A mund t'i besohet një policie që shantazhon dëshmitarët e një krimi?
Gazeta “Panorama” shkruante dje për seancën gjyqësore ndaj katër të pandehurve Dejvi Bitraj, Eugen Bitraj, Marsel Alla dhe Kridens Alla që akuzohen për vrasjen e Marvi Mihalit, vrasje e cila bëri bujë sespe u krye për një cellular. Në shkrimin e vet gazeta sjell në vëmendje dëshminë e Armend Haxhiut, personit që shiti celularin që u bë shkak për vrasjen dhe të tre djemve të tjerë, Xhuljo Memo, Gynter Jaupi dhe Xhoshlin Shata, kushëri i viktimës. Shkruan gazeta:
Një tjetër person që dëshmoi në gjyq ishte Xhuljo Memo, i cili tha se atë ditë, Marvi Mihali nuk donte të vinte në takim, por u bind nga Armend Haxhiu. “Në vendin e ngjarjes gjërat kanë ndodhur shumë shpejt, ndërkohë unë kam parë një person me bluzë të bardhë, i cili bërtiti ‘Unë do t’iu ther të gjithë’”, tha ai. I pyetur për dëshminë në Polici, Memo tha se ishte ndjerë i vënë nën presion nga mënyra se si ishte marrë në pyetje.
Po kështu, në sallën e gjyqit ka dëshmuar edhe Xhoshlin Shata, kushëri i Marvi Mihalit. Ai ka thënë se sherrin e kanë nisur Armend Haxhiu dhe Dejvi Bitraj, ndërsa Marvi Mihali ka ndërhyrë t’i ndajë. Gjithashtu, Shata ka thënë se në Polici i është bërë presion duke iu thënë se “po merrnin shumë persona në qafë”.
Edhe personi tjetër, Gynter Jaupi, ka thënë se në Polici i është bërë presion dhe se e vërteta është që të katërt personat ishin të armatosur me thikë
Për këtë çështje ka patur akuza edhe për trajtimin penal prej saj nga ana e prokurorit Artan Lulaj, por këtu vlen të theksohet roli i policisë së shtetit. Nëse shohim dëshminë e tre personave në fjalë, në mjediset e Policisë së Shtetit, është ushtruar presion për dëshminë e dhënë. Është kërkuar që të pandehurit të mos akuzohen edhe aq rëndë e të tjera gjëra si këto.
Në një shtet normal një situatë e tillë do të kishte provokuar nisjen e hetimeve ndaj punonjësve të policisë që kryejnë akte të tilla, pra që ushtrojnë presion në marrjen e dëshmive. Dhe me gjasë do të kishte procedim penal. Por ne nuk jetojmë në një shtet normal. Me të drejtë shumëhumëkush mendon madje se nuk jetojmë as në një shtet, por në një hapësirë gjeografike ku sundon një bandë, apo ligjet e bandave.
Gjithësesi, nisur nga ndryshimet e fundit në Ministrinë e Brendshme në krye të të cilës ka ardhur një njeri me integritet, duhet shpresuar se diçka do të ndryshojë. Se një hetim duhet të nisë patjetër për ata punonjës që kryejnë akte të tilla intimidimi për arsye që lënë shumë të dyshohet. E deri atëherë, nëse hetim do të ketë, vlen vetëm një këshillë: mos i besoni Policisë! Mos i besoni uniformës me shqiponjë dhe flamur që di vetëm të dalë në rrugë e të ndalojë kuturu mjete që ecin në punë të tyre. Sepse në asnjë rrethanë nuk dihet se çfarë fshihet poshtë saj. Vetëm polici që duam nuk qëndron, kjo është mëse e sigurtë.
Këtu vjen në vështrim edhe qeveria dhe kryeministri vetë i cili është entuziasti i vetëm i Platformës së Bashkëqeverisjes. Nuk ka nevojë të denoncohet më shumë një situatë e tillë. Zotëria me koordinatorët e vet do të duhet të ishte vënë në lëvizje qoftë edhe me këtë raportim mediatik sepse kemi të bëjmë me diçka shumë të rëndë: me banditë në uniformë.
Add new comment