Gjobë dhe burg, avazi i njohur i të "majtës"

Sot u shfaq në disa media një lajm për Censusin e vitit 2020. Thuajse në të gjitha tituj mbizotëronte paralajmërimi: Gjobë.
Gjobë për ata që i shmangen regjistrimit apo gënjejnë për të dhënat e tyre. Gjoba është 1 milionë lekë.
Në pesë vjet qeverisje, fjala burg dhe gjobë kanë dominuar çdo raport mes ekzekutivit dhe qytetarit, por përherë mbetur në tentativë, apo duke goditur më të pambrojturit. Gjobat kanë shkuar për qytetarë që kanë bërë lidhje të paligjshme të energjisë, ndërkohë që 90 milionë euro borxh nga institucionet u amnistuan. Gjoba nuk janë parë për bizneset vip, që i bëjnë fresk qeverisë.
Gjobat janë për ambulantët që shesin majdanoz, për ndonjë qytetar që ecën me makinë, apo për subjekte që shesin pije freskuese. Gjoba është një sanksion ndaj të cilit ke të drejtë apelimi, por tashmë ka dalë metoda tjetër: Është në sistem.
U njoftua me zhurmë të madhe dhe vetulla të ngrysura se do të kishte gjobë për deklarimin e venbanimit, u shty nja katër herë, ndërkohë që tani edhe INSTAT-i merr në xhep të drejtën të vendosë gjoba.
Në Shqipëri ka një fjalë që përdoret shpesh: Shteti është banda më e fortë. Ja kjo fjalë e sqaron më mirë nga të gjitha atë që po ndodh. Gjobë dhe burg. Rend dhe Fukarallëk për miletin që qëndron poshtë elitës së hajdutëve që qeveris. Tashmë kjo bandë po kërkon të dijë më shumë për njerëzit për t’ia dërguar me postë apo t’ia fusë në sistem gjobën e radhës. Sepse ku ka masë më të mirë për të mbajtur peng sesa futja në sistem?
Ah, për kujtesë. E mbani mend kur ministër i Brendshëm ishte kumbari i drogës në Shqipëri, Sajmir Tahiri? Ai mendoi që të kushtëzonte daljen e qytetarëve jashtë vendit me pagesën e gjobave të makinës. Një fije e ndan mendësinë e “çunave të babit” që qeverisin sot Shqipërinë nga diktatura e gjobave dhe shtrëngimeve të kësaj natyre që përndjekin qytetarët. Është karakteristikë e këtij ekipi që përbuzjen që ka për njerëzit dhe kompleksin e inferioritetit ndaj botës ta mbulojë me arrogancë dhe persekutim administrativ si dhe me një hajdutëri të paprecedentë. Le të pyesim të gjithë veten: a duhet që të dhënat tona t’ia dorëzojmë lirshëm kësaj bande që ekuivalentohet me shtetin? A ka të drejtë ky shtet për një besim të tillë? Sigurisht që JO dhe vetëm JO, sepse ne më parë duhet të dimë kush ka sot pushtetin ekonomik, kush na drejton, ku i kanë aksionet dhe paratë këta që kërkojnë të dhënat. Gjithë kjo qasje që luan me autizmin politik të elitës, është premisa e një rrokullisjeje që herët apo vonë do ta shfaqë veten në të gjithë simptomën e vet që ose do të boshatisë vendin, ose do të bëhet e pakontrollueshme për “çunat e babit”.
Add new comment