Demonët tanë dhe arti i justifikueshëm moralisht i Schiele

Postuar në 15 Dhjetor, 2018 22:14
Cody Delistraty

Egon Schiele filloi të priste vajza adoleshente në studion e tij në Neulengbach, Austri, për herë të parë  rreth vitit 1910. Rreth tridhjetë milje nga Vjena, ai kishte një studio të vogël pikture me një kopsht nga mbrapa. Djemtë dhe vajzat, shpesh nga shtresat më të varfra, kalonin kohë atje me të dhe me të dashurën  e tij modele, Walburga Neuzil, të cilin ai e thërriste Wally. Schiele ishte vetëm njëzet vjeç atëherë. Wally ishte shtatëmbëdhjetë vjeçe. Mosha e lejueshme për marrëdhënie në atë kohë në Austri ishte katërmbëdhjetë (siç është sot) dhe lidhja e tyre nuk ishte ndonjë skandal. Ajo çfarë përbënte skandal ishte fakti që Schiele kishte pikturuar fëmijë dhe adoleshentë, që siç do të thuhej në mandatin e arrestit që u lëshua dy vjet më vonë për të, "se nuk i kishte mbajtur nudot erotike larg syve të tyre", d.m.th. ai i kishte ekspozuar fëmijët ndaj pikturave dhe vizatimeve të tij pornografike.

Në prill të vitit 1912, Schiele u arrestua dhe u akuzua për "joshjen" e Tatjana Georgette Anna von Mossig. Mossig, një vajzë 13-vjeçare nga Neulengbach, babai i së cilës ishte një oficer i njohur detar, u kishte kërkuar Schiele-it dhe Neuzil-it që ta çonin në Vjenë, për të jetuar me gjyshen e saj. Ashtu si shumë të rinj, ajo dëshironte t’i ikte qytetit të saj provincial. Artisti dhe e dashura e tij ranë dakord ta merrnin, por sapo arritën në Vjenë, vajza ndërroi mendje dhe donte të kthehej në shtëpi. Të nesërmen, Schiele dhe Neuzil e kthyen mbrapsht  me dashamirësi. Ndërkohë, babai i saj kishte shkuar në polici dhe kishte ngritur padi ndaj Schiele-it për rrëmbim dhe përdhunim. Fakti që piktori i ri ishte artist - dhe që pikturonte vajza të reja – i nxiti dyshimet e babait. Ndaj tij u ngrit një akuzë e tretë: imoralitet publik për shkak të ekspozimit të të rinjve në artin e tij.

Kur policia mbërriti për të arrestuar Schiele, ata morën rreth 125 nga vizatimet e tij, duke i klasifikuar si "të degjeneruara"; dhe si një gjest simbolik, një gjykatës dogji një prej tyre në gjykatë. Në total, Schiele do të kalonte vetëm njëzet e katër ditë burg pasi dy akuzat e para – rrëmbim dhe abuzim me të mitur - u hodhën poshtë, por akuzat për degjenerim mbetën, dhe më pas do të bëheshin pjesë e trashëgimisë që ai la pas.

Koha ka mënyrat e saj për të hedhur poshtë apo për t’i konfirmuar akuzat e ngritura ndaj figurave historike. Schiele, megjithatë, mbetet një lloj i veçantë enigme duke pasur parasysh interpretimet e kundërta të artit të tij. A i shfrytëzoi ai të rinjtë duke i paraqitur ata në pikturë në mënyrë pornografike, apo ngriti pikëpyetje për natyrën e dëshirës dhe adoleshencën pa shkaktuar ndonjë dëm?

Duke punuar pikërisht në kohën kur dekadenca dhe e teprimet e fundshekullit po i hapnin rrugë konservatorizmit të paraluftës, Schiele zbuloi se degjenerimi do të bëhej një term kyç në dënimin e tij. Degjenerimi, sigurisht, ishte gjithashtu termi që nazistët do të përdornin për të përshkruar një pjesë të madhe të artit modern, nga veprat e Vincent Van Gogh-ut  te Paul Klee e deri te Edvard Munch. "Raca të degjeneruara", "seksualitete të degjeneruara" – çdo lloj shmangieje nga vlerat tradicionale dhe heteroseksualiteti i të bardhëve, tashmë kishte filluar të dënohej nga shoqëria e lartë austriake në kohën kur Schiele filloi të punonte. Në vitin 1905, Sigmund Freud ishte duke u përpjekur ta kundërshtonte këtë ide pasi hyri në frymën e kohës, duke shkruar në librin “Tri ese mbi teorinë e seksualitetit”: Mund të ngrihet pyetja nëse një atribut i 'degjenerimit' ka ndonjë vlerë apo u shton diçka njohurive tona". Qëndrimi i Frojdit ishte se akuzat e degjenerimit ishin mjete të thjeshta politike dhe nuk kishin asnjë substancë të ligjshme. Nëpërmjet këtij këndvështrimi, arrestimi i Schiele-t në vitin 1912 ndoshta mund të shihet, më shumë se çdo gjë tjetër, si një deklaratë politike në një kulturë në ndryshim.

Por, ndërsa ky ndryshim shoqëror nga dekadenca në konservatorizëm e kapi Schiele-in në prag të tij, arti i tij ishte veçanërisht i guximshëm, madje edhe sipas standardeve të sotme. Nuditeti është nuditet, por kur trajtohet në linja të bukura, nuancat e zbehta dhe përjetimin emocional që Schiele e arriti, është e qartë për shumicën e shikuesve se është edhe art, e jo pornografi. Sidoqoftë, interesi i tij i dukshëm për vajzat në moshën para pubertetit në veçanti i jep punës së tij një nuancë më të errët, për të cilën tashmë ai njihet.

Një nga mënyrat e tij të preferuara për të paraqitur një model/e në pikturë ishte pozicioni shtrirë në një dyshek në dysheme. Ai do të hipte në një shkallë ose në një stol dhe ta pikturonte duke e parë nga sipër. Jane Kallir, një tregëtare veprash arti dhe kuratore, e cila mbikëqyri katalogun e piktorit, argumenton se kjo metodë u dha modeleve aftësinë për të përcaktuar veten seksualisht.

"Duke hequr detajet përreth tij nga vizatimet e tij dhe duke i dhënë shpesh pikturës idenë e një leximi vertikal, ai krijoi ndjesinë e thellë të zhvendosjes hapësinore", shkruan Kallir.

"Tensioni që rezulton midis subjektit dhe skajit të planit të pikturës vë në pikëpyetje aftësinë e këtij të fundit për të përmbajtur të parën. Edhe sipas standardeve të sotme, këto vizatime u japin femrave një shkallë të pazakontë të përcaktimit seksual të vetvetes". Kallir pranon se Schiele nuk ishte “ai që ju do ta quanit feminist", por megjithatë, pak njerëz në Vjenën e hershme të shekullit XX ishin të tillë. Ajo gjithashtu ngre pyetjen nëse modelet e tij femra mund të kenë qenë të fuqizuara nga paraqitjet hiperseksuale që u bëri ai.

"A është ky seksualitet vërtet një lloj superfuqie", pyet ajo, "apo joshja femërore sjell në mënyrë të pashmangshme kapitullimin ndaj patriarkatit?"

Duke kapur një çast në të cilin si artisti, ashtu edhe modeli, përballen me tension seksual të shtuar - këto vajza të zhveshura në moshë të vogël; Schiele që ua ka ngulur sytë nga lart - fotot e tij ishin jo vetëm një shpërfaqje stilistike, por edhe shoqërore. Ndërsa Hugh Hefner themeloi “Playboy”-n pasi lexoi për raportin e Alfred Kinsey-it, sipas të cilit amerikanët mendonin dhe bënin shumë më tepër seks se "shoqëria tradicionale", ashtu edhe Schiele e vuri dekadencën që qëndronte në themel  të shoqërisë së Vienës në një tablo dekurajuese.

Dhe prapëseprapë, mbrojtësit më të vendosur të Schiele-it tentojnë të përjashtojnë idenë se shumë prej modeleve që ai pikturoi nuk ishin pikërisht "gra", por vajza adoleshente. Në “Nude Girls Reclining” (1911), për shembull, Schiele paraqet dy vajza, të cilat ndoshta janë në adoleshencë të hershme, nëse jo akoma më të reja. Njëra prej tyre i ka kthyer sytë nga dikush që po e shikon, ndërsa tjetra ka ulur sytë dhe është skuqur. Trupat e tyre janë paraqitur qartë; flokët e gjatë i kanë të lëshuar. Duket pornografike dhe të krijon ndjesinë sikur ai që po i shikon ftohet të marrë kënaqësi seksuale prej tyre. Por ka më shumë se kaq.

Në atë kohë, konceptimi dhe paraqitja artistike e adoleshencës po kalonte një ndryshim të rëndësishëm. Në Mesjetë, të rriturit shpesh pikturoheshin duke luajtur lojëra për fëmijë; fëmijët shpesh shfaqeshin në veshjet e të rriturve. Deri në fund të viteve 1800, kur u shfaq një koncept më bashkëkohor i fëmijërisë, dhe fëmijët paraqiteshin kryesisht si fëmijë, si në pikturën e Édouard Manet “Luncheon in the Studio” (1868). Megjithëse edhe në këtë pikturë, djali 16-vjeçar në plan të parë ka një kravatë, triko dhe kapelë kashte, ashtu siç do t'i përshtatej një zotërie të moshës së mesme. Në të vërtetë nuk ishte kështu deri në 1895-n, kur Munch përfundoi pikturën “Puberty” (Puberteti), në të cilën ai shfaq një vajzë të re dhe të zhveshur që mbulon organin gjenital me duart e kryqëzuara, që një adoleshent fillimisht i paraqitur siç paraqiten adoleshentët tani: të pambrojtur dhe nënshtruar ndaj "dhimbjes së tranzicionit", siç shkruan historiani John Neubauer në librin “Kultura e fundshekullit për adoleshencën”.

Nga ana e tyre, mënyra se si Schiele e paraqet adoleshencën duket se rrjedh drejtpërsëdrejti nga ndjeshmëria e Munchit, të cilat u morën edhe nga Die Brücke, pra “The Bridge” (Ura), një grup i përbërë nga ekspresionistë gjermanë, përfshirë Ernst Ludwig Kirchner, Karl Schmidt-Rottluff, Otto Müller dhe Emil Nolde. Dallimi kryesor, megjithatë, midis përshkrimit të adoleshencës së Schiele-it dhe asaj të Munch dhe Die Brücke është se, siç shkruan Neubauer, "artistët e Brücke e portretizojnë seksualitetin duke përdorur fytyrën, ndërsa Schiele e tregon atë në vendin e vet", domethënë ai tregon organet seksuale të personazheve të tij. Schiele nuk ishte i druajtur.

Gjatë kësaj periudhe të shkurtër nga viti 1895 deri në vitin 1920, adoleshenca u konsiderua si një periudhë tranzicioni në një mënyrë që u bë përfaqësuese e klimës politike austro-gjermane në përgjithësi. Schiele e çoi paraqitjen provokuese të të qenit vulnerabël, që ishte në modë në atë kohë, një hap më tej duke paraqitur si të tilla disa nga modelet e tij. Por koncepti i tij themelor i adoleshencës ishte - si ai i Die Brücke - i lidhur ngushtë me politikën. Në kohën e Schiele, adoleshenca ishte, në shumë mënyra, vetëm fillimi i konceptimit si një fazë krejtësisht e ndryshme nga mosha e rritur.

Mund të quhet gabim thelbësor i historianëve që nuk dalin nga arkivat, ideja se mendimi bashkëkohor domosdoshmërisht vlen edhe për të kaluarën. Dhe në këtë rast, të kuptosh se një ide e tillë është gabim është jetësore për përcaktimin e asaj çfarë ishte eksplorimi tematik i një faze të re jetësore dhe çfarë ishte shfrytëzimi.

Pikturat e Schiele që fituan famë menjëherë, si “Nude Girls Reclining”, nuk ishin thjesht mjete për të tërhequr shikimin e meshkujve. Modelet e tij të zhveshura - të paraqitura shpesh sikur e shohin shikuesin me një përzierje sensualiteti dhe trembjeje - janë me të vërtetë “pikë e nxehtë”. Por, në vend që të jenë thjesht pornografi, veprat e tij kërkojnë që shikuesi të vërë në pikëpyetje dëshirat e tij ose të saj, njësoj siç a bërë piktori me të tijat. "A e kanë harruar të rriturit se sa të tunduar, të nxitur dhe të eksituar seksualisht ishin kur kanë qenë fëmijë?", shkroi Schiele dikur.

"A e kanë harruar se si pasionet e frikshme i digjnin dhe i torturonin kur ishin fëmijë? Unë për vete nuk e kam harruar, sepse unë kam vuajtur tmerrësisht nga kjo gjendje”. Ai vdiq kur ai ishte ende mjaft i ri, në vitin 1918, në moshën 28-vjeçare, për shkak të gripit spanjoll. Fjalët e tij të fundit, thuhet se ishin: "Lufta mbaroi dhe mua tani më duhet të shkoj”.

Ne të gjithë kemi demonët tanë, tensionet dhe sensin e nëndheshëm të shkatërrimit. Schiele e përdori këtë në artin e tij për të kritikuar atë që e shihte si shoqëri veçanërisht hipokrite, të dominuar nga një lëvizje që e shihte seksualitetin si imoralitet, devijim dhe degjenerim. Nga ky këndvështrim dhe nga mënyra se si ai e shihte adoleshencën jo vetëm në terma politikë, por si një fazë thelbësore e jetës së re që duhet eksploruar, arti i Schiele-it paradoksalisht mbetet më i justifikueshëm moralisht se konteksti historik në të cilin jetoi

Megjithatë, vitet e fundit, në mënyrë të veçantë, muzetë që ekspozuan punët e Schiele-it përgjithësisht e kanë parë të udhës të vendosin pllakate me tekste që paralajmërojnë për kundërshtitë që e kanë karakterizuar atë gjatë jetës. Një tekst i tillë në murin e Muzeut të Arteve të Bukura në Boston, në të cilin u ekspozuan vepra të Schiele-it dhe mentorit të tij, Gustav Klimt, këtë vit, thoshte: Schiele është përmendur nga artistët e tanishëm dhe të kohëve të mëparshme për kontekstin e sjelljes jo të mirë seksuale. Kjo rrjedh pjesërisht nga disa akuza të veçanta (të rrëzuara si të pabaza) për rrëmbim dhe ngacmim”.

Në një retrospektivë të mbajtur në korrik të vitit të kaluar për Schiele, në Muzeun Albertina në Vjenë, kuratori u shpreh se disa vizitorë mund të ndihen paksa të trazuar nga veprat e tij, pasi kjo është pjesë e pushtetit shkatërrues që ato kanë; ato janë krijuar me qëllimin për t’i bërë njerëzit të mendojnë për dëshirat e tyre dhe raportet me tabutë sociale. “Ndërsa Schiele i paraqet djemtë pa u përpjekur t’u japë nota erotike, ai i seksualizon nudot femërore”, thuhet në një nga tekstet në mur.   

Paraqitja e trupit femëror është gjithnjë erotike dhe duket sikur vendos një raport me shikuesin, njësoj sikur vajza e re joshëse dhe spektatori i joshur kanë bërë një pakt të fshehtë. Në këto nudo, çdo gjë është rregulluar në funksion të dëshirës së shikuesit për të soditur personazhin. Duke thyer tabutë e kohës, këto piktura paraqesin seksualitetin e shtypur të fëmijëve në një mënyrë qartazi agresive.

Ky vit shënon 100-vjetorin e vdekjes së Schiele-it. Unë arrita të shoh dy ekspozita të tij në Europë. E para ishte në Fondacionin “Louis Vuitton” në Paris. E organizuar nga Suzanne Page dhe Dieter Buchart, ekspozita përmban mbi 100 punë të Schiele-it. Page dhe Bourchard nuk kërkojnë falje për Schiele-n. Fokusi i ekspozitës është stili i tij dhe jo akuzat e ngritura ndaj tij personalisht. Ekspozita është organizuar në mënyrë kronologjike dhe tekstet e ngjitura në mur na nxisin të mendojmë për atë se si stili i tij ndryshoi përgjatë karrierës.

Një tjetër ekspozitë e Schiele-it e hapur së fundmi, ajo në Leopold Museum në Vjenë, shkon më tej. Më shumë sesa të kërkojë falje për kundërshtinë që karakterizon piktorin, ekspozita mbron haptas mënyrën sesi ai e trajton gruan në art. Në mur shkruhet:

Schiele e shfaqi gruan më shumë sesa thjesht projeksion pasionesh, duke i dhënë asaj role të ndryshme, duke e lejuar atë të përcjellë atë që ndien së brendshmi dhe të tregojë seksualitetin me sinqeritetin më të madh. Mënyra sesi ai e pasqyroi gruan karakterizohet nga kërkimi për të vërtetën

Teksti pohon gjithashtu se modelet e paraqitura në pikturë "janë të vetëdijshme për ndjenjat e tyre", duke theksuar ndjesinë e shprehjes së seksualitetit, që përmend Kallir (më sipër). Punimet e Schiele në ekspozitën Leopold janë vënë përballë atyre të artistëve bashkëkohorë feministë si Louise Bourgeois dhe Sarah Lucas në atë që duket si një përpjekje për të kontekstualizuar punën e tij, ndoshta çuditërisht, si një lloj feminizmi të hershëm. Arti i Schiele, shkruan Verena Gamper, drejtore e Qendrës së Dokumentimit Egon Schiele në Leopold, mbajti "amësinë si imazhin arketip të lidhjes më intime." "Ndarja traumatike, - shton ajo, - është e ndërthurur fort me një përafrim të seksualitetit dhe vdekjes, si dy skajet e jetës”.

Mbrojtës të tjerë të Schiele-it kanë qenë më agresivë. Vitin e kaluar, në vigjilje të 100-vjetorit të vdekjes së piktorit, Bordi vjenez i Turizmit lançoi një seri reklamash në Facebook dhe në billborde në Këln, Hamburg, Londër e Nju-Jork, në të cilat nudot e tij ishin censuruar me fjali që dënonin censurën (Në Facebook dhe në qytetet e mësipërme, nudot janë të ndaluara në reklama, qofshin këto edhe piktura apo vizatime). Në një prej billbordeve, në të cilën shfaqet piktura e Schiele-it “Girl with Orange Stocking” (Vajza me çorape portokalli) 1914, fraza “na falni, 100-vjeçare por ende e paguximshme” është shkruar në pjesën intime të vajzës, duke mbuluar gjithçka. Në të tjera, hashtagu #DerKunstihreFreiheit— “ToArtItsFreedom” (jepini artit lirinë e vet) shkruhet poshtë pikturave, ndërsa një shirit mbulon organet gjenitale.

Në rastin e vitit 1964, Jacobellis përballë Ohajos, i cili përcaktoi vijën ndarëse mes artit dhe asaj që konsiderohet shfaqje e turpshme (në veçanti sa i përket filmit “Dashnorët” në Louis Malle), gjyqtari Potter Stewart deklaroi për pornografinë: E dalloj që është e tillë kur e shoh.     

Edhe pse disa vepra të Schiele janë seksualisht eksplicite, pasi modelet paraqiten me këmbë të hapura dhe me pjesët intime zbuluar, ato nuk janë rreptësisht pornografike. Kjo nuk i shfajëson ato nga natyra e tyre potencialisht shfrytëzuese, por shërben për ta bërë diskutimin më kompleks.

Do të ishte një këndvështrim shumë i ngushtë ai i yni nëse i shohim veprat e tij si të përqendruara vetëm te seksualiteti, siç ia kanë dalë të nënvizojnë këto ekspozita të kohëve të fundit. Në “Eros” (1911), për shembull, Schiele paraqet një portret të vetvetes në të cilin ai është i përkulur, duket i sëmurë, me penisin e tij të fryrë, të kuq, që zë pjesën më të madhe të kuadrit. Është një referencë e qëllimshme ndaj degjenerimit të supozuar të tij. Dhimbja e vërtetë, siç duket, nuk është në artin e tij, por në botë. Veprat e Schiele-it reflektojnë kohën e tij dhe ta censurosh atë do të thotë t’i injorosh të dyja: historinë dhe dëshirat devijuese që kemi të gjithë. Duke i nxjerrë në dritë këto dëshira të errëta, Schiele na ndihmoi që t’ua heqim pushtetin që mund të kenë.

Ndoshta jo çdo vepër arti që prek subjekte moralisht të kundërshtueshme është në vetvete e kundërshtueshme. Morali i Humbert Humbertit nuk është morali i Lolitës (“Lolita” – Vladimir Nabokov). Dikush mund të përshkruajë diçka të tmerrshme pa e mbështetur atë  tmerr. Arti është një mënyrë për të luftuar me jetën, madje, ose sidomos, në qoshet e saj më të errëta. Nëse nuk mund të përballemi me veten në art, atëherë nuk mund të përballemi fare me të, dhe kjo është një perspektivë shumë më e rrezikshme se çdo pikturë apo vizatim.

Burimi: The Paris Review

Përktheu: Gazmira Sokoli

Titulli i ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.