Xhafa në ikje: Çështja "Babale", puç nga brenda shtetit (Video)
Fatmir Xhafa e mbylli si burokrat shembullor detyrën si përfaqësuesit i popullit në qeveri. Ai tha në një fjalim lamtumire me stafin se nuk do pranojë më asnjë përgjegjësi ekzekutive, pra asnjë portofol ministror, por do të mbetet një ushtar besnik i “Perandorisë” për t’i shërbyer siç tha reformës në drejtësi.
Kishte një kundërthënie bazike në fjalimin e tij, deklaroi se kudo ku shkeli këmbën dhe vuri firmën si drejtues politik i policisë u shënuan vetëm suksese, si në çlirimin e vendin nga kanabisi apo luftën me krimin e organizuar, madje i atribuoi vetes edhe uljen e shifrave të azilit.
Një ministër kaq i suksesshëm më e pakta nuk largohet nga detyra, aq më tepër që ishte me shpatë ngritur për të t’i dhënë goditjen përfundimtare krimit. Xhafa tha se iku në kohën e duhur, pasi i ka përmbushur objektivat. Cilat objektiva mund të pyesim? Kapjen e Klement Balilit, premtim i hershëm edhe i Sajmir Tahirit? Vetting-un në polici që e shpalli prioritet? Kush i kishte përcaktuar këto objektiva që zoti Xhafa thotë se i përmbushi? Veç goditjes së Bajrave dhe operacionit Volvo 4, të gjitha sukseset e tjera përfshi dhe operacionin “Balerinat” janë arritje që shpalosen për statistikë.
Xhafa thotë se ka qenë i shantazhuar nga opozita dhe disa Agjenci Ligjzbatuese në vend, duke marrë rolin e viktimës. Është i njëjti argument që dha edhe kryeministri kur foli për konspiracion, për të cilin tha se do japë shpjegime më të detajuara por akoma nuk ka zbuluar ndonjë detaj. Ndaj dhe ky fjalim i zotit Xhafa është një apologji që nuk i vlen askujt, përveç socialistëve që ndoshta besojnë se Fatmiri vuri Shqipërinë mbi Partinë.
Add new comment