Largimi i paarsyetuar dhe i dyshimtë i ministrit të Jashtëm

Postuar në 28 Dhjetor, 2018 15:03
Skerdilajd Zaimi

Në listën e ministrave që Edi Rama ka larguar sot ka rënë në sy ministri i Jashtëm Ditmir Bushati. I papërfolur për ndonjë skandal financiar sikundër Gjiknuri dhe Ahmetaj, apo pa krizat e Lindita Nikollës me studentët, Bushati ka patur një drejtim objektiv dhe me disa arritje. Në parantezë po themi se ministri i Jashtëm nuk arriti të krijonte autonominë e një figure që ka autoritetin e vet të padiskutueshëm për çështjet e politikës së jashtme, por megjithatë ai nuk hyn te servilët e Edi Ramës apo te ministrat që riprodhojnë gjuhësisht kryeministrin.

Ka të paktën tre momente që e bëjnë shumë të dyshimtë largimin e Bushatit dhe zëvendësimin e tij me një njeri si Gent Cakaj.

Së pari është ecuria e procesit të integrimit dhe marrëdhëniet me Bashkimin Europian. Bushati është shfaqur përherë shumë i kujdesshëm në këtë drejtim duke bërë të kuptohet se ai është një partizan i harmonizimit të politikave me BE-në, i përmbushjes së detyrimeve dhe një politike të durimit me hopet e Unionit. Ministri i Jashtëm nuk është dëgjuar ndonjëherë të adresojë kritika për Brukselin, kaq të shpeshta nga kryeministri i cili delirin e ka përdorur si taktikë. Po kështu Bushati i është shmangur sa të mundet ekspozimit të marrëdhënieve preferenciale të Edi Ramës me Turqinë e Recep Erdoganit duke krijuar një bashkëjetesë të çuditshme sjelljesh dhe ligjërimesh shpesh kontradiktore në qeveri.

Së dyti janë marrëdhëniet me Greqinë. Nëse hedhim sytë pas, qeveria e Edi Ramës ka ecur shumë në raportet me këtë vend fqinj, duke vënë në tavolinë thujase të gjitha çështjet. Por kjo arritje nuk mund të mos kryqëzohet me sjelljet banale të kryeministrit dhe deklarimet e tij tensionuese që nisën që në fillim të mandatit. Kujtojmë këtu se axhenda politike e Edi Ramës prevaloi mbi çdo gjë aq sa edhe ish-presidenti grek Papulias që vizitoi Tiranën dështoi në arritjen e ndonjë progresi. Formalisht në media është folur se problemi kryesor ka qenë marrëveshja e detit dhe çështja çame, por Rama ka luajtur me terma të ndryshëm, e ndonjëherë nuk ka folur fare për të kamufluar ambicien e tij për një fitore spektakolare me Greqinë. Frustrimin e gjatë të shqiptarëve ndaj grekëve, kryeministri ka dashur ta kapitalizojë për vete duke kërkuar një fitore me poshtërim, derisa arriti të futej edhe në diskutime vulgare gravurash. Siç është provuar tashmë, kjo gjë nuk funksionon diplomaci e as në politikën e jashtme.

Duhet të pranojmë se nëse palët arritën të ulen në diskutim për një sërë çështjesh, kjo është meritë edhe faktit se në Greqi erdhi qeveria e majtë e Alexis Tsipras, subjektet konstituuese të së cilës kanë patur përherë qëndrim miqësor ndaj vendit tonë; së dyti e qenies si ministër të Jashtëm, të Niko Kotzias, një njeri me përvojë dhe me vullnet për të kapërcyer problemet, e koniunkturës ndërkombëtare rajonale që ka aktualizuar nevojën e zgjidhjes së problemeve dypalëshe, e faktit se në Tiranë në Ministrinë e Jashtme ishte Ditmir Bushati, një njeri i shkolluar në Greqi dhe me miqësi me Kotzias. Dhe së fundmi është edhe merita negative e ndryshimeve të kryeministrit tonë, që pas vitit 2017 humbi çdo interes për të luajtur me çështjen çame në terma polarizues.

Në këtë kuadër largimi i Kotzias nga detyra e ministrit të Jashtëm gjen paralele në Tiranën politike të Edi Ramës, përderisa ikja e të dy ministrave bëhet ndëkrohë që ata kanë arritje të dallueshme. Tsipras veproi njësoj si me Varoufakis: pasi toleron pavarësinë e ministrave, nxiton të marrë meritën apo të gjejë fajtorin. Në rastin e Shqipërisë, zoti Rama po bën të qartë se nuk ka dëshirë të procedojë në formatin e tanishëm me palën greke dhe kjo u pa shumë qartë kur autorizoi, madje imponoi reagimin e Ministrisë së Jashtme ndaj vrasjes së disa qytetarëve shqiptarë në Greqi të cilat i konsideroi si valë rracizmi. Është e qartë se Bushati nuk mund të kapërdinte çdo gjë ndaj trilleve emocionale apo të diplomacisë tinzare të një kryeministri që edhe me vizitat e teprura në Turqi dhe me vetëpromovimin si mik i ngushtë i Erdogan mund të ketë krijuar pasoja që sot janë të palexueshme.

Së treti është çështja e Kosovës dhe dialogut të saj me Serbinë. Zoti Rama e ka bërë të qartë tashmë, me mënyrën e tij të zakonshme të nxitjes së heshtur që nuk e fajëson, se ai është pro korrigjimit kufitar të Kosovës. Ai është në këtë lojë me Hashim Thaçin, por njësoj si ky pa sqaruar për asnjë çast se për cilat arsye është aktualizuar tani ky variant. Por ministri i tij i Jashtëm mendonte ndryshe dhe madje e bëri këtë publike me një intervistë për gazetën “Panorama”. Në të njëjtën gjatësi vale, kundër ndryshimit të kufijve u vu edhe presidenti i Republikës, duke ia lidhur duart kryeministrit për çdo manovër. Dhe siç e dimë nuk ka asgjë që ndodh në këtë qeverisje që të mos personalizohet si sukses i z. Rama. Ai arritit deri aty sa të kërkonte “ndihmën informale” të analistëve të ndryshëm që të “bisedonin me Ditmirin” për një çështje të tillë. Ai ndryshoi qëndrimin e vet edhe kur ministri i Financave Arben Ahmetaj doli kundër tarifës 100% të Kosovës ndaj Serbisë gjatë mbledhjes së përbashkët në Prizren.

Zoti Rama eci edhe më tej kur mediat pranë tij publikuan një shkrim të një lobuesi pro-iranian që ia njihte atij meritën e dëbimit të diplomatëve iranianë nga ambasada në Tiranë, vetëm dy ditë pasi ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati bëri gabimin e publikimit të lajmit të bisedës telefonike së tij me sekretarin amerikan të Shtetit Mike Pompeo. Kujtojmë këtu se gabime të tilla të krenarisë bënte edhe ish - ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli që marketonte axhendën e vet me palën amerikane, duke mos parë se po paralelizonte dhe madje ndonjëherë tejakalonte axhendën mizerabël të piktorit shef të saj.

Në kuadër të çështjes së Kosovës, vjen në vështrim edhe përzgjedhja e ministrit të ri Gent Cakaj. Vetëm 28 vjeç, personi në fjalë ka qenë zv.ministër i Jashtëm deri më tani dhe katapultimi  tij në krye të kujton disi rastin e Sebastian Kurz në Austri. Në nënëtor të këtij viti, zoti Cakaj ka qenë i ftuar në emisionin e Baton Haxhiut dhe aty mund të konstatohet lirisht se zotëria pajtohet me Kryeministrin Rama thuajse në çdo gjë dhe se madje e konkuron atë denjësisht në delirin e vet.

Zoti Cakaj është pro marrëveshjes me ndryshim kufitar mes Serbisë dhe Kosovës ndonëse e përcjell atë të paketuar me letrat shkëlqyese të termave që i huazon nga formimi i vet filozofik, si p.sh marrëveshje e konveniencës adekuate. Një kritik i Bashkimi Europian, zotëria në fjalë flet aty për një stigmë kolektive të BE-së ndaj shqiptarëve, ndërkohë që nuk harron të mbajë leksione të gjata për vettingun, korrupsionin e misionit të BE-së në Kosovë apo edhe të mbrojë lëvizjet e Hashim Thaçit. Është e qartë se ai është njeriu i duhur i kontaktit të Ramës me presidentin kosovar si dhe ministri adapt që t’u bëjë teorizime europianëve për paaftësinë e tyre për të kuptuar momentin. Një shkëputje ndga diplomacia e deritanishme e miratimit dhe nxënësit të bindur drejt rebelimit argumentativ nëse do bëheshim pak Cakaj, për të konvertuar dështimin e qeverisë në pikë debati dhe diskutimi publik. Të mbajmë parasysh se kemi një kryeministër që thotë se protestën e studentëve do ta udhëheqë vetë, madje ai i sqaron studentët se çfarë duhet të kërkojnë, ai i tregon Europës se duhet të bëhet strategjike e të tjera delire. Shqipëria e ka provuar këtë kurs, kur marrëzia në krye ushqente ëndrrën e shtimit të radhëve të klasikëve të marksizmit. Është e pabesueshme që po përsëritet sërish.

Këtu nuk është rasti për të ngritur lart ministrin Bushati që ka edhe ai kufizimet dhe problemet e veta, kaq të njohura të paktën për ata që punojnë si gazetarë. Këtu çështja është të kuptohen arsyet e largimit të tij. Nëse për Nikollën kemi alibinë e protestës, për Ahmetaj dhe Gjiknurin skandalet dhe konsumin, e me gjasë edhe ndonjë informacion që mund të shpërthente së afërmi që e bënte largimin të domosdoshëm, për Kumbaron kemi sjelljen e saj tinzare për t’u tërhequr nga debati për çështje si Teatri, në rastin e ministrit të Jashtëm kemi vetëm një arsye: axhenda personale e Edi Ramës në politikën e jashtme. Detyrimet e tij ndoshta që kërkon t’i vërë në zbatim në kuadër të një operacioni që do të duhet ta mbulonte këtë fakt, por që në të vërtetë po e zbulon atë.

Comments

Submitted by Andreas (not verified) on

Shkrim i sakte Skerdi. Dhe pothuajse te gjitha persete e parashtruara qendrojne. Por kam pershtypjen se jemi duke kerkuar llogjiken e veprimeve te nje elementi terresisht instiktiv. Ka arritur ne piken e mbajtjes me çdo kusht te pushtetit. E vetmja gje qe e ndihmon ne kete sfide me vetveten, eshte mungesa totale e alternatives. Te gjitha te tjerat i ka kunder.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.