Shkëmbimi territorial Kosovë-Serbi, pjesë e strategjisë energjetike amerikane kundër Rusisë?
Gazeta e njohur greke “To Vima” i kushton vëmendje marrëdhënieve greko-amerikane në një shkrim të vetin të datës 10 shtator. Tashmë nuk është më sekret se qeveria e të majtit radikal Alexis Tsipras, i ka rregulluar mirë pipëzat me Uashingtonin. Pavarësisht se në Shtëpinë e Bardhë ka ardhur një njeri i vështirë si Donald Trump, Tsipras, bashkë me Grekët e Pavarur dhe ministrin e Jashtëm, filoamerikanin e vendosur, Nikos Kotzias, po e gjen veten shumë mirë në këtë realitet.
Ndoshta është kjo arsyeja pse pala gjermane nuk e sheh me sy të mirë rehabilitimin në këtë formë të Greqisë, e cila teksa u ndihmua nga Europa për t’u ringritur, po faktorizon veten si aktor kryesor i SHBA në Ballkan. Gazeta greke thekson se strategjia energjetike është çelësi i SHBA për të nxjerrë Ballkanin nga ndikimi rus. Dhe paradoksalisht, e majta greke po ndihmon shumë në këtë drejtim.
Gazeta i referohet vitit 2015 kur Tsipras dhe Kotzias kur nisën lëvizjet e para. Athina zyratre mbështeti fuqimisht gazsjellësin TAP. Në takimet e tyre me përfaqësues të SHBA në Asamblenë e OKB-së, Tsipras dhe ministri i tij i Jashtëm ranë dakord për këtë aks, ndërkohë që projekte të tjera me interes dhe miratim nga SHBA janë, interkonjeksioni i gazit me Bullgarinë, pingul me TAP dhe shfrytëzimi i depozitave në Aleksandropulos.
Energjia është një faktor kritik në planet e SHBA për të shkëputur Ballkanin nga vesi rus i presionit
shkruan “To Vima”.
Kjo është strategjia e amdhe e SHBA, të paktën sipas medias greke, e cila I konsideron përpjekjet diplomatike mes vendeve në rajon, si pjesë funksionale të saj.
Gazeta citon fjalën e Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit për Çështjet Euroaziatike Wes Mitchell, i cili gjatë një fjale të mbajtur në Senatin amerikan ka bërë të qartë se kjo strategji e gjerë e përfshin si pjesë të sajn shkëmbimin territorial mes Serbisë dhe Kosovës.
Tsipras dhe Kotzias kanë rënë dakord me këtë strategji. Kthesa pro-amerikane e Athinës nënvizoi hendekun në raportet mes Greqisë dhe Rusisë
vijon gazeta në fjalë.
Kaq konsistente është një gjë e tillë saqë edhe acarimi i qeverisë greke me biznesmenin greko-rus, Ivan Savvidis i atribuohet rolit të ambasadorit amerikan në Athinë, Geoffrey Pyatt, i cili ka disa muaj që nuk kursen daljet në media dhe fjalët më të mira për Greqinë. Amerikanët vlerësojnë sidomos informacionin që Greqia jep për lëvizjet e rusëve. Marina ruse planifikon zhvillimin e manovrave të mëdha detare dhe ajrore me më shumë se 30 anije dhe 30 avionë në hapësirat mes Kretës dhe Mesdheut Lindor. Plani për stërvitje duket se synon bllokimin e aksesit për fuqitë e treta në Lindjen e Mesme
shkruan gazeta.
Këto skenarë shkojnë paralel me interesin e biznesit amerikan në Panairin e Selanikut për kantierin e Skaramangës që u synua nga kinezët. Pyatt ka përmendur disa herë se Kina është faktor me rëndësi në rajon pasi oferta e saj ekonomike është e paneglizhueshme, por mesa duket Rusia, për vetë rolin që luajti në Siri dhe Egjipt përbën kërcënim kryesor. Për këtë arsye duket se SHBA favorizon raportet e posaçme të Greqisë me Izraelin, Qipron dhe Egjiptin, vende që kontrollojnë basenin e gazit në Mesdheun Lindor ku aktori më problematik është Turqia. SHBA ka premtuar edhe ndihma ushtarake për Greqinë dhe nëse në Egje po luhet faza e fundit e lojës për kapjen e burimeve në Ballkanin kontinental kemi një aneks të kësaj strategjie që është thjesht stabilizimi i rrugëve ku kalon energjia, pra gazi. Shkëmbimet territoriale që sugjerohen sot, janë një çikërrimë në këtë lojë, pavarësisht se përjetohen si dramë në botën shqiptare. Në këtë konteskt kollitet edhe Hashim Thaçi me Edi Ramën, që njësoj si Tsipras blejnë pushtet për vete në këmbim të mbështetjes pa kushte të startegjisë amerikane.
Është po kështu për t’u shënuar leximi i thatë dhe realist që po ofron aktualisht politika e jashtme amerikane në rajon, e cila në ndryshim nga disa vite më parë ka hequr dorë nga retorika moralizuese për të dalë me fytyrën e biznesit. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak se interesa. Kufijtë dhe territoret? Terma antihistorikë…
Kjo lëvizje në zonën jugore të Europës vjen ndërkohë kur SHBA ka dështuar të bindë Gjermaninë që të mos i japë akses dhe të mos i hapë rrugën Rusisë përmes Rrymës Veriore. E ndërsa Berlini ndoqi interesin e vet, njësoj si në rastin e Iranit, SHBA po gjen rrugë në Ballkan ku shitje blerjet janë të lira. Dhe ku perceptimi për SHBA vazhdon të jetë një keqkuptim i madh. Kjo shpjegon ndoshta edhe rivalitetin mes të dyja vendeve kur vjen puna në diskutimin për kufijtë që është e qartë se do të jetë përcaktuese edhe në marrëveshjen e kufijve detarë mes Greqisë dhe Shqipërisë. Si zakonisht diku po vendoset për vendin tonë pa na pyetur, e ku kryeministri i radhës është asgjë më shumë sesa aktor minor i interesave personale.
Add new comment