Politekniku i Athinës, një vatër e pashtershme protestash*

Postuar në 19 Nëntor, 2018 11:32
Maria Katsounaki

A është e vërtetë që "Politekniku nuk është pronë e askujt", siç thotë në një deklaratë partia në pushtet, SYRIZA? Dhe a është e vërtetë se "mashtrimet e njollosin Politeknikun", siç tha një deputet i parlamentit nga e njëjta parti? Ndërkohë, kreu i Parlamentit, Nikos Voutsis, tha se “Politekniku nuk mund t’ua mbyllë dyert atyre që e respektojnë trashëgiminë e tij. Dyert e mbyllura janë shenjë e veshëve të shurdhër dhe horizonteve të kufizuara”.

Megjithatë, fakti është se dyert e mbyllura në ndërtesën historike të Athinës nuk janë vetëm për përvjetorin e kryengritjes studentore të 17 nëntorit 1973, pasi situata është e njëjtë pak a shumë gjatë gjithë vitit. Njerëzit që qëndrojnë pas ritualit të dhunshëm të përvitshëm mund të jenë në thelb çdo gjë, përveçse "pakica ekstremiste të nxitura nga një botëkuptim totalitar", siç përshkruhen nga SYRIZA. Hipokrizia është një faktor kyç në këtë pikë sepse zmadhon distancën ndërmjet një ngjarjeje historike dhe simbolikës së saj - një simbolizëm i zbërthyer në liri për të gjithë.

Të gjitha qeveritë e kanë përdorur kryengritjen e studentëve të vitit 1973. Ata kanë shumicën e fajit për një arsye tjetër: Para vitit 2015, ata kishin tendencën t’i interpretonin sulmet verbale dhe incidentet e dhunshme si “indinjatë e justifikuar e popullit”. Kjo ushqeu qëndrimet refuzuese që ata tani i dënojnë.

Pra, le të shohim se çfarë forme do të marrë përkujtimi i këtij viti: Përforcimi i patrullave të policisë në kryeqytet, siguria e shtuar në stacionet e policisë, ambasada dhe ministri, reduktimi i kohës së qëndrimit hapur të Muzeut Arkeologjik, 5 000 oficerë të policisë në detyrë, inspektime paraprake në kanalizime për të kërkuar për pajisje të mundshme shpërthyese, dronët e policisë, stacionet e metrosë jashtë funksionimit dhe mbyllja e qendrës së qytetit.  

Në ditët para dhe pas përkujtimit, zemra e qytetit ndalon për pak kohë. Qyteti kthehet në një zonë lufte, ku mund të ndiesh gazin lotsjellës, maninë për shkatërrim dhe frikën. Në kushte të tilla, si mund të flitet për respekt dhe kujtesë?

Është e vështirë të shmangësh klishenë e Universiteti Kombëtar Teknik si një qendër e paligjshmërisë, që është kthyer në një zonë ku nuk mund të shkosh, një bastion për të gjithë ata që shkaktojnë trazira, anarkistët e vetëshpallur dhe grupet antiestablishment, njerëzit e çmendur, të droguarit dhe emrat e rrezikshëm të botës së krimit.

Jeta e përditshme në Politeknik, gjatë 365 ditëve të vitit, mban karakteristikat e një shteti të pakontrolluar brenda shtetit. E megjithatë, çdo vit, më 17 nëntor, politikanët grekë shprehin habinë e tyre me protestat. Ky është një rreth vicioz i mashtrimit të vetvetes, hipokrizisë dhe mungesës së guximit. Është mbi të gjitha poshtërimi zhurmëmadh i një përvjetori historik.  

/Kathimerini/TemaTv

*Titulli i ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.