Marrëveshja e detit me Greqinë, teknikisht është arritur
Ministri i Jashtëm Alternativ i Greqisë, Giorgos Katrougalos ka thënë në një intervistë për Real News se Greqia do të zgjerojë ujërat territoriale në 12 milje në momentin që do ta shohë të përshtatshëm. Sipas tij, kjo është një e drejtë që rrjedh nga ligji ndërkombëtar dhe askush nuk mund ta kundërshtojë atë. Lidhur me marrëveshjen për kufirin detar me Shqipërinë, Katrougalos ka thënë se ajo është afër përfundimit, por se nga pala shqiptare po pritet plotësimi i vakancës në Gjykatën Kushtetuese që shihet si garanci e munguar.
Negociatat kanë përparuar në fakt në mënyrë domethënëse, por ka disa aspekte që kërkojnë më shumë punë. Nga pala shqiptare, më tepër ka një çështje të mbetur pezull për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese, opinioni i së cilës shihet si i domosdoshëm për botën politike aty në kompletimin e procesit
tha ai.
Nga ky qëndrim kuptohet se diskutimi teknik ka përfunduar dhe palët kanë aktualisht një draft përfundimtar, të paktën skicuar sipas parimeve që duket se kanë rënë dakord. Është situata në Shqipëri ajo që mban pezull firmosjen dhe me gjasë bllokues në këtë çështje është edhe presidenti Ilir Meta që ka vënë disa herë në dukje krizën e Gjykatës Kushtetuese.
Add new comment