Manifaktura shqiptare e "lajmit"
Është e diel. Dhe për ata që punojnë në media, qoftë televizion, qoftë shtyp i shkruar, qoftë media online, është i njohur fakti se të dielave nuk ka lajme. Lajme me përkufizim quhen një grumbull informacioni, me pamje dhe tekst që presupozohet se bashkë konstituojnë një ngjarje me interes më të gjerë sesa gustot e gazetarit, pronarit, apo redaktorit.
Të dielën nuk ka shumë të tilla. Mirëpo meqenëse në media ka një ligj të pashkruar që presupozon se lexues ka në çdo orë, në çdo çast, pa ndërperje, edhe hedhja e lajmeve duhet të bërë me këtë ritëm.
Për këtë arsye ndodh që në vend të lajmeve të hidhen gjëra që përshkruhen me tekst dhe foto. Sidomos në faqet online ku kontrolli i përdorimit të faqeve dhe sasisë së informacionit është shumë preciz. Dhe për këtë arsye portalet, apo port-halet siç i tallin, përgojohen kaq shumë për cilësinë e tyre.
Por mjafton që njëherë të të rrëshkasë këmba dhe emri që i vë vetes del menjëherë. Shikoni foton bashkëngjitur këtij shkrimi. Është një “lajm” i hedhur në faqen online të Top-Channel në orën 9:58. Pra puna sa ka nisur dhe duhet hedhur një lajm se “na shohin që nuk kemi bërë gjë”. Siç mund të shihet lajmi është krejtësisht pa kuptim për të qëndruar në homepage e faqes online të një televizioni kombëtar në Shqipëri. Shkrime të këtilla, pra për armë të caktuara, janë tema që kryesisht trajtohen nga media të specializuara, por jo në media gjeneraliste. Nga ana tjetër, përveç titullit që është ndryshuar për shkak se shprehjet kundër NATO-s, ngjajnë si gabim në vijën politike, në tekst nuk ka asgjë që ta përligjë atë. Tri foto, referim i një eksperti që nuk dihet se ku ka folur dhe se çfarë përfaqëson dhe ja një titull, alamet titulli ama, doli. Hooop, një upload dhe save. Iku.
Tanket e Putinit qenkan më të mirat në botë. Edhe pse ato janë ndërtuar në mesin e shekullit të 20-të. Ndoshta autori është partizan i militarizimit dhe me gjasë po i bën thirrje ndërgjegjes shtetformuese shqiptare për krimin e madh të shkatërrimit të njësive tankiste në Shqipëri që janë e njëjta gjeneratë me këto që ka Putini e që fitojnë Luftën e Tretë Botërore.
Nuk është një portal. Është www.top-channel.tv(http://top-channel.tv/2017/10/23/tch-fytyre-e-re-ne-internet/).
Kështu na thotë një spot publicitar i këtij televizioni. Motot mund të jenë të bukura, por përmbajtja e tradhëton këtë vetëbesim teksa zbulon jo dobësinë e një gazetari në web, por vetë strukturën e punës që qëndron pas gazetarisë online të TCh. E cila ndjek parimin: Hidh mos rri kot!
Kjo e amniston shkruesin e lajmit me një paragraf, që nuk ka as qëllim, as adresë dhe as kuptim. Është një shembull ndër të shumtit në median online që nuk duhet përdorur kurrsesi për t’i bërë vërejtje gazetarit – që i kërkojmë sinqerisht ndjesë nëse dikush ia tërheq vëmendjen te Kanali Top- por për të parë diçka në mënyrën si punohet.
Media online shqip – dhe këtu e kemi fjalën për port-halet – ka madje zakonin shumë qesharak të riqarkullimit të editorialeve të mediave të tjera. Komenti, shënimi, editoriali në fakt janë shprehje e qëndrimit specifik të një medieje, apo një gazetari për një çështje apo politikan, që udhëhiqet nga premisa që nuk janë shumë të njohura për publikun, ndonëse parimisht ruajnë një qasje objektive. Si atëherë këtë editorial e riqarkullojnë të gjitha mediat? Si ta shpjegosh këtë veçse me faktin se këto media ndjekin parimin e homologimit për të krijuar përnatë korin e përbashkët si e si për të ngulitur një mendim apo një ide të caktuar? Këtë e kërkon jo profesionalizmi, por borderoja dhe shpesh, nuk përjashtohet, halldupëria e gazetarëve.
E ka qarë! Mirë shkruan ai! E pe ça i kishte bërë? Një copy - paste dhe ja shkoi. Plas o Edi Rama, apo Sali, sipas rastit!
E ndërkohë që shkruhet kjo fletërrufe dashamirëse ndaj Top-Channel me siguri që janë hedhur lart e poshtë 35 “lajme” marrë andej –këndej, zhvatur pa teklif, rrëmbyer rrugës, mundësisht me foto. Pse të mos e ndihmojmë pak pra edhe kolegun tonë të TCh duke ia bërë share lajmin e tankut për të krijuar idenë se qenka alamet lajmi dhe ja e morën të gjithë?
Kështu edhe “shefat” nuk kanë çfarë t’i thonë, pasi fundja ai lajm mori dhenë. Ndoshta e sheh edhe Putini vetë edhe pse qëkurse erdhi në detyrë nuk e ka parë njeri me celular në dorë.
Shaptilografisti
Add new comment