përditë për vite.
Nuk mbaron këtu. Z. Veliaj ka kohë edhe për jetën e natës.
Unë nuk mund të them që jam frekuentues i rregullt i jetës së natës, por herë pas here më pëlqen të jetoj dhe këtë aspekt të jetës në qytet. Por është e sigurt se pas daljeve, bëj dhe një inspektim të fundit, para se të shkoj në shtëpi për të parë situatën me pastrimin e qytetit, ndriçimin e rrugëve apo problematika të tjera që mund të bien në sy
Tirana është e vogël dhe mjediset e jetës së natës janë të kufizuara në numër, ndaj këtë prezencë të kryetarit që shëtit syçelët për të parë punët që po bëhen do ta kishin vënë re shumë njerëz. Apo edhe ndonjë “paparazz”, pa folur këtu që natën z. Veliaj mund t’i rastiste të takonte edhe kryeministrin që konsultohet me taksixhiun që ka mbaruar juridikun.
Komedia e kësaj interviste nuk ka të sosur kur z. Veliaj, ose për konçidencë ka ngjashmëri me karrierat e figurave të njohura politike, ose i vjedh ato për të plotësuar në mënyrë autosugjestive profilin e dikujt që e ka shkruar fati të bëhet dikush që është më shumë sesa një kujdestar vijash të bardha.
Kë po imiton z. Veliaj? Cilin model po ndjek duke u rropatur të mbajë në këmbë një fytyrë mediatike që stonon me sytë e tij, me shikimin dhe sidomos me ato që firmos? Dhe si është e mundur që një punë kaq e ngjeshur, kaq intensive, me kaq stres dhe sulme ta mbajë kaq të çlirët?!
Kanë shkruar se kohë pasi e kishte lënë mandatin e tij si kryebashkiak i Bostonit(Guvernator i Masçusets), Michael Dukakis, që kandidoi edhe për president të SHBA-së, shihej rrugëve të qytetit duke mbledhur letra dhe duke i hedhur në koshat përkatës. E shpjegonte këtë me një dashuri gjenuine për qytetin. Ndoshta z. Veliaj i ngjan pak z. Dukakis, që kishte pamjen e një profesori të përkorë me moral të paprekshëm. Por Tirana nuk është numri i pemëve të mbjella. Është edhe mjedisi i interesave të mëdha, të cilat nuk është se z. Veliaj nuk i njeh, u rri larg apo nuk i kupton. Ai është identifikuar si personi i duhur që mbaron punë duke bërë lirshëm sikur nuk e di që ka edhe ligje. Teatri Kombëtar na e dha këtë mundësi për ta kuptuar.
Unë dhe stafi që drejtoj jemi të fokusuar veçanërisht te fëmijët dhe nuk punojmë për zgjedhjet e ardhshme, por për gjeneratat e ardhshme
Ja një fjali që të bën të të vijë keq për patriotët e tu që votojnë duke besuar kaq lehtë. Huazuar nga një zhargon nga e shkuara, ajo tingëllon fare e ekzagjeruar. Por bashkë me këtë fjalinë tjetër të paturp:
…do të më pëlqente të isha profesor, në mënyrë që të kisha mundësi të isha në komunikim e kontakt të vazhdueshëm me njerëz, ide e ndryshim, duke dhënë kontributin tim për krijimin e një shoqërie më të mire
ajo na sjell ndërmend Enver Hoxhën, i cili edhe ai sepse kishte një obsesion për t’u shfaqur me fëmijë, por kur ishte i shtyrë në moshë, dhe edhe ai thoshte se do të donte të ishte bërë profesor matematike.
E gjithë kjo supë e thartuar nuk provon vetëm mediokritetin e këtij individi, pasi në fund të fundit një gjë e tillë do të kompensohej nga puna. Ajo provon edhe problemin e madh të identitetit që z. Veliaj ndjen se e ka në politikë. Ai është një figurë publike, por që nuk është pikë referimi për asgjë. Ai mund të jetë një histori suksesi apo një casus studimor për ndikimin e rrjeteve sociale në shoqëritë e prapambetura si kjo jona, por pas së cilës po të heqësh zhurmën nuk mbetet shumë.
Z. Veliaj ka edhe një situatë të vështirë politike ku i duhet të përtypë vazhdimisht poshtërimin. Në mitingun prezantues të tij për mandatin e dytë, kryeministri Rama nuk nguroi që për Teatrin Kombëtar, Muzeun Historik dhe Teatrin e Kukullave, pra për prishjen e tyre, të fliste vetë. Duke e konsideruar kryebashkiakun një noter personal. Kjo është diçka që me të vërtetë z. Veliaj nuk e meriton, pasi ai duhet thënë që ka firmosur dhe ka marrë kosto për çdo gjë. Po çfarë gjëje me peshë ka përtej këtyre Tirana? Lulishtet dhe vijat e bardha z. Veliaj i mbaroi…
Gjithësesi ai duhet respektuar për përpjekjen dhe vullnetin dhe këtë mund ta masim edhe në rrjetet sociale, ku megjithatë prapë nuk ka qullosur gjë. P.sh në tuiter z. Veliaj ka 160 mijë ndjekës, vetë ai ndjek 1005 profile dhe ka numrin record të 30 100 pëlqimeve.
Nga ana e vet z. Rama ka 333 mijë ndjekës, ndjek 279 profile dhe ka vetëm 13 like. Shpërndarja e statuseve të z. Rama është disa herë më e lartë sesa ajo e z. Veliaj që është hiperaktiv edhe këtu. Ky raport është thuajse i njëjtë edhe në Facebook, me dallimin se shpërndarja e materialeve të z. Veliaj është shumë e lartë krahasuar me ndjekësit dhe reachin e Facebook.
Çka na thotë se zotëria është në politikë, por nuk po arrin dot të shndërrohet në një Njeri Politik. Dhe këtë defiçencë ia krijon paaftësia e tij me Fjalën që aq shumë e shpërdoron sidomos kur është në dy vende të ndryshme në të njëjtën kohë. Por edhe alergjia nga e Vërteta më minimale, ndoshta sepse është kaq optimist saqë jeton në një realitet tjetër.
Add new comment