Kodi mafioz i medias dhe pushtetit

Postuar në 24 Nëntor, 2018 14:54
Skerdilajd Zaimi

Edi Rama ia ka dalë deri diku të zhvendosë vëmendjen nga patatja e nxehtë e protestës së Unazës së madhe në Tiranë drejt një konflikti me disa gazetarë. Ai ka folur për një kontratë të Ylli Rakipit me OSHEE-në ndërprerë vitin e kaluar, që sipas tij qëndron në themel të sulmeve të Rakipit. Kryeministri ka përmendur faktin se Rakipi ka fituar më shumë se 2 milionë euro nga kjo kontratë, që parë kështu, me të vërtet që është shkak për acarim.

Mirëpo ky është vetëm një episod, i cili ia prishi kaq shumë nervat ish-botuesit të gazetës “Albania” saqë ky doli dhe tregoi një episod të vetin me Edi Ramën që e paska ndihmuar me një mashtrim gazetaresk në kohën kur u përmbyt Tirana nga hapja e digës së liqenit artificial.

Mjafton vetëm ky ballafaqim banal për të kuptuar dhe imagjinuar se cili është raporti reciprok i informacioneve shantazhuese që një pjesë e gazetarëve kryesorë në vend kanë me pushtetin. Për të kuptuar më tej edhe diçka tjetër: që këto informacione, ruajtja e tyre janë në fakt çelësi I pushtetit që fitojnë këta gazetarë në sytë e kryeministrit të radhës.

Ne jemi dëshmitarë të një sjellje ku morali është gjëja e fundit që vihet në kandar teksa kemi parë publikime librash me të “vërtetat” e pushtetit të Sali Berishës, por vetëm pasi është bërë divorci për arsye pushteti me këtë të fundit. Një divorc që vjen me koston e llapjes në këtë formë me koston finale drejt Medias.

Sepse ne e kuptojmë fare qartë, se kur ti hyn në shtëpinë e një kryeministri, je pjesë e diskutimit të vendimeve, apo edhe bën qoka me median tënde për një njeri të politikës, në fakt je pjesë e enturazhit, e establishmentit. Ti je pjesë e mashtrimit në të cilin kritika është vetëm narkozë për miletin.

Një gazetar në fakt duhet të denoncojë skandalet dhe vendimet e politikës. Por ai nuk mund të sillet si dëshmitar i dorës së parë, pa iu kuptuar fillimisht motivet, arsyet.

Fjala vjen le të pyesim: A di ndonjë gjë tjetër veç kësaj që tha për Ramën, z. Rakipi? A mban ai informacione të sikletshme për kryeministrin apo politikanë të tjerë? Nëse po, pse nuk ka vendosur që t’I ndajë me publikun, por I përdor si enzima të një debati okult dhe të mbyllur ku shumëkush nuk kupton gjë?

Le të marrim një shembull tjetër, Blendi Fevziun. Z. Fevziu është njeri i pushtetit, por në emisionin e tij të përnatshëm diskutohet në mënyrën më të deformuar të mundshme, përherë e më larg prekjes së gjërave në thelbin e vet. E megjithatë ne e kemi shumë të qartë se z. Fevizu ka shumë më tepër informacion sesa tregon. Ruajtja e tij tradhëton një sjellje që pak ka të bëjë me median, duke rikonfirmuar një pushtet përherë e më të madh mbi infrastrukturën ekzistuese të saj.

Z. Rama flet për kazanin dhe kërënon portalet. Por ai nuk ka asgjë për të thënë për televizionet kombëtare sepse ato nuk e shqetësojnë. Dikur ai është shpreur se ka gazetarë që marrin rroga marramendëse. Pse nuk veprojnë agjencitë që ai ka nën varësi?

Kjo është mafia, ajo me të cilën bashkëjetojmë dhe që është shumë më e neveritshme sesa në filma. Dhe kryeministri bashkë me këta kazanlerë janë aktorët e një teatri që nuk tëheq më spektatorë. Sepse loja e tyre është vetëm një: paraja dhe stomaku. Aty brenda veshtullon edhe struktura e tyre e të menduarit, pasi përndryshe do të kishim parë tjetër mënyrë të vepruari. Rrallë ndonjëherë hipokrizia është legalizuar kaq shumë saqë të rekrutojë edhe mbarë opinionin që hesht dhe bën sikur nuk di pasurinë e njërit- apo të tjetrit, që nuk bojkoton asgjë, por vazhdon të citojë dhe referojë të njëjtat emra dhe fytyra. Rrallë herë balta e saj ka bërë kaq shumë njerëz pis dhe ka mpirë me duhmën e vet një pjesë të vetë shoqërisë. Është e vërtetë që kryeministri ka një hall me mbarë Shqipërinë sepse është kapur me duar të zgjatura, por një hall edhe më i madh është ai i medias që sillet si Mafie.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.