Ekskluzive/Sali Berisha: Ja e vërteta e vizës sime për në ShBA
Pas seancës së sotme parlamentare, “Të Kripura” i mori një intervistë ish-kryeministrit Sali Berisha i cili ka komentuar akuzat më të fundit ndaj tij.
Z. Berisha, cila është arsyeja e këtij acarimi mes jush dhe z. Rama?
Unë ju garantoj se Sali Berisha nuk ka asnjë acarim. Sali Berisha është në Parlament për të përmbushur zotimin e tij të hershëm ndaj shqiptarëve: Shqipërinë në Europë. E vërteta është ajo që turbullon drogmenin Edi Rama, njeriun që mohon veten dhe gjakun e tij. E vërteta e investigimeve të opozitës dhe faktit publik se z. Rama është në atë karrige me votat e krimit.
Por ju e keni thënë edhe më parë këtë por z. Rama nuk e ka vënë ujt në zjarr?
Shikoni. Z. Rama ka qenë i shqetësuar që ditën e parë, por si mjek ju them që vizat e bardha ia kanë ruajtur fytyrën duke ia marrë atë komplet. Pse dhe si do thoni Ju? Duke ia shumëfishuar personalitetet. Zoti Rama është njeri me disa personalitete që ndërrojnë rolin e tij publik dhe qetësinë e rreme. Por edhe sikur këto viza t’ia bënte Lal Plehu me paratë e vjedhura nga shqiptarët, pra sikur t’ia bënte 5 milionë euro viza, unë ju siguroj Juve se asgjë nuk do ta qetësonte kokën e Meduzës. Opozita është aty, unë jam aty për këtë gjë: asgjësimin deri në qelizë të fijeve të krimit.
Z. Berisha ju keni sulmuar sot një sipërmarrje private si Abi Bank, ndërkohë që keni marrë në mbrojtje një sipërmarrës si z. Ulaj që përflitet në një skandal si ai i Unazës së Madhe?
Shiko, unë nuk sulmoj asnjë sipërmarrje. Jo. Nuk sulmoj. Por banka në fjalë ka probleme serioze legjislacioni dhe për mua, për Sali Berishën, legjislacioni, e drejta prevalon. Absolutisht.
Po për z. Ulaj? Ju nuk dolët asnjë ditë në protestën e banorëve të Astirit?
Unë mendoj se opozita, Partia Demokratike ka qenë në lartësinë e detyrës me protestën e banorëve. Angazhimi im primar është Parlamenti. Unë jam një homo politicus në variantin parlamentar. Zëri im është te foltorja.
Z. Berisha ju është refuzuar apo jo viza për në ShBA? Si është e vërteta e marrëdhënieve tuaja me administratën Trump?
Nëse ka një të vërtetë që nuk mund të mohohet është se Sali Berisha është njeriu i angazhimit për heqjen e kufijve dhe të vizave. Kush flet për viza dhe ndalim udhëtimi është padyshim skllav i mendësisë së vjetër të cilën shqiptarët e flakën tej.
Add new comment