Pak modesti është e shëndetshme dhe higjenike
Në “luftën” kundër medias, kësaj radhe, Kryeministrit Rama i është bashkuar edhe drejtori i Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga. Shënjestra është raporti mes gazetarëve – disa prej tyre - dhe Sali Berishës.
Kur ju shoh se si squlleni per inerci perballe Saliut, jam shume krenar qe e nxorrem ne pension kete vjetersire komuniste! 100 here me mire mosmiresjellja juaj ndaj kryeministrit te sotem, sepse tregon se jeni krejt te lire edhe pse s’jeni hiç etike
shkruan Fuga në një postim të vetin në tuiter.
Kjo lloj vërejtjeje meriton pak vëmendje.
Është disi e çuditshme sesi z. Fuga, që është vetëm një drejtor për komunikimi dhe nuk ka qenë për asnjë ditë gazetar, të bëjë kritika dhe të këshillojë gazetarët. Secili e ka këtë të drejtë, por më pak Pushteti. Z. Rama ka një tagër relativ në këtë kuadër sepse jo vetëm pretendon se është Viktimë e medias, por ai vjen nga publicistika, pra nga një raport i afërt me të.
Z. Fuga ka nisur karrierën si njeri zyre, korridoresh, që patjetër di shumëçka, por që si i tillë e ka dënuar veten me rolin e vëzhguesit. Nga ana tjetër njësoj sikurse ai di disa gjëra, ka gazetarë që edhe ata i Dinë disa gjëra dhe kanë përvojë profesionale me këtë pushtet dhe protagonistët e tij. Për më tepër që z. Fuga është disi i pasaktë: Z. Berisha nuk ngjan të jetë pensionuar përderisa me të merret përditë zyra e kryeministrit. Dhe tjetra, atë edhe nëse e kanë nxjerrë në pension, nuk e ka nxjerrë z. Fuga me Erjon Veliajn, sa për të përmendur dy revolucionarë virtualë. Teknikisht atë e nxori nga zyra Marrëveshja e 1 prillit 2013, ndaj pak modesti dhe vetëkufizim do të ishte shumë e shëndetshme dhe sidomos më pranë të vërtetës.
Ky pushtet thotë se ka marrë Shqipërinë në dorë me 1 milionë shuplaka ndaj Sali Berishës. Nuk duhet media për ta netutralizuar personin në fjalë. Populli ka folur qartë dhe ka dhënë një mandate. Tjetër punë se ai që ka frerët nuk ka këllqe apo bën llogari të tjera. Mediat dhe gazetarët, kushdoqoftë historia e tyre profesionale dhe personale, nuk e ka për detyrë të ndërveprojë me humorin e pushtetit, pasi për këtë siç e dimë ka mekanizma të tjerë dhe lista të qarta.
Add new comment