Protesta, betimi dhe muhabete kot (Video)
Panorama e krizës politike që po kalon vendi vijon edhe sot me të njëjtën shfaqje. Opozita që ka djegur mandatet dhe mbështetësit e saj u mblodhën në protestën e radhës para parlamentit, ndërsa mazhoranca nuk u tërhoq nga vendimi për të zhvilluar seancën. Kryeministri Rama e ftoi sërish opoziten për dialog, por paralajmëroi se reformën zgjedhore kjo mazhorancë do ta miratojë me opozitën e re që po zë vendet në parlament.
Ai tha se protestat e dhunshme nuk po dëmtojnë qeverinë, por vetëm imazhin e Shqipërisë. Sipas tij, akuzat e opozitës për dosje që lidhen me vjedhjen e zgjedhjeve janë muhabete kot. Pas fjalimit të kryeministrit në parlament, deputetët e rinj që morën mandatin nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve bënë betimin. Të katër deputetët, Ylli Shehu, Aurora Mara, Edmond Rrushi dhe Enver Roshi, vijnë nga lista shumëemërore e LSI-së.
Vendeve të opozitës në parlament pritet t’u shtohen edhe 5 deputetë të tjerë. Sot, në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve kanë dorëzuar formularin e dekriminalizimit kater kandidate, Erdiola Braha, nga lista e LSI në qarkun e Gjirokastrës, Elda Hoti nga lista e LSI në qarkun e Lezhes, Majlinda Halilaj nga kandidatët e Partisë Demokratike në Qarkun e Tiranës dhe Ligoraq Karamelo nga listat e opozitës në qarkun e Korçës. Një ditë më parë formularin e dorëzoi edhe Lefter Maliqi nga lista e PD ne Berat. I vetmi nga deputetët e rinj që është prononcuar ka qenë Ylli Shehu nga radhët e LSI-së.
Pas fjales në parlament kryeministri u nis drejt Italisë, ku siç lajmëron do të jetë i ftuar në disa kanale televizive për të folur dhe mbrojtur Shqipërinë pas cënimit të rëndë që thotë se i ka bërë shfaqja e turpshme e dhunës partiake të 16 shkurtit e në vazhdim, e cila sipas tij ka trembur investitorët e huaj dhe cënon turizmin që punëson e ushqen dhjetëra e mijëra njerëz.
Add new comment