Tani zgjedhjet i "menaxhon" Google

Postuar në 22 Nëntor, 2018 13:56

Google do të udhëheqë përpjekjet kundër manipulimit të zgjedhjeve europiane nëpërmjet platformave teknologjike. Pak muaj para zgjedhjeve europiane, Google synon të forcojë rregullat e transparences, që do të detyrojnë reklamuesit të provojnë se janë ose shtetas të BE-së ose subjekte me bazë në Evropë.

Zyrtarët evropianë janë të shqetësuar për rrezikun e ndërhyrjes në zgjedhjet e ardhshme, të cilat prekin mbi 500 milionë qytetarë të BE-së. Javën e kaluar, komisionerja e Drejtësisë i BE, Vera Jourová, iureferua Rusisë si "burimi më i përmendur i aktiviteteve që ndërhyjnë në zgjedhjet në Evropë".

Një nga shqetësimet kryesore është ai se fushatat kibernetike mund të prishin balancën në favor të euroskeptikëve - si partia e djathtë e Marine Le Pen në Francë ose Lega e Matteo Salvinit në Itali.

"Të tjerët po mësojnë nga Rusia", tha Jurova. "Ne kemi vënë re se vendet e tjera dhe interesa private i kanë rritur aftësitë e tyre për ndërhyrjen e zgjedhjeve".

Pas skandalit të kompanisë “Cambridge Analytica” dhe ndërhyrjes ruse gjatë zgjedhjeve të vitit 2016 në SHBA, kompanitë e teknologjisë si Facebook, Google dhe Tëitter kanë qenë nën presion të madh nga ligjvënësit në të dy anët e Atlantikut për të garantuar që qytetarët nuk do të jenë shënjestër e faktorëve të jashtëm gjatë procesit të zgjedhjeve.

Në bazë të rregullave të reja, ata që postojnë reklama politike me fokus qytetarët e BE-së dhe organizatat me bazë në BE, të cilat përmendin "një parti politike, kandidat ose zyrtar aktual", duhet të "bëjnë të qartë për votuesit se kush i paguan për reklamën". Po ashtu, kusht është që këto reklama të jenë në përputhje me politikat e kompanisë.

Gjiganti i kërkimit gjithashtu do të publikojë një "Raport të transparencës së reklamave zgjedhore" për zgjedhjet, i cili është hartuar sipas versionit amerikan.

Sidoqoftë, Google ende duhet t’i shtrijë rregullat e saj të reja të transparencës në të ashtuquajturat "reklama të kauzave", të cilat tentojnë të ndikojnë votuesit në një çështje të tilla si emigracioni ose shëndeti publik, në vend të tërheqjes së tyre në favor të një kandidati të caktuar. Mjafton të kujtohet këtu rasti i referendumit britanik për Brexit, para të cilit shumë reklama politike u përqëndruan në çështje të caktuara më shumë sesa te njerëzit.

Disa nga reklamat që krijojnë ndarje më të madhe në Evropë kanë të bëjnë me persona publikë, të cilët nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me një fushatë, si investitori hungarez-amerikan George Soros.

Google po punon për të rregulluar edhe aspekte të tilla të reklamimit online.

Pas një polemike në lidhje me procesin e verifikimit të identitetit të reklamuesve politikë të Facebook, Google parashikon që reklamuesit tani do të duhet të kalojnë nëpër një proces verifikimi për t'u siguruar që ata janë shtetas të BE ose subjekte që e kanë bazën në BE. Individët dhe organizatat do të duhet t'i japin Google-it dokumente zyrtare që provojnë se ata nuk janë aktorë të jashtëm. Në kushte të tilla do të autorizohet reklamimi brenda kufijve të BE-së.

Rregullorja e plotë në lidhje me këtë do të bëhet transparente në janar 2019.

Komisioni Europian e ka bërë prioritet "integritetin e zgjedhjeve". Në shtator, dega ekzekutive evropiane lëshoi ​​një kod praktikash mbi lajmet e rreme, i firmosur nga platformat më të mëdha. 

Politico.eu/TemaTv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.